“Biznesi i vdekjes” me vendim qeverie

Shkrimi i mëposhtëm është një investigim i bërë në shkurtin e vitit 2017 nga “Investigim.al” dhe Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi. Dy vjet më parë jepej alarmi për kompaninë “Euroteam sh.p.k”, e cila në vend që të asgjësonte mbetjet spitalore i hidhte ato në lumin Osum, i cili gjatë rrugës përzihej me lumin Devoll për t’u bashkuar në fund me detin Adriatik, aty ku shqiptarët e lumtur nga të gjitha trevat dhe madje edhe ata që vijnë nga emigracioni kalojnë pushimet për të marrë bashkë me rrezet e diellit edhe sëmundjet që injektohen nga masakra ekologjike që ndodh nën sytë e shtetit dhe e mbrojtur nga pushteti për hir të interesave korruptive. Çfarë ka ndodhur në këto dy vite? Asgjë. Kompania në fjalë ka vijuar të derdhë mbetjet spitalore jo vetëm në lumin Osum, por tani është kapur nga një emision investigativ si “Stop”, duke i derdhur në ujërat e lumit Erzen. Dhe si të mos mjaftonte kjo, administratorja rreh dhe godet gazetarin që zbuloi skandalin. Dhe ndërsa gazetari rrihet, ujërat e lumenjve helmohen dhe shqiptarët vdesin gjithnjë dhe më shumë nga sëmundjet tumoriale, askush nuk reagon. Prokuroria është në një gjumë letargjik, qeveria është e korruptuar deri në palcë, ndërsa vota që duhet të ishte shpresë e vetme për të ndryshuar përmes politikës në realitet është varr.

