Basha me investitorët italianë: Do kemi taksat më të ulëta në 26 vite

Programi ekonomik i Partisë Demokratike do të nxjerrë përfundimisht ekonominë shqiptare nga kriza dhe apatia duke e futur atë në rrugën e një zhvillimi të përshpejtuar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha organizoi dje një tryezë me investitorë italianë që gjenden në Shqipëri dhe të tjerë që erdhën enkas për këtë takim, ku të pranishëm ishin dhe dy senatorët Paolo Romani dhe Mario Mauro. Basha u bëri të ditur rreth 100 investitorëve italianë, nga çdo sektor i ekonomisë, se qeverisja e Partisë Demokratike do të krijojë të gjitha kushtet për rritjen e prezencës së tyre në vendin tonë, do të krijojë kushtet për përfitime të dyanshme, të investitorëve dhe shqiptarëve, me krijimin e vendeve të reja të punës. “Është një takim i jashtëzakonshëm sepse ndodh në kushtet kur nga Shqipëria janë larguar jo vetëm investime, por edhe qytetarë. Mbi 100 mijë shqiptarë kanë lënë vendin vitin e kaluar. 200 mijë të tjerë kanë kërkuar të largohen për shkak të situatës mbytëse ekonomike, për shkak të gjendjes së krijuar nga keqqeverisja. E pikërisht në këto kushte në vend të denoncimit dhe vetëm denoncimit të së keqes, ne sot japim një mesazh pozitiviteti së bashku, jo më për të djeshmen, por për të nesërmen e Shqipërisë, e këtij vendi të bekuar me mundësi të jashtëzakonshme. Ju shpreh falënderimet e mia më të sinqerta në emër të çdo shqiptari për sakrificën, punën e jashtëzakonshme me të cilën 26 vite keni krijuar këtu në Shqipëri qindra mijëra ndërmarrje punëdhënëse, por edhe keni transferuar tek bashkatdhetarët e mi një përvojë të jashtëzakonshme të ndërtimit të kapitalizimit në liri, të sipëmarrjes së lirë në liri, të transferimit të teknologjive, kulturës së punës në çdo fushë, që nga kuzhina e deri tek teknologjia e informacionit. Mirënjohje të madhe kam për ju investitorë italianë që megjithë problemet, padrejtësitë që u janë bërë, besoni te Shqipëria, mundësitë e saj të mëdha dhe të pashfrytëzuara për investime. Jam këtu sot për t’ju garantuar se unë dhe qeveria ime do të jemi në krahun tuaj, në mbështetjen tuaj dhe së bashku do të ndërtojmë një histori win-win. Sot, siç dëshmojnë të gjitha anketat e biznesit të Dhomës amerikane të Tregtisë në Shqipëri dhe anketat e biznesit gjerman, sipërmarrja vuan nga liria, nga institucionet burokratike, nga një treg i deformuar dhe nga një qeveri klienteliste dhe e korruptuar. 4 vjet më parë qeveria rriti taksat, të cilat rritën kostot fiskale veçanërisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Fatkeqësisht, shumica e taksave shkuan në koncesione monopoliste, të cilat asfiksuan më shumë mundësitë e ekonomisë për t’u rritur dhe për të krijuar vende pune. Me pretekstin për të bërë shtet, inspektorët tatimorë në shërbim të vetes ju kanë krijuar vështirësi të paimagjinueshme investitorëve vendas dhe të huaj. Përgjigjja unanime e pyetjes, se cila është pengesa kryesore e të bërit biznes në Shqipëri, nga të gjitha këto ambiente dhe mund ta verifikoni, përgjigjja është qeveria”, tha Basha.

Reformë fiskale

Një sistem fiskal të thjeshtë, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm. Ky është objektivi i parë i PD. “Biznesit do i ofrohet çdo mundësi për të qenë në gjendje të konkurrojë.
Në themel të sistemit janë taksat e ulëta dhe të sheshta: 9 për qind për të ardhurat personale, 9 për qind për fitimin e kompanive. TVSH do të ulet në 15 për qind. Tatimi mbi dividentin do të bëhet zero.
Kjo është e vetmja mënyrë për t’u bërë konkurrues me fqinjët tanë në rajon dhe për ta bërë ekonominë tonë të aftë të thithë investime të brendshme dhe të huaja, për të ndryshuar situatën aktuale ku sipas vetë Bankës Botërore investitorët e huaj e shohin Shqipërinë zgjedhjen e fundit në Ballkan”, tha Basha.

