Cikalleshi rikthehet me gol

Në Stamboll për të luftuar për vendin e tij. I rikthyer te Basaksehir, pas paraqitjeve fantastike te Akhisari ku ishte i huazuar, Sokol Cikalleshi tregoi se nuk i trembet konkurrencës. Sulmuesi kuqezi shënoi prej ndeshjes së parë me skuadrën pas rikthimit, në miqësoren ku Basaksehir fitoi 4-1 në Slloveni, përballë skuadrës së Ligës së Parë, Triglav.
Cikalleshi realizoi golin e fundit të ekipit nga Stambolli në minutën e 83-të, duke treguar se pavarësisht mbipopullimit në repartin ofensiv, ai mund të jetë mjaft i vlefshëm për skuadrën në sezonin e ri, si në Superligën turke, ashtu edhe në Champions, ku Basaksehiri do të luajë në turin e tretë kualifikues. Një gol me peshë, edhe për faktin se Emanuel Adebajor, që vlerësohet si emri më i rëndësishëm i sulmit qëndroi në fushë përgjatë gjithë lojës, pa gjetur rrugën e rrjetës.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Cikalleshi dhe Basaksehiri do të vijojnë bashkëpunimin apo nëse merkato do të sjellë surpriza. Sulmuesi kavajas kërkon hapësira, të cilat në rast se nuk do t’i sigurohen në Stamboll, mund t’i gjejë lehtësisht në një tjetër skuadër, edhe sepse interesimi për të është mjaft i madh.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërShtohen ofertat për Memushajn