Brazil: Nga diktaturat në demokraci

Ngjarjet historike e vendit karioka ndihmojnë që të kuptohen zhvillimet e përjetuara në 100 vitet e fundit: nga diktaturat e Vargas dhe e ushtarakëve tek ardhja e demokracisë më 1984 dhe fitoren e Jair Bolsonaro.

Nuk mund të flitet për Amerikën Latine pa folur për Brazilin dhe, megjithatë, ky i fundit nuk është vetëm një vend latin, por një komb atlantik i përshkruar për herë të parë nga Pero Vaz de Caminha, shkruesi i bordit i Pedro Alvarez Cabral, zbuluesit të tij. Më 1 prill të vitit 1500 flota portugeze hedh spirancën në një gji që lundërtarët e marrin për brigjet e një ishulli, aq të bukur për t’u menduar sa mund të bëhej fjalë për parajsën tokësore. «Ata e kanë lëkurën e errët, paksa në të bakërt», shkruan Caminha në letrën për mbretin Manueli i I, duke përshkruar banorët e vendit. “Të mirëformuar, ata dalin lakuriq, pa asnjë mbulesë dhe duket se i tregojnë pjesët e tyre intime sikur dë tregonin fytyrën e tyre. Në këtë aspekt ata kanë një naivitet të madh”.

Veçantia braziliane
Për rreth 30 vjet instalohet një bashkëjetesë paqësore midis vendasve dhe lundërtarëve, në shumicë portugezë. Të ardhurit e rinj blejnë drurin (pau brasil) – që jep një tis të bukur të kuq, e vlerësuar nga zonat e bukura e oborreve europiane – në shkëmbim të objekteve të bizhuterisë. Portugezët nuk kanë asgjë të përbashkët me conquistadores spanjollë, si Cortes apo Pizarro, të ardhur nga Spanja për të plaçkitur ar dhe argjend në Meksikë dhe Perù. Vend pak i populluar, Portugalia e kupton vetëm pas 30 vjetësh nga “zbulimi” i Brazilit, se duhet kolonizuar kjo tokë e pafundme për të shmangur që të mos bjerë në duart e francezëve. Në atë kohë Brazili është i ndarë në Capitanie, që formojnë një strukturë të brishtë fshatrash përgjatë bregut atlantik. Sipas rregullit në kolonizime, kolonët e parë janë «të padëshiruarit e mbretërisë», të burgosur të falur në këmbim të ekzilit të tyre. Verifikohet kështu një situatë që do t’i japë fund raportit paqësor midis europianëve dhe vendasve: këta të fundit do të nisin t’i konsiderojnë të ardhurit e rinj jo më si tregëtarë, por si pushtues.

Në një libër shumë interesant, Rrënjët e Brazilit, të Sergio Buarque de Hollanda, autori i shikon arësyet e veçantisë braziliane tek «shpirti i pandjeshëm» i portugezëve, në mungesën e «krenarisë racore» dhe të «shpirtit aventuresk» të tyre. “Qartazi ajo që portugezët vinin të kërkonin ishte pasuria, ama një pasuri që kërkonte guxim dhe jo punë në kuptimin e plotë të saj”. Dhe është kështu që Brazili, duke pasur parasysh se vendasit nuk qenë të prirur për punë të rënda, u bë një importues i madh i skllevërve afrikanë. Për tri shekuj me radhë, nga 3 në 5 milion afrikanë – statistikat rezultojnë pak të besueshme – kalojnë Atlantikun. Ata punojnë në plantacionet e kallamsheqerit të Pernambuco, më pas në minierat e Minas Gerais, ku u zbulua ar në vitin 1695. Më pas do të vijë bumi i kafesë, në fillimin e shekullit të XIX, në Rio de Janeiro dhe San Paolo, përpara se të shpallej më së fundi abrogimi i skllavërisë, më 13 maj 1888, datë e vonuar në panoramën botërore dhe që e bën Brazilin shtetin e fundit skllavërues të botës perëndimore. Fundi i skllavërisë është edhe ai i Perandorisë Braziliane. Sovrani i fundit, Dom Pedro i II, jo pa vështirësi kishte arritur ta bënte Brazilitn, e ushqyer nga forca të ndryshme centrifuge, një komb koherent, të populluar nga patriotë të mirë, që flisnin portugalishten. Fundi i perandorisë i hap rrugën një republike të brishtë dhe, sidomos, klienteliste.

