Bonuçi më i miri në botë

Performancat e shkëlqyera që ka bërë këtë vit me Juventusin dhe me kombëtaren italiane e kanë shndërruar në një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Ose më qartë: Leonardo Bonuçi është më i miri në botë! Këtë gjë e thotë gazeta britanike “Telegraph”, e cila ka renditur 25 mbrojtësit më të mirë në botë dhe numri 19 i Juventusit është i pari. Pas tij vijnë 2 futbollistë të kampionatit spanjoll, Marselo dhe Diego Godin i Atletikos së Madridit. Surpriza më e madhe në këtë listë është Filip Lahm, i cili renditet i katërti duke parakaluar edhe shumë lojtarë të tjerë.
Veterani i Bajernit vazhdon të jetë konstant me ndeshjet e tij edhe pse ky është viti i fundit që do të luajë futboll. Lahm lë pas Pikenë, Dani Alveshin dhe shokët e tij të skuadrës, Boateng dhe Humels. Interesant është fakti që në këtë listë gjendet e gjithë prapavija e Bajernit, sepse pjesë e saj është edhe Alaba. Sergio Ramos dhe Tiago Silva kanë humbur terren, sepse renditen në vendin e nëntë dhe të dhjetë.
“L’Equipe” kandidon Bufon për “Topin e Artë”. Bufon kundër Zidane, por mbi të gjitha Bufon kundër Ronaldos. Kjo pasi në Kardif është në lojë jo vetëm trofeu i Champions, por edhe një copëz e mirë e “Topit të Artë”. Tanimë, mes portugezit dhe trofeut të “France Football”, është pikërisht portieri i bardhezinjve, sfidanti i vetëm në lartësinë e duhur. Dueli që pritet është intrigues për të përditshmen franceze “L’Equipe”, që kujton finalen e Botërorit 2006, kur Bufon hipnotizoi Zidane në aktin e fundit të francezit si futbollist. 11 vjet më pas kanë shansin që të gjenden sërish përballë në një finale, por italiani në fushë, ndërsa Zizou në stol.
“L’Equipe” hedh në treg edhe një ide intriguese, atë që Bufon më 2006 iu mohua “Topi i Artë” vetëm sepse ishte nën hetim për baste të paligjshme. Një njollë që më pas iu hoq, por që e çoi trofeun në duart e Fabio Canavaros.
Gjithsesi për “L’Equipe”, ky mund të jetë viti i duhur për Bufon, një ndër portierët më të mirë që ka njohur futbolli dhe që kurrë nuk e ka fituar më parë Championsin. Nuk është kurrë vonë, edhe sepse siç kujton e përditshmja franceze nuk varet gjithçka nga italiani, varet shumë edhe nga ajo që do të bëjë Ronaldo.

Artikulli paraprakDrejt Champions!
Artikulli tjetërUnited me sytë nga finalja