Bylykbashi: Roshi automatikisht i shkarkuar, po e mban Rama në zyrë

Të shtunën në drekë “Shuplaka” publikoi informacionin e rëndësishëm se Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, i penalizuar nga Ligji i Dekriminalizimit, jo vetëm që nuk e kishte lënë detyrën, por shkonte përditë në zyrën e tij. Një lajm që nxiti reagimin e Partisë Demokratike, Bashës dhe Bylykbashit. Por sot, pas sqarimit të dinamikës së ngjarjeve nga Prokuroria, te KQZ-ja, pastaj te kryeministri Edi Rama, “Shuplaka” publikon një intervistë të detajuar me kreun e Komisionit të Dekriminalizimit, deputetin demokrat Bylykbashi, i cili shpjegon me imtësi versionin mbi shkeljet “tinëzare” siç ai i quan, të Kushtetutës dhe Ligjit të Dekriminalizimit nga kryeministri Edi Rama. Rama e ka shkarkuar Roshin për shkelje në detyrë, kur në fakt, sipas Bylykbashit duhej thjesht të njoftonte Presidentin Bujar Nishani dhe presidenti të caktonte datën e zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Kavajës. “Rama ka përdorur një artificë, me qëllim, për të fituar kohë, duke e shkarkuar”, shpjegon Bylykbashi.

-Zoti Bylykbashi, cili është konkluzioni juaj për shkarkimin e kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi? E keni quajtur veprim “tinëzar” të Edi Ramës…
Duhet theksuar se, me porosi të Ramës, mazhoranca e majtë ka vënë si bazë ligjore për shkarkimin e Roshit nenin 115 të Kushtetutës, i cili është neni që rregullon shkarkimin e kryetarëve apo shpërndarjen e Këshillit Bashkiak për shkelje të rëndë të ligjit. Pra, kur një kryetar bashkie bën një shkelje të rëndë që mund të jetë dhe e karakterit penal, por nuk është gjykuar ende penalisht, kryeministri ka të drejtë ta shkarkojë. Kjo është praktikë e konsoliduar. Dhe gjatë kësaj periudhe, brenda një afati prej 15 ditësh kryetari i shkarkuar ka të drejtën të ankohet në Gjykatë Kushtetuese, e cila konfirmon shkarkimin, ose e rrëzon, pra pranon ankimin e kryetarit të shkarkuar. Rasti më i fundit është Shukri Xhelili. Gjykata Kushtetuese konfirmoi shkarkimin, prandaj pati zgjedhje. Po kështu në raste të tjera, 2 ose 3 raste janë bërë në kohën e PD-së. Kjo dispozitë parashikon shkelje të rëndë të ligjit gjatë ushtrimit të funksionit. Rasti i Elvis Rroshit është dispozitë krejt tjetër. Ai ka kryer një krim dhe ka marrë dënimin penal. Pra, për mendimin tim, me porosi të Ramës anëtarët e KQZ-së e kanë futur qëllimisht në hullinë kushtetuese totalisht të gabuar. Sepse duke e referuar te 115-ta, kryeministri ka marrë një vendim për shkarkimin dhe tani i ka hapur rrugën e ankimit në Gjykatë Kushtetuese me logjikën që deri sa të vendosë Gjykata Kushtetuese për të pranuar shkarkimin apo jo, i shkarkuari mbetet në detyrë. Kjo është arsyeja pse Roshi rri sot në detyrë, kjo është vepër e qëllimshme e Ramës. Ndërkohë, kur u bë paketa e dekriminalizimit, përpara ligjit, u miratuan nenet e ndryshimit kushtetues për t’i dhënë bazën kushtetuese ligjit dhe pati një seri amendamentesh kushtetuese dhe në mes tyre është neni 179/1. Ai është nen tranzitor, i shtuar, i cili trajton në mënyrë specifike shkarkimin e zyrtarëve që janë në funksione në momentin, kur ligji i dekriminalizimit hyri në fuqi, pra edhe për Roshin. Nëse këta zyrtarë konstatohen në kushtet e ndalimit, sipas ligjit, humbasin mandatin. Pra, Elvis Roshi e ka humbur sipas nenit 179/1. Mbi bazën e kësaj është Kushtetuta që autorizon veçse konstatimin e faktit: Është i dënuar apo nuk është i dënuar. Nëse është i dënuar humbet mandatin! Dhe këtë e vendos Kushtetuta. Nuk është vendim KQZ-je. KQZ-ja vetëm konstaton faktin e ndodhur, dënimin dhe detyrimin kushtetues, shkarkimin. Pra nuk ka më rol kryeministri në këtë histori. Vendimi i Këshillit të Ministrave është nul dhe antikushtetues.

-Por Rama e ka shkarkuar Roshin, në fakt çfarë duhet të bënte brenda kornizave ligjore?
Pas vendimit të KQZ-së, pak më pas është një vendim i Këshillit të Ministrave që vendosi shkarkimin. Duhet të ishte vetëm kaq: Pra KQZ-ja mori vendim, e shkarkoi. Pikë! KQZ-ja njofton kryeministrin dhe kryeministri nuk duhet të bënte asnjë gjë tjetër, përveç se të njoftonte Presidentin për vakancën në Bashkinë e Kavajës.

-Pra, nuk duhet të merrte një vendim shkarkimi për Roshin?
Fare! Zero! E ka shkarkuar Kushtetuta atë. D.m.th vendimi sipas nenit 115 është diskrecion i kryeministrit për të gjykuar nëse kryetari ka bërë një shkelje të rëndë apo jo. Dhe thotë “Ka bërë shkelje” dhe vendimin e kryeministrit e censuron Gjykata: “Ke të drejtë, nuk ke të drejtë!”. Sepse kryetari i Bashkisë është i zgjedhur. Kurse në rastin konkret, ky është një i zgjedhur që humbet mandatin për shkak të Kushtetutës, sepse është dënuar për krim më parë.