Nga diktaturat në demokraci
Kohërat moderne hapen me një republikë në vështirësi të mëdha, e cila vitet ‘30 shpaloset në regjimin autoritar e Getulio Vargas. Në Estado Novo e tij dominojnë centralizmi i ushqyer me populizëm (reagim ndaj rrezikut gjithmonë të pranishëm të forcave centrifuge e të rrezikut komunist) dhe një organizimi social korporativ me reminishencë të vagullt fashiste (për më tepër në modë në atë kohë). Presidencializmi muskuloz dhe statalizmi thuajse fetar i viteve të Vargas do të ndikojnë ndjeshëm mbi zakonet dhe mendimet e brazilianëve. Pas vetëvrasjes së Vargas, në vitin 1955 vjen Juscelino Kubitchek de Oliveira, një njeri hokatar që duket se do të fillojë një epokë më të lumtur. Lind bossa nova dhe një kryeqytet i ri në zemër të vendit, Brasilia. Por presidenti është edhe një shtetar i vendosur që ndjek një industrializim me marsh të forcuar, duke harruar ndoshta thelbësoren: një reformë agrare në favor të fshatarëve të varfër.

Në një klimë prej Lufte të Ftohtë, e ushqyer nga revolucioni castrist në Kubë, forcat e armatosura përzënë më pas një president shumë të majtë, Joao Belchior Marques Goulart, dhe marrin në dorë pushtetin të përshëndetur nga turma: është 31 marsi i 1964. Diktatura ushtarake do të zgjasë 21 vjet dhe do të jetë me ushtarakët që vendi do të braktisë centralizmin dhe statalizmin. Nëpërmjet prerjes së parasë, junta në pushtet financon një rritje artificiale dhe i lë trashëgimi demokraacisë, e rikthyer në pushtet më 1985, një inflacion prej 221.7%, një borxh publik prej 102 miliard dollarësh, shumë vepra publike pjesërisht të pambaruara, si në Amazzonia, një numër të caktuar të mërguarisht dhe akuza për tortura dhe zhdukje (një fenomen padiskutim minimal dhe në shumë aspekte i ndryshëm – rreth 300 midis të vdekurve dhe të zhdukurve – në rast se krahasohet me vendet kufitare spanjishtfolëse). Duhet nënvizuar se Brazili, qysh nga themelimi i tij, ka vuajtur një borxh publik të konsiderueshëm, i shkaktuar prej borxheve të marra prej shumë vitesh nga portugezët me anglezët, të cilët i garantonin mbijetesën.

Pas tri vitesh demokraci, plagët e Brazilit modern konsolidohen nga një kushtetutë absurde, e miratuar më 1988. Ajjo paraqet një listë të pafundme interesash tëë veçanta për t’u mbrojtur, shenjtëron korporativizmin e epokës Vargas, sanksionon punësimin e përjetshëm e nëpunësve dhe karakterin publik e ndërmarrjeve kombëtare shtetërore. Së fundi, kushtetuta u jep shteteve federale një pjesë të madhe të resurseve kombëtare në dëm të qeverisë federale, kompetencat e tië cilës nuk ndryshojnë. Në këtë mënyrë kjo e fundit mban përgjegjësinë e sistemit të pensioneve të funksionarëve shtetërorë, kaq bujar sa që pensionet shpesh do t’i tejkalojnë rrogat në aktivitet. Përfundimisht, shteti federal shndërrohet në një makinë gjeneruese të borxhit publik.

Qysh tëhere, Brazili numëron vetëm tri tentativa për ta çliruar vendin nga kjo kushtetutë katastrofike: e para kryhet nga Fernando Alfonso Collor de Mello, e dyta nga Fernando Henrique Cardoso, e treta, që duket se ka filluar keq, nga Jair Messias Bolsonaro. Collor de Mello paraqitet në zgjedhjet presidenciale e 1989 si një Kennedy brazilian që të gjithë shpresojnë se mund ta çojë vendin në botën e parë. Përballë tij është sindikalisti Luis Inacio Lula da Silva, udhëheqësi i Partissë së Punëtorëve (PT), asociiohet me «komunizmin agonizues» pikërisht në momentin kur po bie Muri i Berlinit. Collor de Mello fiton me 53.04 % të votave. Qysh të nesërmen e betimit, më 16 mars 1990, ai urdhëron konfiskimin për 18 muaj e të gjitha llogarive korrente dhe të kursimit të privatëve, shuma e të cilave është më e madhe se 50000 novos cruzados, domethënë rreth 600000 dollarë amerikanë. 60 milion brazilianë goditen nga kjo masë në një popullsi prej 146 milion banorësh. Në praktikë, ngrihet dhe tërhiqet nga qarkullimi ekuivalenti i 80% të masës monetare. «Collor i ka hequr oksigjenin inflacionit», deklaron një ekonomist, një fenomen që kishte aarritur shifrën stratosferike prej 2737%.

