Dako vende pune në këmbim të votës

Zëvendëskryeministrja teknike e propozuar nga PD, si pjesë e marrëveshjes së 18 majit Rama-Basha, Ledina Mandija ka kërkuar nga kreu i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako të marrë masa, pasi sipas saj në shoqërinë Ujësjellës-Kanalizime Durrës janë lidhur kontrata pune gjatë periudhës zgjedhore. “Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e drejtuesit të Task Forcës i është drejtuar sot kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako të marrë masa të menjëhershme në lidhje me disa konstatime se, në shoqërinë Ujësjellës-Kanalizime sh.a Durrës janë lidhur kontrata pune gjatë periudhës zgjedhore. Grupi i kontrollit nga kabineti i zv.kryeministres ka verifikuar se në shoqërinë Ujësjellës-Kanalizime sh.a. Durrës janë punësuar disa shtetas për periudhën 25.05.2017 deri më 13.06.2017 në kundërshtim me dispozitat ligjore. Gjithashtu kjo është konfirmuar edhe nga informacioni që ka ardhur në rrugë elektronike nga zyrtarët e kësaj shoqërie. Për këtë arsye, zëvendëskryeministrja i ka kërkuar Dakos të marrë masat për të bërë verifikimet e duhura dhe nxjerrjen e përgjegjësive disiplinore të çdo nëpunësi, si dhe ta informojë menjëherë për rezultatet e gjetura dhe masat e marra. Zyra e zv.kryeministrit, thekson se nëse ky rast nuk do të ndiqet me përparësi, do t’i dërgojë materialet përkatëse pranë Prokurorisë së Përgjithshme”, shprehet ajo.

Artikulli paraprakTask Forca-Çakos: Informacion urgjent për padinë ndaj Gjozës
Artikulli tjetërProkuroria sekuestron 54 ha tokë në Himarë