Investigimi

Mbetjet spitalore në vendin tonë vijojnë të jenë një nga problemet më shqetësuese. Kompanitë, të cilat janë të kontraktuara me Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe të licencuara nga Ministria e Mjedisit nuk i trajtojnë mbetjet spitalore ashtu siç e kërkon ligji ynë shqiptar. Por edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, ku ne jemi pjesë e saj, ngre shqetësimin për mbetjet spitalore, madje ofron edhe miliona euro fonde për trajtimin e tyre. Në Shqipëri prodhohen 2 mijë tonë mbetje spitalore në vit, por vetëm një sasi e vogël asgjësohet. Licencë për trajtimin e mbetjeve spitalore kanë vetëm tri kompani: “Medi-tel”, “Ilirjan & Kadeli” dhe “Euroteam”, ndërkohë që në Shqipëri janë 2500 prodhues të mbetjeve spitalore.
Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi denoncon një nga këto kompani, e cila rezulton “fantazmë” dhe është e kontraktuar nga spitali shtetëror i Beratit, si dhe 2 spitale private në Tiranë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore. Bëhet fjalë për kompaninë “Euroteam sh.p.k”, ku “investigim.al” hulumtoi për të kërkuar një bazë të dhënash për mënyrën e regjistrimit, aktivitetin e saj, si dhe për marrëveshjet që ajo ka me institucionet shëndetësore. Kjo kompani rezulton të ketë ndërruar brenda 14 muajsh mbi 10 herë adresën në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Por kjo kompani, e cila para se të ndërronte sërish adresën është lokalizuar nga “Investigim.al” dhe gazetarët kanë mundur të hyjnë deri në ambientet e brendshme të saj.
Nga pamja e jashtme, magazina e cila ndodhet pranë zonës së Kasharit në kryeqytet dhe e marrë me qira nga “Euroteam sh.p.k” duket sikur i plotëson kapacitetet, pavarësisht se vendndodhja e saj është në një zonë të banuar.
Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi u infiltrua në brendësi të magazinës për të parë nëse kjo kompani ushtronte aktivitetin për trajtimin e mbetjeve spitalore. Por në brendësi të magazinës ishte vetëm një incenerator i vjetëruar që nuk funksiononte, ndërsa pjesa tjetër ishte pa asnjë pajisje që nevojitet për realizimin e procesit të asgjësimit të mbetjeve spitalore. Ky fakt u vërtetua edhe nga pronari i magazinës, i cili u shpreh se ky ambient është marrë me qira nga shtetësja Mirela Topulli (administratore e “Euroteam sh.p.k”) dhe se për asnjë ditë të vetme nuk ishte paraqitur në magazinë. “Investigim.al” vë në dispozicion foto të ambientit të brendshëm të magazinës ku pretendohet se aty asgjësohen mbetjet spitalore.
Kompania “Euroteam sh.p.k”, e cila operon në Tiranë dhe sipas Agjencisë së Prokurimeve ka lidhur kontratë për trajtimin e mbetjeve spitalore me Spitalin e Beratit ka në dispozicion vetëm një makinë të tipit “Peugeot Partner” me targa AA 390 FK. Pikëpyetja e madhe qëndron në faktin se si kjo kompani transporton gjithë mbetjet spitalore nga qyteti i Beratit për t’i sjellë në Tiranë. Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi në fakt zbuloi se kompania në fjalë nuk e bën një gjë të tillë. Kompania “Euroteam sh.p.k” në mënyrë abuzive pasi i ngarkon mbetjet spitalore nga Spitali i Beratit i derdh më pas në lumin e Osumit, i cili bashkohet me lumin Devoll dhe përfundon më pas në detin Adriatik. “Investigim.al” disponon foto të marra nga lumi Osum ku shihen mbetjet spitalore të përziera me mbetjet urbane dhe të hedhura në argjinaturë.
Hedhja e mbetjeve spitalore në lumin Osum nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga banorët e Beratit. “Shteti nuk merr masa për këtë situatë të krijuar. Kur ka shira të rrëmbyeshëm uji del nga shtrati dhe bashkë me to edhe mbeturinat. Mes mbeturinave kemi parë edhe pajisje spitalore si shiringa, kuti serumi apo edhe fasha”, shprehet një prej banorëve të qytetit të Beratit. Ky fenomen skandaloz për shëndetin e njerëzve sjell pasoja të paparashikueshme deri në përhapje të sëmundjeve epidemike. Organizata Botërore e Shëndetësisë ofron miliona euro për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka gjithashtu një buxhet prej 8 milionë dollarësh në vit vetëm për trajtimin e mbetjeve spitalore nga kompani të kontraktuara. Por “Euroteam sh.p.k” nuk ka kapacitete për ta bërë një gjë të tillë, pasi i mungojnë mjetet e transportit drejt Tiranës, si dhe impianti për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore.
Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi disponon gjithashtu një vendim të Ministrisë së Mjedisit për të pezulluar aktivitetin e kompanisë “Euroteam sh.p.k” për shkak të shkeljes së kushteve të lejes mjedisore. Lidhur me disa shkelje të kushteve të lejes mjedisore shoqëria “Euroteam sh.p.k” është dënuar me gjobë dhe i është pezulluar aktiviteti nga ana e Inspektoratit të Mjedisit. Me urdhrin nr.288, datë 4.02.2014 të ministrit të Mjedisit, shoqërisë i është pezulluar leja mjedisore dhe konform ligjit u njoftua subjekti dhe Qendra Kombëtare e Mjedisit.
Por pezullimi i lejes për ushtrimin e aktivitetit të “Euroteam sh.p.k” zgjat vetëm 3 muaj, pasi kompania merr sërish të drejtën për të asgjësuar mbetjet e rrezikshme spitalore, pavarësisht se nuk disponon sot e kësaj dite një impiant për ta bërë një gjë të tillë. Ministria e Mjedisit sqaron urdhrin e nxjerrë prej këtij dikasteri për t’i hequr kompanisë masën e pezullimit të ushtrimit të aktivitetit. “Me plotësimin e detyrave të lëna, të konstatuara nga inspektimi mjedisor, pas kërkesës së bërë dhe dokumentacionit të paraqitur nga ana e shoqërisë ‘Euroteam sh.p.k’, në zbatim të ligjit inspektorati prezantoi mbarimin e pezullimit të aktivitetit dhe dhënien e lejes mjedisore, i cili u miratua nga ministri i Mjedisit me urdhrin nr. 288/1, datë 22.04.2014”, sqaron Ministria e Mjedisit.
Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi gjithashtu verifikoi faktin se kompania “fantazmë” sot e kësaj dite vijon të ketë lidhur kontratë me Spitalin e Beratit, si dhe me dy spitale private në Tiranë. “Investigim.al” disponon pagesën e muajit dhjetor të bërë për “Euroteam sh.p.k” nga Spitali i Beratit për shërbimin e asgjësimit të mbetjeve spitalore, por që në fakt ato hidhen në lumin Osum.
Por çfarë rreziku kemi ne si qytetarë nga mbetjet spitalore, të cilat hidhen në mënyrë të papërgjegjshme në lumenj dhe përfundojnë në det. “Kryesisht më të rrezikshmet nga këto mbetje janë aget, gërshërët, shiringat, lamat, mbetjet prej qelqi ku mbillen mikroorganizmat, kulturat e ndryshme. Çdo gjë që është e rrezikshme dhe manipulohet nga personeli shkakton shumë sëmundje në organizëm. Më kryesoret janë hepatitet, pothuajse të tre hepatitet A, B, C pse jo dhe AIDS mund të shkaktohet nga mbetjet spitalore, infeksione të lëkurës, infeksione të syve, infeksione gjenitale, infeksione respiratore, melingite e një sërë sëmundjesh të tjera që ndikojnë te banorët në qoftë se këto nuk trajtohen në mënyrë korrekte dhe shkencore”, shprehet shef i Departamentit të Shëndetit dhe Mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik, Arben Luzati.
Më shumë se 1 mijë ton mbetje të rrezikshme spitalore hidhen në ambiente të hapura dhe shqiptarët bashkëjetojnë me rrezikun e sëmundjeve infektive dhe kancerogjene. Në Shqipëri, çdo vit mbi 4 mijë persona diagnostikohen me tumor dhe mijëra të tjerë preken nga sëmundjet infektive të shkaktuara edhe nga mbetjet spitalore.

