Bastardët po mbledhin kartat

Ministria e Financave, bazuar në informacione të shumta, konstaton me shqetësim se disa drejtues apo punonjës të drejtorive rajonale të tatimeve dhe degëve doganore, po ushtrojnë presion të hapur ndaj punonjësve të administratës fiskale. Këta zyrtarë të papërgjegjshëm u kërkojnë vartësve të tyre të deklarojnë subjektin politik për të cilin do të votojnë, ndërkohë që në disa raste i kanë detyruar edhe të dorëzojnë kartat e identitetit për vete dhe familjarët e tyre.
Veprime të tilla janë të papranueshme dhe në shkelje të hapur të ligjit.
Ministria e Financave u bën thirrje drejtuesve të degëve doganore dhe atyre tatimore të ndalojnë menjëherë presionet dhe shantazhet ndaj administratës në varësi përndryshe do të përballen me sanksionet më të rënda që parashikon ligji.
Ministria e Financave kërkon vëmendjen e strukturave ligjzbatuese për parandalimin dhe paralizimin e këtij fenomeni, pasi vota e çdo qytetari duhet të jetë e lirë dhe e garantuar.

Zgjedhjet po prishen

Denoncimi i Ministrisë së Financave për presionet dhe mbledhjen e kartave të identitetit ndaj administratës në tatime dhe dogana nuk është i vetmi në këto ditë të fushatës. Në arsim dhe në të gjitha institucionet e tjera janë evidentuar tashmë raste të shumta të angazhimit të titullarëve të institucioneve në fushatë. Megjithëse rastet janë denoncuar nga ministrat teknikë të opozitës dhe janë marrë masa për pezullimin e tyre nga puna apo për shkarkime, pothuajse në shumë raste këto vendime janë anuluar me urdhër direkt të Ramës. Kështu ka ndodhur me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, kështu ka ndodhur me drejtoreshën e DAR në Vlorë, e cila është në krye të fushatës së Ramës, si dhe me shumë zyrtarë të tjerë në të gjitha nivelet e administratës. Ndërsa kemi hyrë në 8 ditët e fundit të fushatës, Rama dhe banda e tij në pushtet ka ndezur të gjitha motorët e intimidimit të administratës dhe blerjes me çdo kusht të zgjedhjeve. Duke qenë se edhe koha është e shkurtër për reagim, Rama duket se do ta shfrytëzojë këtë javë vendimtare për procesin elektoral për të prishur zgjedhjet.
Informacionet janë se Rama do ta shkelë marrëveshjen për zgjedhjet me opozitën dhe se të gjitha bateritë janë tani për manipulimin dhe blerjen e votave. Gjatë këtyre tri viteve të fundit sa herë ka pasur procese zgjedhore javët e fundit ka qenë edhe java më dominante në blerjen e votave. Kështu ka ndodhur në zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Korçës, kështu ndodhi në zgjedhjet për pushtetin lokal dhe rasti më flagrant ku u përsërit ky skenar i manipulimit të zgjedhjeve me të gjitha bateritë në javën e fundit ka qenë në zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës. Duket se e njëjta strategji po ndiqet edhe në këto zgjedhje parlamentare. Tre javët e para të fushatës kanë qenë relativisht më të qeta dhe me më pak incidente. Kjo duket se është një skemë e pushtetit për të krijuar një opinion që Rama po e pompon thuajse në të gjitha takimet elektorale, sikur fushata është e qetë. Është e vërtetë se deri tani ka qenë më e qetë, por kjo qetësi po prishet gjatë ditëve të fundit, ku e gjitha administrata është kthyer në gjah për blerjen e votave. Java e fundit e fushatës duket se po e hedh në erë të gjithë procesin zgjedhor.

Përballje me ligjin kush cenon zgjedhjet

Task Forca për monitorimin dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të çojë përballë ligjit këdo që përpiqet të cenojë procesin apo ta minojë. Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e drejtueses së Task Forcës ka lëshuar një deklaratë ku sqaron rolin e kësaj njësie në procesin zgjedhor. Prej dy javësh, Task Forca ka referuar me dhjetëra raste ku punonjës të administratës publike e veçanërisht punonjës në poste të lartë drejtues janë shkarkuar nga detyra për shkak të përfshirjes së tyre në fushatë elektorale, ndërsa masa të tjera janë marrë në çdo rast ku është konstatuar cenimi i procesit zgjedhor.

