De Biasi kërkon numrin e Antonio Contes

Me përfshirjen e Italisë në skenarin e ecurisë së Shqipërisë në këtë Europian, mediat italiane i kushtojnë një vëmendje të madhe skuadrës së Gianni de Biasit, duke kërkuar mendimin e trajnerit kuqezi për sfidën e Italisë kundër Irlandës. Në një lidhje telefonike për “Radion 24”, De Biasi e pranon se ndihma e Italisë do të jetë shumë e rëndësishme në fatin e këtij Europiani për Shqipërinë. “A do të telefonoj Conten për t’i kërkuar ndihmë? Me jepni numrin dhe do ta telefonoj menjëherë”, u përgjigj 60-vjeçari i stolit shqiptar, duke vënë theksin në marrëdhëniet shumë të mira që ai ka me homologun e tij në stolin e kaltër. “Tre pikët e fituara mund të na mjaftojnë për të kaluar në fazën tjetër, por sido që të shkojë zhvilluam një Europian pozitiv me tri ndeshje shumë të mira. Ironia e fatit është që ndaj Rumanisë patëm më pak raste se dy takimet e para ku paguam pak edhe presionin. I dimë limitet tona dhe kjo është forca jonë e madhe në këtë kompeticion”, shton De Biasi. Në fund të intervistës, ai thekson se diferencat mes skuadrave janë ngushtuar dhe një ndeshje mund të vendoset nga lojtarët e mëdhenj.
Pas suksesit me Rumaninë, Gianni de Biasi nuk zhvlerësoi asnjë nga momentet e kaluara në 4 vjet në krye të stolit kuqezi, edhe pse është i vetëdijshëm se fitorja në Lyon ishte një rezultat historik. “Ishte mbrëmja më e bukur e turneut. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, kemi kaluar ditë mjaft të bukura. Regjistruam një fitore historike për Shqipërinë, që do të kujtohet nga të gjithë”, u shpreh De Biasi.
De Biasi vlerësoi sjelljen e skuadrës në fushë, kur duhej të mbronte rezultatin. Kombëtarja shfaqi një freski fizike dhe psikologjike si ajo që mungoi ndaj francezëve. “Besoj se si ndaj Zvicrës dhe Francës meritonim diçka më tepër. Paguam presionin e pjesëmarrjes në një turne kaq të madh. U ambientuam me klimën, skuadra luajti mirë, qëndroi e shkurtër në fushë dhe në fundin e ndeshjes ishim më të freskët, ku pothuajse nuk rrezikuam aspak. Të gjithë tifozët shqiptarë duhet të jenë shumë të kënaqur nga ajo që skuadra ka bërë në këto tri ndeshje. Treguam se jemi në lartësinë e një turneu të tillë. Me Zvicrën mund të kishim shënuar dhe dhamë maksimumin, me Francën të gjithë e vlerësuan paraqitjen e skuadrës dhe nëse nuk do të ishte ai shpërqendrim në fund rezultati do të ishte ndryshe. Sot zhvilluam ndeshjen që duhej të zhvillonim dhe i zbatuam mirë detyrat”, tha ai.
Në fund, trajneri bëri edhe një batutë, për momentet përpara startit të sfidës ndaj rumunëve, ku së bashku me ndihmësin Tramezzani, kënduan plot entuziazëm himnin shqiptar. “Perfekt, edhe me fjalët e duhura. Ishte e shkruar aty. Por e këndoj gjithmonë sa herë që më jepet mundësia edhe pse gjuha është e vështirë. Gjithsesi Forca Shqipëria!”, tha De Biasi.

Artikulli paraprakSkenarët e kualifikimit
Artikulli tjetërVendim shkatërrimtar nëse Britania voton daljen nga BE