Berisha: Një arritje në procesin e dekusarizimit

Ish kryeministri Berisha e ka cilësuar dje heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës si një arritje për procesin e dekusarizimit të Parlamentit. Përmes një prononcimi për mediat, Berisha dënoi ashpër mosveprimin e ligjit, ku nga njëra anë ndërtimeve pa leje të Kokëdhimës në bregdet i hapet rruga ndërsa qytetarët e thjeshtë edhe për një shtesë të vogël pa leje arrestohen e futen në burg. Berisha solli në vëmendje rastin tragjik të dy ditëve më parë, ku dy fëmijë të vegjel humbën jetën në një aksident automobilistik me makinën e nënës së tyre rrugës duke shkuar për të takuar babin e tyre që ndodhej në burg pikërisht për ndërtimin e një shtese e pa leje. Me këtë rast, Berisha shprehu edhe ngushëllimet ndaj  familjarëve të dy viktimave.
“Sot, në ditën e Europës, uroj shqiptarët të realizojnë sa më shpejt anëtarësimin e tyre të plotë në Bashkimin Europian. Sot në këtë ditë, një lajm i rëndësishëm ka ngrohur zemrat e mbarë shqiptarëve, Gjykata Kushtetuese i dha një goditje të merituar bashkëkryekusarit të shtetit, sivlla Kokëdhima, dhe kjo përbën një arritje të vërtetë në procesin e dekusarizimit të shtetit shqiptar, të parlamentit shqiptar.  Kur mendon se dje dy vogëlushë, të nisur me të ëmën, për të takuar në burg, në qeli, të atin e tyre që mbahej brenda se kishte bërë një shtesë ndërtimi në një kohë kur ky kryekusar ndërton sarajet buzë uji në Qeparo duke shkelur 10 ligje, nuk ka sesi të mos ndjehesh i lënduar deri në palcë. Megjithë këtë dua ti shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta të atit për dy ëngjëjt e humbur dhe dënoj me përçmim dhe neveri të madhe këtë klikë kusarësh që nuk njeh ligj, nuk njeh normë, nuk njeh moral përveç pasurimit të tyre” u shpreh Berisha.

Artikulli paraprak“Vuloset” deflacioni, rritja e çmimeve stopon edhe në prill
Artikulli tjetërBasha: Triumf i ligjit dhe drejtësisë