Ministria e Arsimit: emrat, 6 zyrtarë presion mbi nxënësit

Ministria e Arsimit dhe Sportit që drejtohet nga ministrja teknike Mirela Karabina denoncon raste të tjera të përfshirjes së zyrtarëve të arsimit dhe mësuesve në fushatë. Përveç kësaj, MAS e cila publikon dhe 6 emra thotë se ata kanë ushtruar presion tek nxënësit dhe mësuesit. Në njoftimin e ministrisë, që drejtohet nga ministrja teknike, Mirela Karabina, thuhet: “Ministria e Arsimit dhe Sportit në respektim të të drejtave kushtetuese dhe në vijim të deklaratave zyrtare të Departamentit të Administratës Publike mbetet e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet ligjore të përcaktuara për mbarëvajtjen e procesit mësimor, si dhe të drejtat e nëpunësve civilë përgjatë fushatës zgjedhore duke respektuar rregullat e sjelljes dhe të veprimtarisë brenda afateve kohorë të përcaktuar për të gjithë nëpunësit dhe drejtuesit. Mbi bazën e informacioneve të raportuara, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka konstatuar përfshirjen e disa drejtuesve e punonjësve arsimorë në fushatën elektorale, duke ushtruar presion në forma të ndryshme tek nxënësit dhe mësuesit dhe është duke bërë verifikimet e duhura mbi bazën e përcaktimeve ligjore, për personat e poshtëshënuar: Gëzim Dema, drejtor shkolle në Iballë, Fushë Arrëz; Fadil Cenia, drejtor shkolle, Gramsh; Artur Malbuqaj, mësues Iballë, Fushë-Arrëz; Kristi Dhori, sekretare pranë gjimnazit, Ersekë; Shpëtim Meta, mësues Iballë, Fushë Arrëz; Luljeta Braçe Katundi, mësuese, Maliq. Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë monitorimin e të gjithë institucioneve për të garantuar respektimin e të drejtave politike të nëpunësve civilë, si dhe zbatimin e përpiktë të përcaktimeve ligjore”.

Alarmi i OSBE: Po bëhet presion mbi administratën

Misioni i OSBE/ODIHR shprehet i shqetësuar për presionin që po ushtrohet ndaj administratës në lidhje me zgjedhjet e 25 qershorit. Konstatimi vjen nga shefi i misionit të ODIHR, ai që do të vejë notën për zgjedhjet e 25 qershorit, Peter Tejler. Në një intervistë për “Report TV”, shefi i ODIHR, Tejler tha se: “Kemi informata për presione në administratë”. Tejler pohon gjithashtu se ka informacione se nga partitë po ushtrohet presion mbi administratën. Por vërtetësinë e tyre do ta verifikojnë. “Siç e dini edhe ju, ne kemi një numër të caktuar vëzhgues afatgjatë të angazhuar në vend. Ne po e ndjekim situatën edhe prej këndej. Kemi informata për presione të ndryshme. Dimë që ka institucione që po i ndjekin me kujdes këto pretendime qofshin të drejta apo të gabuara. Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një panoramë të plotë përpara se të bëjmë një vlerësim. Ky është proces i vazhdueshëm. Ka institucione shtetërore që po merren me këtë çështje. Gjithashtu ka mënyra të tjera për njerëzit që duan të adresojnë këtë çështje apo të dorëzojnë ankesat e tyre. Ne po i ndjekim këto nga afër”. Kush po e bën këtë presion? “Kush po bën presion? Ne jemi në fushatë, ndaj të folurit për këtë presion, nuk është në mandatin tonë. Ne duam të kuptojmë dhe të krijojmë një panoramë të plotë mbi çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është e vërtetë dhe sigurisht se si sistemi trajton këto pretendime, informacione dhe ankesa. Në ditën pas zgjedhjeve ne do të publikojmë një deklaratë për gjetjet paraprake së bashku me delegacionin parlamentar dhe këtë çështje mund ta trajtojmë atëherë. Është e rëndësishme të kuptohet se ne po ndjekim procesin dhe kjo është arsyeja përse ne ndodhemi në vend për një periudhë të gjatë. Ky proces po ndodh tani dhe ne po e ndjekim, si dhe shqyrtimin e ankesave”, u shpreh kreu i OSBE. ODIHR po monitoron çështjen e udhëtimeve falas për votuesit. I kujdesshëm me fjalët në mënyrë që asgjë nga ato që thotë të mos keqkuptohet si përkrahje ndaj ndonjë subjekti të caktuar politik, Tejler sqaron se ODIHR po monitoron dhe çështjen e ofrimit të udhëtimeve falas për emigrantët në këmbim të votave. “Ne kemi vënë re, nëpërmjet vëzhguesve afatgjatë që po bëhen oferta të tilla mbi transportin. Nuk i dimë rrethanat e plota. Ne po e ndjekim këtë situatë. Ka pretendime në media për këto oferta. Ne po e ndjekim me kujdes çështjen e ofertave për të krijuar një panoramë të plotë të asaj që po ndodh”. Misioni i OSBE do të sjellë në Shqipëri 300 vëzhgues afatshkurtër, 13 ekspertë dhe 26 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të publikojnë 3 raporte në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, tha Tejler.

Artikulli paraprakUlja e TVSH, 400 euro në vit për çdo familje
Artikulli tjetërGjobë 10 mijë euro se jemi kushërinjtë e Shullazit