Casini: Të dhënat janë shqetësuese për drogën

Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme, Pier Ferdinando Casini, ka shprehur shqetësimin mbi rritjen masive të trafikut të drogës nga Shqipëria dhe mungesën e reagimit të qeverisë në luftën kundër narkotrafikut. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit italian flet për të dhëna shqetësuese të rritjes së trafikut të drogës nga Shqipëria, duke kërkuar më shumë nga qeveria shqiptare, pasi sipas tij reagimi i qeverisë shqiptare për këtë fenomen është tepër i dobët. “Unë konstatoj një gjë. Ka të dhëna shqetësuese mbi rritjen e trafikut të drogës nga Shqipëria, të evidentuara nga prokurorët italianë, për të cilën ka një reagim tepër të dobët. Duhet të intensifikohet puna në këtë drejtim. Ne presim më shumë nga qeveria shqiptare”, shprehet Casini. Nga ana tjetër ai thekson se, Bashkimi Europian duhet të përforcojë perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit, por këtij angazhimi vendet e rajonit duhet t’i përgjigjen me reforma serioze për forcimin e shtetit ligjor, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Duhet t’ju japim perspektivën vendeve të Ballkanit Perëndimor që të hyjnë në Bashkimin Europian. Të mbyllësh portat siç e bëri Juncker në fillim të mandatit të tij ishte një gabim. Ka vende me të cilat Italia ka një marrëdhënie të veçantë siç është Shqipëria që duhet të kenë perspektivën të hyjnë në Bashkimin Europian, por sigurisht që këto vende duhet të ndryshojnë të futen në BE, pasi jemi të shqetësuar për shumë gjëra që ndodhin në rajon”, thekson Casini. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve përbën një nga 5 prioritetet për Shqipërinë, për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Reagimi i Casinit vjen pas atij të Prokurorit të Përgjithshëm të Antimafias italiane, Franko Roberti, shpreh sërish shqetësim për trafikun e drogës nga Shqipëria. Në prezantimin e librit të tij “E kundërta e frikës”, në Romë, kreu i Antimafias italiane foli për tonelata ngarkesash që, sipas tij, mbërrijnë në brigjet e Pulias, kryesisht në Leçe dhe Bari nga Shqipëria dhe që transportohen me gomone. “Është një dukuri shqetësuese. Ne kohët e fundit kemi qenë në Shqipëri, bashkë me prokurorët e Leçes, Barit e Katanxators, për t’u takuar me kolegët shqiptarë në Tiranë, për të nxitur bashkëpunim më të ngushtë dhe të kërkojmë hetime edhe në Shqipëri. Në fakt, kemi parë se rastet e trafikut e drogës nga Shqipëria janë rritur ndjeshëm”, u shpreh Franko Roberti. Franco Roberti deklaroi se, tonelata me kanabis po zbarkojnë gjithnjë e më tepër në rajonet e Puglias dhe Kalabrisë. “Kemi parë që trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Kalabrisë dhe Puglias është rritur ndjeshëm. Flasim për tonelata dhe pikërisht disa ditë para se të shkonim në Tiranë, është sekuestruar një ton drogë në Puglia. Në takim u diskutua për këtë çështje, nga ky zbulim, por prej kohësh kemi verifikuar se trafiqet janë rritur ndjeshëm”, tha Roberti.

Artikulli paraprak“Shiko mos të kapin mallin”, zbardhen përgjimet e Balilit
Artikulli tjetërKërko falje për Kristaqin që çoi në litar Havzi Nelën