Çimka në zyrën e Tahirit, të dhënat që fshiu ministri

Ministria e Brendshme përhapi lajmin dje se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me gjetjen e një pajisjeje përgjimi në zyrën e tij. Kallëzimi penal është bërë një javë më parë, por ndërkohë, lajmi mbi ekzistencën e pajisjes së përgjimit në zyrën e ministrit të Brendshëm është bërë i ditur nga ish-kryeministri Sali Berisha më datën 20 maj. Bëhet e ditur se, para se Tahiri të bënte kallëzimin penal është kujdesur që të fshijë çdo regjistrim të pajisjes, duke zhdukur kështu çdo gjurmë të aferave dhe skandaleve në zyrën e tij. Ish-kryeministri Berisha postoi dje denoncimin e një oficeri, sipas të cilit Tahiri ka fshirë të gjitha regjistrimet e pajisjes para se të bënte kallëzimin në Prokurori. Në denoncimin e tij, oficeri i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të kontraktonjë një komapni me ekspertizë të lartë në rikuperimin e regjistrimeve të fshira.
“Saje qorri dërgoi sot në Prokurori, pasi për 1 javë rresht fshiu dhe manipuloi të gjithë videot e regjistruara në “Çimkën” që i kishin vendosur në zyrë. Me këtë rast i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të kontraktojë për ekspertizë kompaninë më të fuqishme të fushës për të rikuperuar të gjithë pamjet e regjistruara në zyrën e Saje qorrit, të cilat do t’u provojnë shqiptarëve serinë e skandaleve në zyrën e tij, disa prej të cilave sipas oficerit dixhital janë aq të fëlliqura saqë Xhelili i bashkisë duket lule në krahasim me histerikun e ministrisë”, thuhet në denoncimin e postuar nga ish- kryeministri Berisha.
Më 20 maj, rreth dy javë më parë, Berisha publikoi lajmin mbi “çimkën” në zyrën e ministrit të Brendshëm. “Në zyrën e Saje qorrit gjendet një çimkë! Të dashur miq, parmbrëmë, në zyrën e Saje qorrit, konkretisht në anën e pasme të grirëses së letrave gjendet një goxha çimkë! Kjo e ka tmerruar Saje qorrin, i cili ka dyshim kryesor:1- zëvendësministrin e LSI dhe 2-njërin nga asistentet e tij. Por njerëzit afër tij flasin edhe për dy burime të tjera më të mundshme, njeri i huaj kurse burimi tjetër është intim” shkruante Berisha në denoncimin e tij më 20 maj.

Kallëzimi i Tahirit në Prokurori

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri zbulon në zyrë pajisje përgjimi, e dorëzon në Prokurori bashkë me kallëzimin penal. Burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, i thanë ABC News se pak ditë më parë, Ministria e Brendshme ka dorëzuar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së kryeqytetit. Ku kërkohet të gjenden personat që i kanë vendosur në zyrë ministrit Tahiri aparat përgjimi. Këto burime nuk japin detaje për llojin dhe përmasat e aparaturës së përgjimit, por shtojnë se ajo është dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore për ekzaminim. Sipas Prokurorisë, referuar kallëzimit është bërë edhe regjistrimi i procedimit penal, për momentin për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Pasi nga të dhënat paraprake, dyshohet se personi që i ka vendosur pajisjen e përgjimit në zyrë ministrit Tahiri është punonjës i Ministrisë së Brendshme. Por kjo mbetet në fazën e dyshimeve paraprake, pasi prokurori i çështjes sapo ka nisur verifikimin e të dhënave të renditura në kallëzim penale. Për këtë fakt, ABC News kërkoi një koment nga zyra e shtypit pranë ministrit Tahiri, të cilët ende nuk kanë dhënë ndonjë version për çështjen. Burimet thonë se ende nuk dihet se për sa kohë ministri Tahiri e kishte këtë pajije përgjimi në zyrë, pasi pas konstatimit ajo është dorëzuar në Prokurori. Gjithashtu nuk dihet se çfarë bisedash ka regjistruar dhe kush i disponon ato.  Për gjetjen e kësaj pajisje përgjimi, pak ditë më parë paralajmëroi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, duke paralajmëruar se ministri Tahiri është regjistruar me zë ku implikon atë në afera të ndryshme.
Ministria e Brendshme prej disa muajsh ndodhet në ambientet e Gardës së Republikës, pasi ndërtesa ekzistuese po rikonstruktohet.

Artikulli paraprakBlushi sulmon Ramën për përdhunuesin Rroshi dhe bandën e krimit
Artikulli tjetërFaqja e parë