Çfarë po ndodh me Turqinë?

Një sulm terrorist në Aeroportin Ataturk të Stambollit në Turqi, filloi me të shtëna me armë zjarri ndjekur nga shpërthimet dhe zhurma e sirenave të ambulancave. Kur e gjitha kishte përfunduar, të paktën 36 vetë kishin vdekur, 147 ishin plagosur dhe qindra udhëtarë dhe njerëzit që prisnin për ta, po përpiqeshin të merrnin veten, nga tmerri që kishin parë.
Sulmi filloi kur të paktën një prej atentatorëve hapi zjarr me një Kallashnikov, i tha ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, të përditshmes “Hurriyet Daily News”. Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım u tha gazetarëve në vendin e ngjarjes se, të tre sulmuesit qëlluan mbi udhëtarët dhe policinë, para se të hidhnin veten në erë, bën të ditur gazeta britanike “The Telegraph”.
“Pati një shpërthim të madh, shumë të fortë”, tha Ali Tekin, i cili ishte në sallën e mbërritjeve, duke pritur për një mysafir kur ndodhi sulmi, sipas ABC News. “Catia us hemb. Brenda aeroportit gjendja është e tmerrshme, nuk njihet më, dëmi është shumë i madh”.
Amerikani Adam Keally nga zona e Bostonit ishte brenda aeroportit, dhe ka përshkruar udhëtarët që ai pa, për CBS. “Njerëzit u plagosën shumë rëndë”, tha Keally. “Një djalë kishte vrima në shpinë, nga predhat apo nga xhamat”.
Keally tha se ai dhe të tjerët filluan të vraponin kur filloi sulmi, por më pas mbretëroi konfuzioni, pasi shpërthimet u dëgjuan nga drejtime të ndryshme. “Njerëzit shtinin nga njëra anë dhe të gjithë ne rendëm drejt anës tjetër, por prej andej erdhi zhurma e bombave dhe njerëzit filluan të rendin në drejtimin tjetër, prej ku kishte edhe më shumë të shtëna. Në fund dolëm jashtë”.
Gazetari i sapomartuar irakeno-amerikan, Steven Nabil po udhëtonte me gruan e tij, duke u kthyer nga muaji i mjaltit, rrugës për në Nju Jork, kur filluan të shtënat dhe bashkëshortja e tij u plagos, shkruante ai në Twiter. Nabil shkroi se e kishte lënë gruan e tij, të cilës nuk ia ka përmendur emrin, në një kafene, ndërsa vetë kishte shkuar në një restorant Sbarro. Kur dëgjoi shpërthimet ai vrapoi drejt saj, u fut në një dyqan, dhe “priti i terrorizuar pasi kishte të shtëna jashtë dyqanit”.
“Mezi ia dolëm”, shkruante ai.
Mehmet Bars i tha revistës “Time” se ai ishte në zonën e ankesave për bagazhet, pasi sapo kish mbërritur nga Gjermania, kur nisi sulmi dhe kaosi. “U shtriva përtokë”, tha Bars. “Dola jashtë. Pastaj një burrë më tha: “Mos shko brenda, duhet të vrapojmë. Nisa të vrapoj, kur pashë bomba që shpërthyen”. Ai tha se kishte dëgjuar të shtëna armësh edhe për 20 minuta të tjera.
Dëshmitari okular Ercan Ceyhan i tha CNN-Turk se ai pa rreth 30 ambulanca të hyjnë në aeroport, sipas “Associated Press”. Të plagosurit, duke përfshirë policë, janë transferuar në Spitalin Shtetëror Bakirkoj, raportoi AP, duke cituar agjencinë private të lajmeve DHA. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, tha Ahmad Alomary për faqen e HuffPost në arabisht.
