Buskets rinovon me Barcelonën

Serxhi Buskets është një futbollist i Barcelonës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë ndoshta deri në fundin e karrierës së tij. Gjithçka konfirmohet nga akordi i ri që mesfushori 28-vjeçar katalanas ka firmosur sot me klubin në të cilin ka luajtur që nga dita e debutimit të tij si profesionist, në vitin 2008.
Marrëveshja aktuale parashikon që kontrata e tij e re me Barcelonën të përfundojë në vitin 2021, por ka një opsion për zgjatjen e saj edhe dy vite të tjera në varësi të numrit të ndeshjeve që do të luajë.
Duke parë se për lojtarin çdo vit ka një interes konkret nga klube me emër si Mançester Siti apo PSG që mund të shpenzojnë shifra të çmendura, Barcelona i ka vendosur atij një klauzolë largimi prej 200 milionë eurosh, si të yjeve të kësaj skuadre.
Sipas mediave spanjolle, edhe rroga e tij ka pësuar një ndryshim drastik, aq sa tani në klub janë vetëm Mesi e Neimar, që përfitojnë më shumë se mesfushori, i cili ka luajtur 391 ndeshje me katalanasit, duke fituar me ta 3 Liga Kampionesh, 6 La Liga, 4 Kupa Mbreti, 3 Botërorë Klubesh, 3 Superkupa Europe dhe 5 Superkupa Spanje.

Artikulli paraprakMesazhe tronditëse
Artikulli tjetërVilmots: Festova me shampanjë kur më pushoi Belgjika