“Investigim.al”

Në kulmin e sezonit turistik, mbetjet spitalore përfundojnë në det duke rrezikuar pushuesit

Skandali me hedhjen e mbetjeve spitalore të rrezikshme në lumë, të cilat prej andej përfundojnë në det ndodh në një kohë kur sezoni turistik është në pikun e tij. Ndotja e detit me këto mbetje të rrezikshme kancerogjene përbën një kërcënim serioz për shëndetin e pushuesve për shkak të sëmundjeve vdekjeprurëse që shkaktojnë ato. Një ndër shkaqet kryesore të dyfishimit të sëmundjeve vdekjeprurëse në Shqipëri, konsiderohen mbetjet e rrezikshme. Një ndër kompanitë, që fiton miliona euro me biznesin e trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” rezulton se konsumon rregullisht krim mjedisor. Një investigim i emisionit “Stop” tregon sesi mbahen mbetjet e rrezikshme në kushtet e një magazine të pushtuar nga flakët. Më pas, një kamion ngarkohet me to dhe ngarkesa përfundon në brigjet e lumit Erzen në Picallë të Tiranës. Mbrëmjen e së hënës në emisionin “Stop” në Televizionin “Klan” janë transmetuar pamjet e rënda të dhunës që administratorja e kompanisë për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” Mirela Topulli ka ushtruar ndaj gazetarit Genci Angjellari. Pas investigimit të rrugës që bënin mbetjet e rrezikshme spitalore dhe derdhjes së tyre në brigjet e lumit Erzen, Inspektorati i Mjedisit, grupi i policisë dhe OPGJ shkuan në vendngjarje për hetimin e skandalit. Por edhe pas njoftimit të autoriteteve, mbetjet e rrezikshme “u zhdukën” gradualisht nga vendi, ku u hodhën javën e kaluar. Gazetari i “Stop” kërkoi shpjegim për krimin mjedisor edhe nga aksionerja dhe administratorja e firmës “Euroteam”, Mirela Topulli. Por kjo e fundit, e gjendur përballë provave të pakundërshtueshme të skandalit, ushtroi dhunë mbi gazetarin Genci Angjellari. Kompani fantazmë të kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë, licencuar nga Ministria e Mjedisit operojnë në tregun shqiptar për sa i përket sterilizimit dhe riciklimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore. Shqipëria prodhon deri në 2 mijë tonë mbetje spitalore në vit, por sa është kapaciteti i mundur nga këto kompani për të bërë punën ashtu siç parashikohet edhe në lejet që u jepen nga Ministria e Mjedisit. Në bazë të të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili shpeshherë jep alarmin për ndotjen mjedisore, por edhe për shëndetin, këto kompani nuk zbatojnë rregullat dhe vetëm një sasi e vogël e mbetjeve spitalore të rrezikshme arrijnë të asgjësohen sipas normave. Në vitin 2014, shoqëria private “Euroteam” është pezulluar me urdhër të ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, si dhe i është vendosur gjobë nga Inspektorati i Mjedisit. Sipas dokumentit, “Euroteam” nuk zbatoi lejen mjedisore të dhënë nga Ministria e Mjedisit. “Euroteam” është licencuar në vitin 2013 për të trajtuar mbetjet e rrezikshme spitalore të Spitalit të Beratit dhe të disa spitaleve private në kryeqytet. Në bazë të investigimeve, në ambientet e kësaj kompanie nuk ekziston asnjë pajisje për të bërë dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore. “Euroteam” në vitin 2015 u gjobit me 10 milionë lekë të vjetra, por vetëm pas tre muajsh, Ministria e Mjedisit shfuqizon pezullimin e lejes që iu bë, duke i lënë detyrë të përmbushë të gjitha kushtet në bazë të kontratës. “Euroteam” vazhdon të lidhë kontrata për tërheqjen e mbetjeve të rrezikshme spitalore me institucionet shëndetësore dhe nuk u përgjigjet këtyre subjekteve për tërheqjen e këtyre mbetjeve. Kjo kompani nuk përballon dot volumin e punës për tërheqjen e mbetjeve spitalore, thuhet në raportin e Inspektoratit Shëndetësor. “Euroteam” ushtron veprimtari të paligjshme për grumbullimin e mbetjeve spitalore të rrezikshme, thotë Inspektorati Shtetëror Shëndetësor më tej. Këto mbetje kthehen në rrezik për qytetarët shqiptarë, pasi ato përfundojnë në detin Adriatik, duke rrezikuar prekjen nga hepatitet, infeksionet dhe shumë sëmundje të tjera. Zyrtarisht, as Ministria e Mjedisit dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk pranojnë të japin shpjegime për situatën e mbetjeve spitalore. Emisioni “Stop” ndoqi kamionët e kompanisë “Euroteam” me mbetje të rrezikshme, që në mënyrë të papërgjegjshme hidhen në brigjet e Lumit Erzen. “Nga fshati Fortuz, ku ndodhet edhe kompania e riciklimit të mbetjeve spitalore ‘Euroteam’, ne kemi ndjekur kamionët, të cilët janë furnizuar me mbetje spitalore. Ne kemi arritur të zbulojmë se këto mbetje spitalore hidhen fare pranë bregut të Lumit Erzen, në një kantier. Të gjitha ato mbetjet me ngjyrë bojëqielli janë mbetje spitalore të sjella nga kamionët që punojnë për kompaninë ‘Euroteam’”, tha gazetari Genci Angjellari, i cili edhe u dhunua fizikisht nga administratorja e kompanisë për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” Mirela Topulli.
Instituti i Mjedisit dhe Pyjeve pushon dy inspektorë
Pas denoncimit të bërë publik në emisionin investigativ “STOP” dy ditë më parë, ku firma e kontraktuar për të bërë dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, i kishte hedhur ato në mënyrë abuzive duke rrezikuar jo vetëm mjedisin, por edhe jetën e qytetarëve, ka reaguar edhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve. Kreu i këtij institucioni, Ergys Agasi, mësohet se ka hequr nga detyra ditën e djeshme Dashamir Koltrakën me detyrë inspektor i sektorit Kavajë, në sektorin e Policisë Pyjore pranë ISHMP-së, Dega Rajonale Tiranë si edhe Ilmi Hoxha me detyrë inspektor i sektorit Tiranë në sektorin e Policisë Pyjore pranë ISHMP-së, Dega Rajonale Tiranë. Sipas informacionit të dhënë, pushimi i tyre nga puna është bërë për shkak të mospërmbyshjes së detyrave të marra përsipër.