Për Collor de Mello nuk bëhet fjalë për vjedhje – paratë do të rikthehen me interesat – por për një armë lufte ekonomike që kishte për qëllim reduktimin e dimensionit të sektorit publik, madhësinë e deficitit të tij dhe hapjen e vendit ndaj konkurrencës së huaj. Ai parashikonte një program destatalizimi që do të çonte në privatizimin e nja 60 ndërmarrjeve publike. Ne nuk do t’i mësojmë kurrë efektet e masës, pasi Collor de Mello, i akuzuar se kishte përvetësuar rreth 300 milion dollarë para publike, do të detyrohet të dorëhiqet në dhjetorin e 1992 për t’i shpëtuar një procedure për ta vënë nën akuzë. Itamar Augusto Cautiero Franco, djalosh i vjetër socialist, pason Collor de Mello. Në vitin 1993 emëron Fernando Henrique Cardoso, një sociolog socialdemokrat, si Ministër Financash. Ky i fundit e përmbledh programin e tij në këtë koncept: «Brazili ka tre probleme: inflacionin, inflacionin dhe inflacionin». Në dhjetorin e po këtij viti lançon “Piano Real”, që bazohet mbi kontrollin e masës monetare dhe kthimin e barazisë së bilancit. Cardoso paraqitet në zgjedhjet presidenciale e 3 tetorit 1994 dhe fiton qysh në raundin e parë me 54.3% të votave.

Plani i tij ka caktuar një monedhë të re – e quajtur real – dhe ka arritur ta ulë inflacionin nga 2492% i 1994 në 77.4% e 1995. Ky sukses e ndihmon politikisht Cardoso. Gjatë dy mandateve të tij inflacioni nuk do ta kalojë kurrë 10%. Përtej përmirësimit të koniukturës, presidenti dëshiron t’u jap fund monopoleve shtetërore dhe ta hapë vendin ndaj globalizimit. Lula e etiketon si «neoliberal». «Unë jam socialdemokrat, por gjithë bota e di mirë se tregu ka fituar përballë shtetit», i përgjigjet presidenti.

Ashtu si në kohën e Vargas, shteti mbetet agjenti i zhvillimit industrial. I pajisur me vullnetin e tij dhe një mazhorancë prej 75% në parlament, që i mundëson të amendojë kushtetutën, Cardoso merr programin e Collor de Mello. Shfrytëzimi i nafës privatizohet (por jo kompania shtetërore Petrobras), si edhe Compagnia del Rio Doce, gjigand i nxjerrjes së hekurit, dhe bashkë me të edhe Telebras, që mbante monopolin e telefonisë. Mandati i tij i dytë do të shënohet nga kriza, e cila trondit Meksikën më 1994, Azinë më 1997, Rusinë më 1998. Brazili tregohet si guri i radhës në këtë efekt domino të krizës: Cardoso tenton të rezistojë, por tregu e fiton ndeshjen dhe reali humbet 35% të vlerës së tij, përpara se të stabilizohej dhe duke bërë të lindë shpresa e një rigjallërimi. Fatkeqësisht, presidenti Cardoso nuk disponon më as mjetet, as afatet koherente me ambiciet e tij.

Brazili i ri, nga Lula tek Bolsonaro
Agora é Lula, «Tani i takon Lula» lexojnë sloganet e së majtës. Më 6 tetor 2002 Inacio «Lula» da Silva zgjidhet president, fakt që i vetëm shkakton një furtunë financiare. Por Lula, ai që mbështet «Brazilin e ri», paraqitet si një revolucionar i zbutur. Pohon se «nuk ka ndërmend të shtetëzojë sërish ndërmarrjet e privatizuara». 50 milion brazilianë janë të varfër dhe 30 milion prej tyre jetojnë në skamje. Kjo është urgjenca e vërtetë dhe Lula do t’u japë atyre subvencionime (në linjë me populizmin e Vargas), por do të realizojë pak investime jetëgjata në shëndetësi, në arësim apo në infrastruktura. Gjatë dy mandateve të tij, ndërsa rigjallërimi botëror luan në favor të Brazilit, në fakt Lula praktikon «politikën e vjetër» e klientelizmit e të korrupsionit, aq sa të arrestohet dhe të dënohet. Në disa aspekte Lula është një personazh karizmatik, që nga simbol i proletariatit është transformuar në një borgjez të pasur me një pasuri ndër më të majmet e Amerikës së Jugut.

