Berisha po i vë gazbardhistët para provës finale, a do bëhen me herë të tretë…berishistë?!

Sali Berisha njoftoj këtë të premte mbledhjen e Këshillit Kombëtarë të Rithemelimit, në datë 2 dhjetor. Refuzoi ta mblidhte pas humbjes katastrofike të 14 majit por po e bën tani që dhëndrin e ka në burg, kurse vetë është i akuzuar nga SPAK për korrupsion.

Në njoftimin për mbledhjen e këtij Kuvendi të jashtëzakonshëm ilegal, pasi nuk është i regjistruar në gjykatë, thuhet se pika kryesore do të jetë votëbesimi i Berishës si kryetarë. Thonë që është i PD, por edhe vetë janë të qartë se bëhet fjalë për një rrethrrotullim pasi që kur u krijuan, sa herë janë bërë zgjedhje, kanë qenë të detyruar të strehoen në siglën e partisë së Ilir Metës me vetëm 4 deputetë, por që të paktën është formacion politikë legal.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe: Situata e jashtëzakonshme penale dhe pasurore për familjen Berisha, patjetër që kërkon edhe një Kuvend të Jashtëzakonshëm anti drejtësisë.

Ky kuvend dihet që tani si do shkojë, nëse masa e Gjykatës së Posaçme ndaj të akuzuarit mbetet siç është. Sali Berisha e nis fjalimin kundër regjimit Rama dhe e mbyll me sulme, akuza dhe intimidime ndaj SPAK dhe GJKKO.

Pastaj kuvendarët do të votëbesojnë me shumicë absolute si kryetar të tyre Sali Berishën dhe do ikin në shtëpi duke folur me vete: Ku ishim, (dy vite më parë), prapë aty jemi në mos më keq!

Por për hirë të së vërtetës ky Kuvend për të rikonfirmuar Berishën kryetar të Rithemelimit, (Të PD dhe opozitës, do vazhdojnë të thonë bipolarët politikë), nuk është edhe aq kot. E ka një rëndësi të tipit, “ndahet shapi nga sheqeri”.

Dhe kjo është shërbimi i tij si provë zjarri e finale, për Gazment Bardhin me shokë e shoqe deputetë.

Këta në fakt e kanë bërë një “Këshill” të vetin në 27 korrik, me 245 këshilltarë sipas tyre, po që edhe sot e kësaj dite nuk i dimë se kush janë. Në këtë kuvend sekret online që duhet ta ketë zili edhe Lozha e Madhe masone, i vetmi vendim i rëndësishëm ishte “pranimi” i dorëheqjes së Lulzim Bashës nga kryetar i PD. E kanë çuar edhe në gjykatë, por kanë “harruar” të vendosin një kryetar të ri, pasi nuk njohin Bashën të zgjedhur me një anëtar një votë, por edhe nuk u mban ta thonë hapur, se kryetar për ata është Berisha.

Kështu gabardhistët, deri më tani kanë bërë qejf duke notuar në ujra të turbullta. Bardhi mbledh grup parlamentarë me Berishën dhe të tjerë që i ka përjashtuar edhe vetë kur ishte antiberishist i egër, por ende nuk e ka njohur formalisht Berishën si kryetar të “PD-së” së tij.

Berisha nga ana e tij i ka lënë deri tani të bëjnë si “parimorë” për çështjen e kryetarit, por sot që ka hall burgjesh dhe pasurie, ka vendosur që kjo farsë të marë fund në 2 dhjetorë. Gazbardhistët pavarësisht se nuk janë në forumet e Rithemelimit, meqenëse sot janë unifikuar me berishistët si “grup parlamentarë” që mblidhet dhe merr vendime, automatikish kanë të drejtë që të kooptohen në Kuvendin e Berishës. Këtu fillon loja, prova ku i ka vendosur më në fund Berisha.

Nëse nuk marrin pjesë në Kuvendin e rikonfirmimit të Berishës si kryetarë, atëherë automatikisht shkrihet edhe “grupi parlamentarë” i përbashkët që kanë krijuar pas 14 majit. Bardhi mund të mbajë grupin e tij por nëse injorojnë Berishën duke i bojktuar Kuvendin, atëherë dihet historia: Kush nuk është me Berishën shpallet tradhëtarë dhe ata e kanë provuar këtë dy vite më parë, kur u pozicionuan kah aleatit strategjike të PD, SHBA, dhe jo pas Foltores anti nongrata dhe anti Basha.

Në fakt ky variant, ka shumë pak gjasa të ndodhë. Berisha ndaj po e mbledh Kuvendin, që të detyrojë edhe gazbardhistët që të dalin nga ujrat e turbullta, ku i ka lënë deri tani që të notojnë sikur kanë hallin e demokratëve dhe rrëzimin e Edi Ramës. Por pas zhvillimeve penale të forta ndaj tij dhe familjes, nuk ka më “as mish as peshk”.

I lejonte të thoshin deri tani, që “mes Berishës dhe Bashës zgjedhim Berishën, por mes SHBA dhe Berishës zgjedhim të parën”. Berisha tashmë nuk e ka më në hesap as vulën, as kryetrllëkun parlametarë të Bardhit, as fatin e mandatit në 2025 të ndjekësve të tij dhe madje, as nongratat ndaj tij.

Ai ka hall burgu dhe të pasurisë së familjes, e cila po i shkrihet para syve. Aktualisht Berisha ka në mendje vetëm kauza si: “Klubi Partizani”, ” Biznesi i Gërdecit”, “CEZ”, “Parku energjitik i Porto Romano”, SPAK, Gjykatë e Posaçme. Ndaj ai është në të drejtën e tij të mbijetesës fizike dhe pasurore, që gazbardhistët të bëhen më në fund burra si Flamur Noka me shok e shoqe dhe të dalin hapur. Nuk ka ka më, “mes Bashës dhe Berishës zgjedhim këtë të dytit”, por kë zgjedhin mes Drejtësisë dhe Berishës!

Le të mendohen se kanë afat deri më 2 dhjetorë, kur mblidhet Kuvendi për rikonfirmimin e Berishës si kryetarë i “bashkimit” tashmë. Në fund të fundit, le ta marrin lehtë: Kur punuan nën rogoz kundër PD dhe për hesap të fuqizimit të Berishës për zgjedhjet e 14 majit, me herë të parë nuk u bënë…berishistë.

Edhe herën e dytë kur e futën Berishën në “grupin parlamentarë të PD”, kur tentuan ta ulin në tryezën e vendimmarrjeve madhore politike të vendit duke “emëruar” zëvendësin e tij Bylykbashin bashkë-kryetarë të Reformës Zgjedhore dhe tani që po bëjnë kamikazin e tij në parlament kur atij sapo i ka nisur kalvari në SPAK, sërish thanë: Nuk bëhesh me herë të dytë…berishist!

Tani të shohim në 2 dhjetorë. Kanë 12 ditë kohë që të mendohen dhe të pyesin poshtë e përpjetë: Po me herë të tretë, a bëhesh?!/Alfapress.al

Artikulli paraprakKush është Arbnor Muçolli, risia në listën e Sylvinhos
Artikulli tjetërEurostat: Spanjollët janë më jetëgjatët në Europë, bullgarët jetojnë më pak