Berisha-Cutillo: Vendi rrezikon destabilizimin

Ish-Kryeministri Berisha iu përgjigj dje interesit të ambasadorit italian Alberto Cuttilo për situatën aktuale në vend. Në këtë kuadër, Berisha theksoi se sot vendi ndodhet në një situatë të vështirë dhe të rrezikshme, e cila mund ta çojë atë drejt destabilizimit. Ai theksoi se një opozitë, kudo në botë, ka si mision kryesor: zgjedhjet. Lidhur me këtë, Berisha nënvizoi se, cilidoqë dëshiron të vlerësojë objektivisht shkaqet themelore të protestës së opozitës, është i lutur t’i hedhë një sy raportit të OSBE/ODIHR të zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Ai theksoi se në këtë raport, me fakte të pakontestueshme, denoncohet ndërhyrja e fuqishme në rezultatin e zgjedhjeve, e drogës dhe parave të saj, krimit dhe presionit të tij, blerjes masive të votës, angazhimit të administratës shtetërore në procesin elektoral, kontrolli i mediave dhe pabarazia mes palëve në çdo aspekt. Ai vlerësoi me keqardhje se, sot, pas dy viteve, secili prej këtyre faktorëve, jo që nuk është zgjidhur apo përmirësuar, por është përkeqësuar, së paku 4-5 herë. Berisha theksoi se këtë vit, Shqipëria u mbulua nga droga në çdo skaj të saj, sepse kjo ishte një politikë qeveritare e pashpallur e Edi Ramës për qëllime elektorale. Për zbatimin e kësaj politike, Berisha theksoi se drejtues kryesorë të PS, bënë fushatë për legalizimin e kanabisit, kurse vetë kryeministri, në takime politike me fermerë në Këlcyrë e gjetkë, pyeste fermerët nëse kishin mbjellë kanabis, duke shprehur mbështetje për mbjelljen e saj, ndërsa deputetët, qeveritarët vendorë dhe drejtuesit e policisë, u bënë kudo aksionerë në mbjelljen, ruajtjen dhe trafikimin e drogës. Berisha ngriti shqetësimin se, sot, opozita përballet me malin e drogës dhe paratë e këtij mali që u krijuan më së pari, për qëllime elektorale. Ai e njohu ambasadorin me faktin se në Peshkopi në zgjedhjet vendore, pronarëve të parcelave u jepeshin listat e familjeve dhe farefisit të larguar vite më parë nga fshati, me detyrimin që ata të vinin nga Tirana, Durrësi apo kudo banonin, të votonin për PS, në rast të kundërt, ata arrestoheshin se kishin mbjellë kanabis dhe plantacioni u shkatërrohej. Berisha theksoi se përveç të gjitha këtyre, statistikat zyrtare të Policisë së Shtetit, e cituar edhe nga raporti i Departamentit të Shtetit, thotë se, Policia e Shtetit ka korrur këtë vit 2.5 milionë rrënjë kanabis, të cilat në peshë nën mesatare, përbëjnë 10 mijë tonë kanabis. Ai u shpreh se në Shqipëri, ka ligje shumë të rrepta për procedurën e shkatërrimit me prokuror dhe procesverbal të drogës dhe se nga 10 mijë tonë të korrur, nuk ekzistojnë dokumente zyrtare as dhe vetëm për një ton të asgjësuar. Ato nuk ekzistojnë, sepse droga nuk është asgjësuar, por ka mbushur tunelet, depot e ushtrisë, policisë dhe rezervave shtetërore dhe eksportohet çdo natë nga policia dhe trafikantët në drejtim të Italisë, Greqisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës. Sipas informacioneve, theksoi ai, vetëm nga Vlora, nisen çdo natë 3-5 skafe të mëdha, kurse nga Bregu dhe Saranda, Balili nis çdo natë skafe dhe anije, kryesisht drejt Greqisë dhe të mbyturit në det, në këtë trafik, janë me dhjetëra, por policia e fsheh këtë statistikë. Kjo është një tjetër arsye se pse opozita kërkon qeveri teknike, u shpreh Berisha. Ai theksoi se, përkundrejt Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës që dinë të bëjnë drogë, qeveria teknike që kërkon opozita do të tregojë zero tolerancë ndaj drogës, do të vendosë me urgjencë moratoriumin për skafet, industrinë e mafies dhe të vdekjes dhe do të shkatërrojë mijëra e mijëra ton drogë të fshehur. Berisha e njohu ambasadorin Cuttilo me faktin se sot, pas dy vitesh nga zgjedhjet lokale, pushteti i bandave dhe krimit, është pesëfishuar. Rama nxori nga burgu Lul Berishën, “Hakmarrjen për Drejtësi”, po riorganizon bandën e Aldo Bares, Shullazi është më i fuqishëm në burg, sot, se asnjëherë më parë. Ndaj në vlerësimin e tij qeveria teknike duhet për të prerë me urgjencë lidhjet e këtyre bandave me pushtetin dhe për t’i vendosur ata prapa hekurave. Berisha i shprehu ambasadorit Cuttilo mirënjohjen për ndihmën e dhënë nga Italia në të gjitha proceset demokratike dhe integruese të vendit, si dhe falënderimet për mbështetjen e vlefshme të treguar në raport me kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Vetëm qeveria teknike është garanci për zgjedhje të lira

