Callejon çon Napolin në gjysmëfinale

Napoli pret biletën e parë në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, pas triumfit minimal ndaj Fiorentinës në “San Paolo”, ku u zhvillua një ndeshje me ritëm shumë të lartë dhe me raste të shumta nga të dy ekipet. Skuadra e Sarrit me atë që dha në fushën e blertë e meritoi kualifikimin, teksa në gjysmëfinale do të sfidojë fituesin e çiftit Juventus-Milan.
Në mesin e pjesës së parë u luajt një 10 minutësh i çmendur, por mungoi goli. Në të 19-ën Chiesa e detyroi Reinen të devijonte në fundore, ndërsa 3 minuta më pas portieri spanjoll kryen një tjetër ndërhyrje vendimtare duke shmangur një gol të sigurtë.
Në krahun tjetër Pavoleti godet me traun e portës së Tatarushanu, ndërsa në të 29-ën Insigne shënjestron traversën nga një goditje e lirë.
Sulmuesi i Napolit ishte i pafat edhe në të 63-ën, me topin që përfundoi aty ku bashkohet shtylla me traversën, gjithsesi pas shumë përpjekjesh pas një aksioni model në të 71-ën, Callejon, realizoi me kokë golin e kualifikimit.
Elseid Hysaj ishte në një ditë të mirë duke ndihmuar shumë në fazën sulmuese, megjithatë në fund të takimit ishte i pafat pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Në kohën shtesë u barazuan forcat në fushë pas ndëshkimit të Oliverës me të verdhën e dytë.
Ndërkohë, Paulo Dibala është një kampion, si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. Nëse në netët e acarit të fillimit të janarit çuditi duke dalë në rrugët e Torinos për të shpërndarë batanije dhe ndihma për të pastrehët, gjesti i tij dje ka qenë edhe më domethënës.
E gjithë Italia është tronditur nga ngjarja në Rigopiano, ku një ortek, i shkaktuar si pasojë e një tërmeti, shkatërroi një hotel duke shkaktuar me dhjetëra viktima. Fatmirësisht, mes gërmadhave u gjetën edhe disa të mbijetuar, mes të cilëve katër fëmijë të mitur.
Dy prej tyre, Edoardo di Karlo dhe Samuel di Mikelanxhelo, kanë bërë dje realitet një ëndërr që kishin prej kohësh. Një prej psikologëve që u qëndron pranë këtyre dy fëmijëve në repartin e pediatrisë ku janë të shtruar prej disa ditësh, u ka organizuar një videotelefonatë me futbollistin e Juventusit, i cili është munduar të argëtojë këta fëmijë. Lojtari tregoi gatishmërinë jo vetëm që të fliste përsëri me ta në të ardhmen, por edhe i ftoi në Torino në një nga ndeshjet e radhës të skuadrës bardhezi, sapo të marrin një “ok” nga mjekët.

Artikulli paraprakMessi, 40 milionë
Artikulli tjetërVenger thërret në “gjyq” Xhakën