Alomary ishte duke pritur për një mik që vinte nga Dubai, kur “krejt papritur ne dëgjuam një zhurmë si shpërthim dhe rojet e sigurisë i kërkuan të gjithëve që të shtrihen në tokë”. “Vendi ishte i mbushur me shumë njerëz, kishte edhe disa fëmijë”, tha Alomary. “Të gjithë u shtrimë, më pas  arrita të dal jashtë nga salla”.
Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, por Kryeministri truk tha se të gjithë treguesit të shpien tek ISIS. Në fakt nuk e dimë ende nëse kamikazët që goditën aeroportin e Stambollit janë militantë të Shtetit Islamik apo guerrilas të PKK, formacioni kurd i cili – që përpara shfaqjes së Isis – përdorte kamikazë. Por ne dimë atë që ka bërë në këto vitet e fundit, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan.
Duke gënjyer veten se mund ta përthente realitetin sipas vullnetit të tij, nuk hezitoi të mbajë marrëdhënie të paqarta dhe të rrezikshme me aktorët më të rrezikshëm rajonalë. Për t’i prishur ato më pas, sapo i dukeshin të panevojshme, ose të pafrytshme. Filloi pas vitit 2011, duke ndërthurur negociatat komplekse të paqes me Abdullah Ocalanin, udhëheqësin e padiskutueshëm të PKK, i burgosur që nga viti 1999 në qelitë turke. Papritmas, ndërpreu negociatat sapo kurdët sirianë u shfaqën si kundërshtarët kryesorë të grupeve të xhihadit dhe Shtetit Islamik, të cilët Erdogani shpresonte që të rrëzonin regjimin e Bashar al-Assadit.
Në këtë pikë ambiguiteti i “Sulltanit”, në gjendje që, nga njëra anë të qëndronte në NATO dhe nga ana tjetër, të bënte biznes me Shtetin Islamik, bëhet absolutisht i dukshëm. Nga aeroportet turke kalojnë më shumë se pesë mijë xhihadistë evropianë dhe tridhjetë mijë dhe jo-evropianë, drejt territoreve siriane të kontrolluara nga ISIS. Në kufirin turko-sirian mbajnë radhë kolonat e cisternave të ngarkuara me naftë bruto, e nxjerrë nga puset e Der El Zorit që kontrollohen nga Shteti Islamik.
Në zonat kufitare, gazetarët turq filmojnë dhe fotografojnë ngarkesat e armëve që shkojnë drejt Kalifatit, nën mbrojtjen e shërbimeve sekrete. Por, për të mbuluar hipokrizinë flagrante të një Erdogani të aftë për të bombarduar pozicionet kurde, duke argumentuar, se në fakt po lufton Kalifatin, ka dhënë një dorë edhe indiferenca apatike e NATO-s, e Europës dhe një Amerike të gatshme për të bërë gjithçka, vetëm e vetëm që të ruajë lidhjet me një aleat kyç në kundërvënien ndaj Rusisë së Vladimir Putinit.
Erdogani harron se është presidenti i një kombi të ndërlikuar dhe të larmishëm, ku ka të bëjë me pesëmbëdhjetë milionë kurdë dhe disa milion ekstremistë islamikë, të cilët joshen kollaj prej tezave të një ISIS-i që është bërë zot i vërtetë i shumë zonave kufitare.
Dhe kështu PKK, e përdorur si gogol për të ushqyer kërcënimin e terrorizmit të brendshëm dhe për të fituar zgjedhjet, rikthehet – pasi u mbyllën votimet – për të përfaqësuar emergjencën e vërtetë kombëtare. Një emergjencë e rrethuar nga terrorizmi edhe më i fshehtë dhe i rrezikshëm, se sa ato celulat e Shtetit Islamik, që pasi i kanë shpëtuar kontrollit të shërbimeve të fshehtë, janë bërë ankthi i vërtetë i Sulltanit, i cili gënjente veten se ishte në gjendje për t’i zotëruar sipas qëllimeve të veta.

Artikulli paraprakSHBA: Turqia, aleati ynë
Artikulli tjetër100% e bizneseve për taksat: Do mbyllim aktivitetin