Dy vite më parë, në zgjedhjet vendore, u përdorën burime të shumta financiare dhe njerëzore të administratës shtetërore për qëllime elektorale, kurse sot, tha ish-Kryeministri Berisha, çdo punonjës administrate si dhe çdo ushtarak, polic, punonjës i Gardës apo i qeverisë vendore, pra mbi 150 mijë vetë, janë shpallur patronazhistë dhe si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit, janë shndërruar në trupën elektorale të PS. Berisha theksoi se opozita kërkon qeverinë teknike, e cila të garantojë me rreptësi zbatimin e ligjit për institucionet e depolitizuara të shtetit dhe administratës publike dhe që i vendosin palët në pozita të barabarta në raport me burimet njerëzore të shtetit. Ai shprehu keqardhjen se sot qeveria ka vendosur në kontroll të plotë, si kurrë më parë, të gjitha mediat kombëtare të vendit, duke theksuar se një situatë e tillë për opozitën nuk ka ekzistuar, as në vitin 1991, ku qeveria aktuale, në fushën e mediave, kontrollon ato dhe çdo institucion mbikëqyrës. Ndaj, në vlerësimin e tij vetëm një qeveri teknike mund të garantojë zbatimin e drejtë të ligjit elektoral për mediat. Së fundi, ish-Kryeministri Berisha theksoi dhe një herë se opozita sot, si kurrë më parë, ndodhet para një mali me narkoeuro, me të cilat qeveria aktuale është e vendosur që të blejë votat dhe u shpreh se, vetëm një qeveri teknike mund të garantojë zbatimin e rreptë të ligjit dhe bllokimin e përdorimit të narkoeurove për blerjen e votave. Interesit të ambasadorit Cuttilo për reformën në drejtësi, Berisha iu përgjigj se opozita është thellësisht e interesuar të japë kontributin e vet në këtë reformë, por, Edi Rama, grisi marrëveshjen e 21 korrikut, sipas të cilës, nenet kushtetuese, ligjet e lidhura me to dhe reforma elektorale do të votoheshin me konsensus. Ai theksoi se pasi dështoi platforma Soros për t’i dhënë me Kushtetutë, drejtësinë në dorë Ramës, atëherë kjo u realizua me 7 ligjet e tjera, duke shkelur marrëveshjen dhe përjashtuar opozitën. Prandaj opozita kërkon qeveri teknike dhe rikthimin e konsensusit për ligjet e reformës në drejtësi dhe reformës zgjedhore, por Rama ka vendosur të fusë në xhep drejtësinë e vendit, u shpreh ish-Kryeministri Berisha.

Artikulli paraprakLigji amerikan i refuzon vizën hetuesit të torturave ministër
Artikulli tjetërRrezikojnë Botërorin