“Bota nuk mundet që vetëm të shikojë”, UNICEF jep alarmin: Fëmijët në Gaza kërcënohen nga kequshqyerja dhe sëmundjet

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët ( UNICEF ) paralajmëroi të premten se pas gati tre muajsh lufte në Rripin e Gazës, kequshqyerja dhe sëmundjet kërcënojnë më shumë se 1.1 milionë fëmijë. Mësohet se 1.1 milionë fëmijë dhe adoleshentë në enklavën palestineze nuk marrin lëndët ushqyese që u nevojiten, sipas një sondazhi të UNICEF-it të kryer në fund të dhjetorit. “Fëmijët në Rripin e Gazës përballen me një kërcënim vdekjeprurës të trefishtë për jetën e tyre pasi shpërthimet e sëmundjeve rriten, disponueshmëria e ushqimit bie dhe përshkallëzimi i armiqësive i afrohet javës së katërmbëdhjetë”, tha agjencia e OKB-së për fëmijë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës mbush nesër tre muaj nga nisja e saj. Të paktën 22,600 njerëz janë vrarë në enklavën palestineze, shumica dërrmuese e tyre gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit, në pushtet në Rripin e Gazës që nga viti 2007. “Fëmijët në Rripin e Gazës janë të bllokuar në një makth që po përkeqësohet çdo ditë që kalon”, komentoi Kathryn Russell, drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it.

Rastet e diarresë tek fëmijët nën 5 vjeç u rritën nga 48,000 në 71,000 në vetëm një javë, nga 17 dhjetori. Sipas agjencisë së OKB-së për fëmijë, është e pamundur që familjet e zhvendosura me fëmijë të mbajnë nivelet e nevojshme të higjienës për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, pasi uji i pijshëm dhe shërbimet higjienike janë ndërprerë 24 orë pas nisjes së konfliktit. “E ardhmja e mijëra fëmijëve në Rripin e Gazës varet në balancë. Bota nuk mund që vetëm të shikojë. Dhuna dhe vuajtja e fëmijëve duhet të ndalet”, theksoi Russell.

Artikulli paraprakIshte martuar me një nga vajzat më të bukura të Tiranës, historia e të burgosurit të Spaçit! Letra nga fëmijët 1 javë para lirimit
Artikulli tjetër“Alarm i fortë për ndërhyrjeje të menjëhershme!”- Avokati i Popullit reagon për vetëvrasjen e 41-vjeçares: Fyerjet dhe bullizmi nuk mund të tolerohen!