Bojkot Parlamentit për vendimin e Byrosë

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dënuar me ashpërsi dje përjashtimin e ish-Kryeministrit Berisha nga punimet e Parlamentit për një afat 10 ditor. Pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat, në një prononcim për mediat, Basha tha se dënimi i Berishës erdhi si shenjë hakmarrjeje e Ramës në mbështetje të Shullazit. Ndaj këtij vendimi absurd të Kuvendit, Basha tha se PD ka vendosur bojkot të plotë dhe të gjithanshëm të gjithë aktivitetit parlamentar gjatë kësaj jave.
“Në shenjë proteste ndaj një vendimi të padrejtë, të pambështetur dhe të paargumentuar në ligj dhe në rregullore, Grupi parlamentar vendosi bojkot të plotë dhe të gjithanshëm të gjithë aktivitetit parlamentar gjatë kësaj jave. Një vendim që u mor si hakmarrje e Edi Ramës për denoncimin e aferës së Shullazit, megaskandalit të shtetit ‘Rama-Shullazi’ me shpresën se përmes një vendimi të tillë do të sfumojë dhe debatin publik, i cili po rritet nga dita në ditë, po zmadhohet, po forcohet mbi shtetin e Edi Ramës që rezulton të jetë shteti i Emiljano Shullazit. Shteti i banditit dhe banditëve, ku çdo zyrë duke filluar nga zyra kryeministrore, zyra e ministrit të Brendshëm dhe zyra të tjera të shtetit, hipotekat, doganat, policia janë në dispozicion të banditëve. Të banditëve që sot terrorizojnë jo vetëm biznesin, qytetarët, por kanë guximin të diktojnë vendimet politike për të marrë pasuritë e shqiptarëve, për të grabitur pasuritë e shqiptarëve e për të mos u përgjigjur para ligjit dhe për t’i shpëtuar ligjit dhe ndjekjes penale”, tha Basha.
Basha bëri të ditur se nga njëra anë PD do të vazhdojë të inkurajojë “hetimin e kësaj çështjeje, prokurorët me integritet, të cilët përkundër gjithë shanseve në këto dy vite e gjysmë për një hetim të pavarur të krimit të organizuar me lidhje qeveritare kanë shënuar një pikë kthese me arrestimin e Emiljano Shullazit dhe disa prej anëtarëve të bandës së tij”.
Por nga ana tjetër, vijoi Basha, po ndjekim dhe do të ndjekim me vëmendje të madhe bashkë me qytetarët tanë, bashkë me partnerët ndërkombëtarë çdo hap që qeveria e Edi Ramës dhe Edi Rama personalisht po hedhin për t’i dhënë gajret bandës.
“Siç është dënimi i Sali Berishës pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë argument apo qëndrimi i pafalshëm i Edi Ramës të premten ku në një logore të gjatë e të zvarritur, me zë të dridhur u mundua të bëj avokatinë e Emiljano Shullazit dhe bandës së tij.
Është pozicionuar qartë kjo qeveri, ka vendosur të jetë deri në fund avokate e Emiljano Shullazit. Frytet e para të kësaj avokatie janë kërcënimi i disa prej dëshmitarëve me shpresën se ata do të tërhiqen nga një proces, i cili i përfunduar me sukses do të shohë para drejtësisë jo vetëm Emiljanon, por edhe emiljanot e tjerë në qeveri”, tha kryetari i PD.
Ai theksoi se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka në rrugë institucionale e politike dhe në bashkëpunim me qytetarët shqiptarë dhe me faktorin ndërkombëtar që kjo të mos ndodhë dhe e kundërta të ndodhë.
“Që kjo pikë kthese të shndërrohet në aktin e parë të Reformës në Drejtësi, të hedhë poshtë çdo logore, çdo përbaltje dhe të nxjerrë përpara shqiptarëve hapur se përse për dy vite e gjysmë Edi Rama e vonoi Reformën në Drejtësi. Pikërisht që të mos ndodhte kjo që ka ndodhur dhe se si ai po përpiqet me të gjitha forcat dhe mënyrat, jo vetëm të devijojë diskursin publik nga ky skandal që ka nxjerrë zbuluar shtetin e Edi Ramës, shtetin e Shullazit, shtetin e krimit dhe korrupsionit, por po kështu të shpëtojë bandat dhe banditët me të njëjtat mënyra dhe forma siç ka vepruar për të shpëtuar zyrtarët e tij të korruptuar.
Siç ka vepruar për të shpëtuar po këta në rastet e konfrontimit me armë në qendër të Tiranës apo anembanë Shqipërisë. Siç ka bërë dhe siç bën për të mbrojtur rrethin e tij të ngushtë të oligarkëve dhe kriminelëve me të cilët keqqeveris Shqipërinë prej tre vitesh tashmë dhe tek të cilët ka vënë bastin për të mbajtur me çdo kusht pushtetin e tij të inkriminuar dhe të korruptuar.
Bast, i cili është vënë përballë gjithë shqiptarëve të ndershëm demokratë dhe socialistë, jo vetëm para opozitës, është vënë edhe para Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është Edi Rama. Emiljano Shullazi është faqja tjetër e medaljes së qeverisjes së Edi Ramës. Opozita e ka thënë këtë, e ka argumentuar, ka luftuar dhe sot është më e vendosur se kurrë ta çojë këtë betejë deri në fund, deri në fitore se fund tjetër nuk mund të ketë për vendin, bashkë me qytetarët shqiptarë, bashkë me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Basha.

A.Shahini

Artikulli paraprak91.6 milionë dollarë shpenzime luksi më 2015
Artikulli tjetër“Puka e Migjenit dhe Puka migjeniane”