-Ligjërisht, Roshi është në të drejtën e tij duke vazhduar të jetë në krye të detyrës?!
Jo, ligjërisht Roshi është i shkarkuar! Roshi është në shkelje të Kushtetutës në detyrë, shfrytëzon vendimin antikushtetues të kryeministrit për t’u ankuar në Gjykatë dhe të presë deri sa të marrë vendim Gjykata. Si rregull, Gjykata duhet të refuzojë kërkesën. Pra, jo ta rrëzojë, por ta refuzojë ta marrë në shqyrtim. Rama ka përdorur mazhorancën e KQZ-së që ta keqdrejtojë procesin dhe të zgjasë qëndrimin e Roshit në detyrë. Rama të përdorë bazë kushtetuese nenin 115, t’i japë mundësi Roshit të ankohet dhe derisa të merret vendimi ky të qëndrojë në detyrë, mundësisht deri në zgjedhjet parlamentare, sepse i duhet për të mbledhur vota. Ai vazhdon rri në detyrë dhe ju keni dhe prova të tjera për këtë. Kurse rruga e tij duhej të ishte shumë e shkurtër: KQZ konstatoi që është në kushtet e dekriminalizimit, sipas 179/1 Roshi humbet mandatin! Pikë! Sot Presidenti duhet të kishte thirrur zgjedhjet, duhet të kishte caktuar datën e zgjedhjeve! Nuk po them që ka përgjegjësi Presidenti, e gjithë kjo histori është e kryeministrit. Ai ka zgjedhur rrugën për ta çuar në Gjykatë, për t’i dhënë kohë. Ky do ta mbajë në detyrë nëpërmjet kësaj artifice antikushtetuese.

-Ju keni qenë në dijeni të kësaj që ka ndodhur? Partia Demokratike, Komisioni i Dekriminalizimit?
Komisioni i Dekriminalizimit e ka mbyllur punën.

-Kur jeni njohur me këtë që ka ndodhur se ky është një fakt i rëndë dhe hedh krejtësisht poshtë gjithë përpjekjet për Ligjin e Dekriminalizimit…
Ne presim Kryeministrin që të njoftojë Presidentin. Ndërkohë që ai ka bërë të kundërtën. Ka dhënë këtë vendim dhe i hapi rrugën Roshit për të shkuar në Gjykatë Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta marrë në shqyrtim ankimin për vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkim. Po arsyeja pse unë përdora termin “tinëzar” ishte pikërisht kjo: mbajtja në detyrë e Roshit. Kjo del e qartë tani, kur dhe një ministër i referohet atij si kryetar dhe ju keni zbuluar fakte të reja që ai ka ushtruar detyrën, atëherë do të thotë që këtu jemi përpara një veprimi të qëllimshëm, 115-ta është përdorur pikërisht që ky të ankohet dhe të qëndrojë në detyrë e të vazhdojë punën. Nuk mund të bëjë përjashtim Roshi, se nga 179/1 nuk mund të bëjë përjashtim as ministri, as deputeti, as Presidenti, as kryeministri, edhe as të zgjedhurit vendorë. Kushdo që është në detyrë dhe konstatohet në shkelje të ligjit të dekriminalizimit ikën! Pra, nuk bën diferencë: deputeti na u zëvendësoka, kryetari i Bashkisë rrika në detyrë?

-Çfarë mendoni se mund të ndodhë tani e tutje me Roshin?!
Unë parashikoj që kryeministri do ushtrojë presion te Gjykata Kushtetuese dhe këtë e kam thënë publikisht. Në bindjen time ai e bën. E thotë Manjani që “ushtron” presion, e kemi thënë ne përpara që ky ushtron presion te Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët. Dhe unë prezumoj që ai do vazhdojë këtë histori ta mbajë sa më gjatë.
Kush është efekti? Ligji i Dekriminalizimit i largon të dënuarit që janë sot në detyra në mënyrë që të krijojë frikën, pra frenimin për kandidatët e tjerë kriminelë që mos kandidojnë në 2017-ën. Nëse kjo vritet, pra nëse efekti frenues mbytet, ata do kandidojnë përsëri.

-Çfarë do bëni ju si opozitë tani e tutje për çështjen?
Ne do vazhdojmë presionin maksimal. Çështja është në axhendat më të larta të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve. D.m.th dekriminalizimi është kusht tani! Po nuk është më një kusht politik, nuk është më një marrëveshje e firmosur më 24 dhjetor 2014 po sot ka dhe një ligj për t’u zbatuar me detyrim për këta dhe vë në “offside” total kryeministrin me këtë veprim që bën, për më tepër që del dhe e tregon në sy të të gjithëve që ky jo vetëm është kryetar bashkie, por është edhe drejtues fushate.
Po kështu në Lezhë, e hoqi nga Parlamenti deputetin, e çoi drejtues partie në Lezhë. Pra është një qëllim i strukturuar i Ramës që të vrasë efektet e dekriminalizimit. Ne jo vetëm kërkojmë, jo vetëm do insistojmë, kjo është një kauzë politike tani, pra rihap një kauzë politike që në 18 shkurt e merr përgjigjen në shesh.

Valmora Gogo-SHUPLAKA

Artikulli paraprakMustafa: Qeveria po mban premtimin për zhvillim ekonomik
Artikulli tjetërPërgjigjet armiqësore ndaj Trump të papranueshme