Me Dilma Vana Rousseff, e cila pason Lula në 2010 për t’i vazhduar politikën, Brazili përballet me një koniukturë të re të disfavorshme ekonomike. E kontestuar dhe e rikonfirmuar, pasi ka fituar në balotazh në zgjedhjet e përgjithshme të 2014, Rousseff karakterizohet prej një presidence burim skandalesh dhe parregullsishë. Më 12 maj 2016, me 55 vota pro dhe 22 kundra, Senati sanksionon pezullimin e Rousseff nga posti i Presidentit (i parashikuar nga kushtetuta braziliane deri në 180 ditë). Funksionet merren nga zëvendësi i saj. Më 31 gusht 2016 Senati dekreton shkarkimin e Rousseff, të cilën e pason si president tranzicioni Michel Elias Temer Lulia. Së fundi, më 28 tetor 2018 zgjidhet presidenti aktual Jair Messias Bolsonaro me 55.13% të votave, që mishëron vullnetin e tretë e çbllokimit të Brazilit nga ngërçet kushtetuese të tij.

Bolsonaro bën të tijat tri prioritetet e brazilianëve: rikthimin në siguri, luftën kundër korrupsionit, çlirimin e ekonomisë. Votues të shumtë i jappin besimin këtij kapiteni rezervist, deputet federal nga 1991, që i kundërvihet së majtës dhe që rrethohet nga dy personazhe që mishlrojnë shpresën e një rinovimi të vërtetë: gjykatësi Sergio Fernando Moro, kampion i Operacionit Lava Jato, lidhur me Petrobras, dhe ekonomistin Paulo Roberto Nunes Guedes, Chicago boys i vjetër, i vendosur t’i japë ekonomisë një kthesë liberale. Ky i fundit i sjell Bolsonaro mbështetjen e biznesmenëve dhe të mjedisit të biznesit, duke zbutur në këtë mënyrë shqetësimet e ngjallura nga presidenti i ri me marrjen në stafin e tij e ushtarakëve të shumtë dhe me lavdërim et e tij për periudhën e diktaturës. Guedes merret me reformën e pensioneve, që zënë 45% të bilancit federal. Por Bolsonaro, i ushqyer nga iluzioni se fitorja e tij elektorale e çliron nga lidhja e aleancave për ta forcuar mazhorancën, shumë shpejt transformohet në një frenues për reformat që vetë ai do të dojë të paraqesë. Ngre pikëpyetje lidhur me drejtësinë, përplaset me presidentët e Dhomës e të Senatit, thelbësorë në avancimin e axhendës presidenciale. Reformat e Guedes – fiskalitet, nëpunës publikë, shpenzime publike – janë në pelena dhe popullariteti i presidentit fillon të bjerë.

Dukshëm i izoluar, i influencuar nga evangjelistët dhe nga disa grupe të së djathtës ekstreme, njëlloj si ai amerikan, presidenti e mohon fillimisht rëndësinë e koronavirusit, duke provokuar dorëheqjet e dy ministrave të Shëndetësisë në më pak se një muaj. Veç kësaj, duke sulmuar policinë federale që hedh dyshime korrupsioni për dy djemtë e tij, Bolsonaro kontribuon në përshpejtimin e dorëheqjes së Sergio Moro, që transformohet menjëherë në një konkurrent të rrezikshëm dhe potencial për presidencialet e 2022. Ama, për hir të objektivitetit, duhet nënvizuar se popullariteti i këtij presidenti, pavarësisht se në rënie, mbetet gjithmonë i rëndësishëm dhe sidomos pastrtisht sipër kundërshtarëve potencialë të tij.
Faktikisht, një investigim demoskopik i kohëve të fundit ka treguar se presidenti Bolsonaro gëzon akoma 31% të mbështetjesh popullore dhe se kundërshtari historik i tij, Lula, mezi arrin 17%, ndërsa ministri Moro, që për shumë dukej si konkurrenti më i rrezikshëm i tij, po demonstrohet një dështim i vërtetë, duke marrë vetëm pak më shumë se 10% të konsensusit. Në perspektivë, mbi bazën e gjendjes aktuale, duket tejet e pamundur që ky president, për shumë aspekte i paparashikueshëm, do mund ta fusë Brazilin në rrugën e një ekonomie të liberalizuar, kusht themelor për të ardhmen e vendit dhe për një shoqëri paqësore e të begatë.
(nga Storica)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakKush është Vladimir Putin?
Artikulli tjetërKiE rrëzon masakrën elektorale të Ramës: Terrori i bandave ndaj qytetarëve madje edhe ndaj një Ambasadori