Çfarë skuadre ka ndërtuar Inzagi!

Në dhjetë ndeshje të luajtura deri më tani në kampionat, Lazio regjistron vetëm një humbje (4-1 ndaj Napolit). Fitorja e fundit erdhi të mërkurën mbrëma në transfertën e Bologna-s 2-1, duke e çuar në 25 numrin e pikëve të grumbulluara pas tetë suksesesh dhe një barazimi. 25 pikë po aq sa kampioni në fuqi Juventusi dhe vendi i katërt për klubin ku drejtor sportiv është një nga ikonat e kombëtares shqiptare, Igli Tare. Për sa i takon golave të shënuar, lacialët kanë ndëshkuar kundërshtarët plot 26 herë (13 herë Immobile që kryeson klasifikimin e golashënuesve të Serie A), ndërsa kanë pësuar 11 dhe diferenca është +15.
Statistika optimiste për skuadrën e Simone Inzagit për të cilën gazetari i “Tuttomercatoweb” Fabrizio Poncirolli pranon: “Kam gabuar në gjykimin tim ndaj dyshes Lotito-Tare. Nuk janë ‘të bukur për t’u parë’, por e shikoni çfarë skuadre kanë ndërtuar? Lamtumirat e Keita dhe Biglia nuk janë ndjerë kurrë, përkundrazi Inzagi (Simone) është një mjeshtër, por edhe dyshja Lotito-Tare funksionon për mrekulli. Lazio për titull? Po, me kusht që askush të mos rrëmbehet nga euforia dhe të nisë të fluturojë me fantazi, në vend që të vrapojë në fushë. Pra, nëse Leicester fitoi Premier League-n, pse të mos e fitojë Lazio Scudetto-n?”.
Përveç kampionatit bardhekaltrit janë paraqitur mjaft mirë edhe në Europa League ku kryesojnë renditjen në Grupin K me 9 pikë.

Artikulli paraprakShkeljet financiare arrijnë 13 mln euro, 1.3 mln euro për Check-up
Artikulli tjetërStrakosha sërish në formacionin më të mirë të javës