“Euroteam” mori 300 mijë dollarë tendera nga qeveria

Kompania “Euroteam”, emër që u bë i njohur pasi administratorja e firmës dhunoi gazetarin e emisionit “Stop” për investigimin që po bënte, në lidhje me mbetjet e rrezikshme spitalore në brigjet e lumit Erzen, rezulton fituese e shumë kontratave publike gjatë tri viteve të fundit. Tenderat e marrë nga kompania i përkasin periudhës nga shkurti i vitit 2014 deri në qershor të këtij viti. Sipas dokumenteve, në total janë 29 kontrata që “Euroteam” nga marrë nga institucionet shëndetësore publike për evadimin dhe trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore duke përfituar një vlerë prej 32.3 milionë lekë ose gati 300 mijë dollarë amerikanë. Pjesa dërrmuese e këtyre kontratave ose 18 të tilla janë dhënë me negocim të drejtpërdrejtë. Dokumentet tregojnë se kompania ka fituar miliona lekë nga paratë e taksapaguesve për të pastruar mbetjet e rrezikshme spitalore. Por dy ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi një investigim ku faktohej se mbetjet e rrezikshme spitalore derdheshin në brigjet e lumit Erzen. Inspektorati i Mjedisit, grupi i policisë dhe OPGJ shkuan në vendngjarje për hetimin e skandalit. Por edhe pas njoftimit të autoriteteve, mbetjet e rrezikshme “u zhdukën” gradualisht nga vendi, ku u hodhën javën e kaluar. Gazetari i “Stop” kërkoi shpjegim për krimin mjedisor edhe nga aksionerja dhe administratorja e firmës “Euroteam”, Mirela Topulli. Por kjo e fundit, e gjendur përballë provave të pakundërshtueshme të skandalit, ushtroi dhunë mbi gazetarin Genci Angjellari.

