Benzema te Interi?

Karim Benzema te Interi në rast largimi të Mauro Icardit. Është ky lajmi i bujshëm që raportojnë mediat italiane dhe më konkretisht gazeta “Corriero Dello Sport”. Për momentin, ngjason më shumë me diçka të pamundur sesa me një operacion merkatoje, por sipas të përditshmes në fjalë presidenti i zikaltërve Eric Thohir për të kënaqur tifozët e Interit me një goditje në stilin Moratti në merkato po mendon seriozisht për sulmuesin francez të Realit të Madridit. 28-vjeçari me shumë gjasa do të largohet nga Los Blancos verën e ardhshme, pasi Reali ka planifikuar të bëjë një revolucion të vërtetë në skuadër, dhe Interi mund të ishte një opsion i mirë për të vijuar karrierën. Por sa kushton aktualisht Karim Benzema dhe a ka realisht financa klubi nga Milano për të bërë të mundur transferimin e tij në stadiumin “Giusseppe Meazza”.
Një sulmues që ka shënuar 24 gola në 26 ndeshje mes La Ligas dhe Championsit mund të vlejë nga 50 deri në 60 milionë euro, megjithatë duke parë problematikat që ka patur ish-lojtari i Lyonit jashtë fushës së blertë, drejtuesit e Los Blancos mund të bëjnë një skonto dhe ta shesin atë për jo më shumë se 40 milionë euro. Shifër të cilën Interi mund ta arkëtojë nga largimi i Mauro Icardit që pëlqehet nga Manchester United, Atletico Madrid e Paris Saint Germain. Objektivi i parë i drejtuesve të Interit për sulmin është bomberi polak i Ajaxit, Arkadiuz Milik, tek i cili mund të arrihet shumë më lehtë se te Benzema, megjithatë nuk është çudi që të jetë francezi goditja e madhe e klubit zikaltër në merkaton e ardhshme.
Ndërkohë, Interi është hedhur në sulm edhe për sulmuesin e Lacios, Antonio Candreva. Sulmuesi i Lazios po zhvillon një tjetër sezon pozitiv, çka ka bërë që presidenti i Interit, Eric Thohir të planifikojë blerjen e tij në merkaton e verës. Lojtari bardhekaltër ka shprehur dëshirën për të nisur një aventurë të re larg Lazios dhe presidenti Claudio Lotito synon t’ia plotësojë dëshirën, por me kushtin e një oferte joshëse për klubin roman.
Sipas “Corriere Dello Sport”, paraqitjet e javëve të fundit nga ana e sulmuesit e kanë bindur Interin të vihet në lëvizje për të marrë miratimin e Lazios dhe lojtarit. Zikaltërit nuk arritën ta finalizonin blerjen e lojtarit italian në merkaton e dimrit, pasi Lazio kërkoi plot 28 milionë euro për kartonin e tij. Gjithsesi, kohët kanë kaluar dhe klubi bardhekaltër mendon të pranojë një ofertë jo më të ulët se 22 milionë euro, kjo për shkak edhe të moshës së lojtarit, i cili ka mbushur 29 vjeç. Në krahun tjetër, Thohir ka shprehur gadishmërinë për të paguar shumën e kërkuar nga Lotito, por më parë duhet të shesë një emër të madh për të mbushur arkën. “Corriere Dello Sport” thekson se, pagesa do të bëhet në dy këste për të ulur sa më shumë shpenzimet vjetore, pasi Interi është në telashe me UEFA-n për fair play financiar.

Artikulli paraprakUEFA befason Shqipërinë, kontrolle antidoping 10 lojtarëve
Artikulli tjetërNishani: Kapja politike po minon Reformën në Drejtësi