Conte rrezikon!

Pas një sezoni të parë fantastik, në drejtimin e Chelsea-t, i dyti po rezulton krejtësisht i kundërt për Antonio Conten. Skuadra nuk ka të njëjtën uri për të fituar dhe ka lënë shumë pikë në kampionat, duke qenë plot 9 pikë më pak sesa City kryesues, pas vetëm 10 javëve të para. Si të mos mjaftonte kjo, londinezët dështuan edhe në Champions, përballë Romës, ku pas barazimit 3-3 në ‘Stamford Bridge’, u shkatërruan keqazi në Itali, me rezultatin 3-0. Tani në Londër të gjithë kanë filluar të mendojnë se, Conte nuk është më i duhuri për të vijuar drejtimin e ekipit dhe fundjava e ardhshme mund të sjellë surpriza.
Chelsea do të presë në ‘Stamford Bridge’ Manchester United-in e Mourinhos dhe fitorja do të jetë detyrim për vendasit, që Conte të vijojë në krye të pankinës. Në rast se ‘djajtë e kuq’ ia dalin të marrin 3 pikët në Londër, atëherë Contes me shumë gjasa do t’i kërkohej të linte drejtimin e klubit. Kështu, pas polemikave të shumta mes të dyve, portugezi Mourinho do të ketë shansin këtë të diel, që t’i ‘presë kokën’ rivalit të tij më të urryer të kohëve të fundit në Premier League.
Chelsea doli me kokën ulur nga stadiumi “Olimpico” të martën mbrëma. Kampionët e Anglisë u gjunjëzuan 3-0 përballë Romës, e cila mori kryesimin e Grupit C. “Mendoj se pjesa e parë ishte pozitive edhe pse na mungoi fati. Ne patëm raste, por në pjesën e dytë, Roma ishte më e uritur dhe e vendosur, me një dëshirë të madhe për të na mposhtur, ata e merituan fitoren”, komentoi trajneri Conte pas ndeshjes.
Pavarësisht humbjes së rëndë, Blutë nuk rrezikojnë duke qenë se edhe Atletico Madrid barazoi 1-1 me Qarabag-un, duke mbetur në kuotën e tri pikëve. “Nuk më intereson ky rezultat. Më intereson të di se si mund të përmirësohemi dhe të rigjejmë dëshirën për të luajtur”, shtoi trajneri italian. Aktualisht, Chelsea pozicionohet në vendin e dytë të Grupit C me 7 pikë, një më pak se Roma.
Steven Gerrard akuzoi Antonio Conte për vlerësimin që i bëri Romës, pasi ekipi i tij i Chelsea u shpërbë në përplasjen e Ligës së Kampionëve, të martën. Dopieta e Stephan El Shaarawy dhe goli i Diego Perotti bënë që italianët të merrnin fitoren 3-0 në “Stadio Olimpico”, duke i vënë ata në “pole position” në grupin C, pas katër ndeshjeve. Conte kishte vendosur një linjë aventureske në Romë dhe Gerrard ka mbetur i shokuar nga shfaqja horror mbrojtëse e Chelsea. “Unë mendoj se Conte nuk e ka respektuar Romën sot”, tha ish-kapiteni i Liverpool për “BT Sport”.
“Blues” pranuan gjithsej gjashtë gola në dy ndeshjet e tyre kundër Romës, duke dëshmuar edhe një herë se ata humbën praninë e N’Golo Kante, duke ankoruar mesfushën. Kante i dëmtuar humbi një vend në skuadrën e Chelsea në minutën e fundit, por Gerrard beson se Cesc Fabregas nuk është zëvendësim për francezin. Chelsea e përmbledh fushatën e grupeve të Ligës së Kampionëve më 22 nëntor në Qarabag, ku pavarësisht rezultatit të së martës për të fituar, do ta shohë kualifikimin e sigurt për 16 vitet e fundit.
Roma ka shpartalluar Chelsea-n e Antonio Conte-s me rezultatin 3-0 në “Olimpico”, duke u ngjitur në vendin e parë të Grupit C. Ishte një mbrëmje fantastike në kryeqytetin italian dhe një fitore mjaft e rëndësishme për kryesimin e grupit. Megjithëse po të shohësh statistikat gjithçka duket e barabartë, Roma ishte më cinike në sulm, duke i shfrytëzuar në maksimum rastet e krijuara si dhe me fatin në krahun e saj, pasi dy nga golat janë shënuar nga dy super goditje nga distanca.
Ishte El Shaarawy ai që zhbllokoi rezultatin që në minutën e parë të ndeshjes me një gol fantastik nga distanca me të jashtme. Faraoni dyfishoi rezultatin në minutën e 36’ dhe Perotti në të 63’ vulosi gjithçka në ndeshjen e 100-të të Fabregas në Champions League. Roma shpreson për vendin e parë, që do t’i mundësonte një short më të mëshirshëm.

Artikulli paraprakPerez bën gati 4 blerje për t’i “shpëtuar fytyrën” Realit
Artikulli tjetërAllegri kritikon lojtarët e Juventusit