Monstra shpallet në kërkim

Mirela Topulli, gruaja që dhunoi fizikisht duke kërcënuar gazetarin e emisionit investigativ “Stop” në Televizionin “Klan”, Genci Angjellari është shpallur në kërkim nga policia. Administratorja e “Euroteam”, reagoi brutalisht, pasi gazetari zbuloi se kompania që ajo drejtonte në lumin Erzen derdhte mbetje të rrezikshme spitalore. Kur gazetari kërkoi shpjegime, Topulli nis menjëherë kërcënimet përpara kamerës, siç duket edhe në pamjet e transmetuara nga emisioni “Stop”. Sulmi ndaj gazetarit ndodh ndërkohë që një person tjetër, që ishte në makinë me 42–vjeçaren Mirela Topulli, mban në dorë një levë. Mbi administratoren e “Euroteam” rëndojnë akuzat e goditjes dhe fyerjes për shkak të detyrës, e shpërndarjes së mbetjeve kimike të rrezikshme dhe e ndotjes së ambientit. Goditja për shkak të detyrës parashikon dënim nga gjobë deri në 3 vjet burg, ndërsa mbajtja dhe transportimi i substancave kimike dënohet nga 3 deri në 10 vjet burg. “Euroteam” është licencuar në vitin 2013 për të trajtuar mbetjet e rrezikshme spitalore të Spitalit të Beratit dhe të disa spitaleve private në kryeqytet. Investigimi i emisionit “Stop” zbuloi se në ambientet e kësaj kompanie nuk ekziston asnjë pajisje për të bërë dezinfektimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore.

Si shpërtheu në histerizëm dhe dhunë fizike pronarja e mbetjeve kancerogjene

Pronarja e “Euroteam”, Mirela Topulli ka shpërthyer në histerizëm ekstrem teksa gazetari investigativ përpiqej të zbardhte se ku përfundonin mbetjet e rrezikshme spitalore, që kompania e saj ishte e detyruar të asgjësonte. Në emisionin “Stop” në Televizionin “Klan” janë transmetuar pamjet e rënda të dhunës që administratorja e kompanisë për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” Mirela Topulli ka ushtruar ndaj gazetarit Genci Angjellari.
Gazetari: Përshëndetje, ju jeni pronarja e kësaj fabrike?
Mirela Topulli: Nuk kam komente.
Gazetari: Pse, po këto mbetjet që janë djegur, ku i hidhni?
Mirela Topulli: Ju, kush jeni ju?
Gazetari: Jam nga Televizioni “Klan”, nga emisioni “Stop”.
Mirela Topulli: Gëzohem. Qofsh me shëndet!
Gazetari: A mund të na japësh informacion se ku i hidhni këto mbetje?
Mirela Topulli: Ka mundësi të largohesh pak nga makina?
Gazetari: Për çfarë arsyeje? Mund të na thuash se ku i hidhni këto mbetje zonjë?
Mirela Topulli: Zotëri mund të largohesh pak nga makina?
Gazetari: Po nuk mund të largohem se kjo është një ndotje shumë e madhe mjedisore që ndodh.
Mirela Topulli: Çfarë di për ndotjen mjedisore?
Gazetari: Unë çfarë di?
Mirela Topulli: Hë?
Gazetari: Do të shkojmë bashkë tani të tregoj unë se ku i keni hedh mbetjet?
Gazetari: Do na ndjekësh nga mbrapa?
Mirela Topulli: Do vij unë…
Gazetari: Hajde… Ktheje makinën…
Mirela Topulli: Ju jeni bajga e shoqërisë shqiptare…
Gazetari: Bajgat i ke hedh atje.
Mirela Topulli: Unë hedh atje?
Gazetari: Kush i hodhi?
Mirela Topulli: Ta tregoj unë se kush i hodhi.
(Mirela Topulli nis të godasë me grushta në fytyrë gazetarin)
Gazetari: I ke me të filmuara të gjitha, të gjitha. Ja shikoje! Shiko çfarë bën, shikoje!
Mirela Topulli: E di ç’të bëj unë ty? E di ç’të bëj unë ty more qen.
(Mirela Topulli vijon të godasë në fytyrë me grushta gazetarin ndërsa shqyen bluzën)
Gazetari: Bravo! Shiko çfarë bën… kjo që do më denonconte në Prokurori. Bravo!

Artikulli paraprakKush është ky rebel politik?
Artikulli tjetërOSBE/ODHIR rrëzojnë në Bruksel zgjedhjet