Transparencë të shpenzimeve publike

Mjeti i vetëm që ekziston për të ulur korrupsionin, klientelizmin dhe abuzivizmin është transparenca dhe kufizimi i pushtetit. “Këtu ne do të zbatojmë një program të thellë transparence të shpenzimeve, prokurimit dhe kontraktimit publik.
S’mund të pranoj kurrë dhe nuk mund të pranoj kurrë si kryeministër që në një kohë që papunësia shtohet, që më të mirët, më të zotët, më të aftët në tregun e punës lëshojnë Shqipërinë, emigrojnë drejt vendeve europiane, këtu qeveria mbitakson sipërmarrësit dhe me taksat e mbledhura shpenzon 600 euro për një palmë nga ato që i keni parë nga aeroporti drejt Tiranës.
600 euro shumë e barabartë me ndihmën ekonomike për 1 vit për një familje apo shpenzon në vitin 2016, 130 miliardë lekë për zyra, makina, perde për veten e saj, për luksin e saj.
Në total sipas të dhënave të KLSH-së, vetëm në dy vitet e fundit qeveria ka abuzuar mbi 1 miliard euro, me shpenzime fasadë, me buzëkuq, shpenzime luksi. Imagjinoni sa do të fuqizoheshin politikat tona në nxitje të investimeve të punësimit, nëse këto para në vend që të shkonin për palma, do të shkonin për të nxitur, që një ndërmarrje italiane të zgjidhte Shqipërinë përpara Rumanisë, Maqedonisë, jo duke u lutur, as duke uruar, por duke vepruar.
Nëse në Maqedoni sot u ofrohet dy muaj në vit pagesa të sigurimeve shoqërore nga shteti për këdo që hap një investim me 100 vende pune me garanci 10-vjeçare, kjo mund të aplikohet lehtësisht nga qeveria e Shqipërisë nëse është e përgjegjshme, nëse lekët nuk i çon për palma, për automjete luksi për qeveritarët, por nëse i çon për të ndihmuar biznesin që ndihmon në hapjen e vendeve të punës. Ky është roli i qeverisë moderne, të bëjë gjithçka për të ndihmuar sipërmarrjen që ndihmon në krijimin e vendeve të reja të punës.
2120 procedura ka negociuar pa shpallje vetëm në vitin 2016, 1/3 e prokurimeve publike pa shpallje. Më e keqja është se 2/3 e tjera, që gjoja ka pasur garë, siç mund ta dinë disa prej jush, aty gara është fituar pothuajse gjithmonë nga ofertuesi më i lartë, më afër çmimit limit, që është treguesi më i qartë i korrupsionit. Më dëm të jashtëzakonshëm për buxhetin e shtetit, me dëm edhe më të madh në cenimin e konkurrueshmërisë dhe besimit te prokurimet publike.
Të gjitha kontratat publike do të jenë transparente, të gjitha ofertat e ardhura për shërbime publike do të jenë të aksesueshme nga sipërmarrja dhe qytetarët, përmes një sistemi dixhital, online.
Të gjitha vendimet në lidhje me prokurimet dhe kontraktimet do të bëhen publike, nuk do të lejojmë prokurime me fonde publike me një kandidat, e aq më pak që çdo tender e koncesion ta marrin vetëm 11 klientë të qeverisë, siç ndodh sot”, u shpreh Basha.

Konsolidim dhe finalizim të infrastrukturës përmes investimeve publike

Në lidhje me investimet publike, Basha tha se, “Nuk do të ketë investime fasadë në qeverinë e ardhshme të Shqipërisë. Nuk do të ketë që gjysma e rrugës të mbillet me palma dhe gjysma tjetër të jetë me gropa. Nuk do të ketë investime fasadë, që i mbushin xhepat e qeveritarëve duke zbrazur xhepat e taksapaguesve dhe duke rrënuar konkurrueshmërinë dhe besimin e sipërmarrësve, por vetëm investime që i shërbejnë zhvillimit dhe punësimit.
Prioritet do të jetë përfundimi i veprave të mëdha, që edhe sot e kësaj dite mbeten të papërfunduara siç është Korrridori 8, rruga Tiranë-Elbasan, siç është Rruga e Arbrit, përfshi tunelin, siç është përfundimi i akseve të jugut, Unaza e Madhe e Tiranës dhe miliona e miliona euro investime të domosdoshme për sistemin e ujitjes dhe rrugëve që ndihmojnë aksesin në bujqësi, po kështu ujësjellës-kanalizime.
Rritja e investimeve, si private të brendshme ashtu edhe të huaja dhe investimeve publike, janë çelësi për të krijuar punësimin.
Rritja e mundësive për punësim është mundësia e vetme për eliminimin e varfërisë, është mënyra e vetme për krijimin e mirëqenies.
Programi ynë ekonomik jo vetëm nxjerr përfundimisht ekonominë shqiptare nga kriza dhe apatia, por e fut atë në rrugën e një zhvillimi të përshpejtuar ekonomik, në përputhje me potencialet e jashtëzakonshëm të këtij vendi dhe të këtij tregu pune.
Ky është programi ekonomik me taksat më të ulëta në historinë 26-vjeçare të demokracisë dhe vendos gjithçka në mbështetje të sipërmarrjes së ndershme, gjithçka në mbështetje të sipërmarrjes së ndershme”.

Senatorët italianë mbështetje platformës Basha

Dy senatorë italianë të pranishëm në tryezën e Partisë Demokratike me investitorë nga Italia, ofruan mbështetje për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Paolo Romani, senator nga Forza Italia, tha se Basha shpreh tri revolucione të mëdha. “Ne jemi një parti simotra, ne jemi nga e njëjta familje, nga PPE dhe me thënë të drejtën ndjeva një zili kur po dëgjoja kryetarin Basha sepse ai u shpreh qenësisht për tri revolucione të mëdha, një revolucion fiskal që do të duhej ta bënim me fleksibilitet dhe në Itali, revolucion kundër burokracisë dhe revolucion tek shpenzimet publike. Këto dy ditë do të kryejmë disa takime për partneritetin italo-shqiptar. Të gjithë kërkojnë më shumë prezencë italiane në këtë vend. Falënderoj krytetarin Basha për këtë takim të jashtëzakonshëm, tani po ju përcjell këtë mesazh; Më 18 qershor, Shqipëria ka zgjedhjet dhe mesazhet që përcolli kryetari më duken si një shenjë e rezultatit të mirë”, tha Romani. Edhe senatori Mario Mauro, nga grupi i Partive Popullore thotë se figura e Lulzim Bashës si kryeministër i ardhshëm ka një rëndësi të veçantë në kontekstin evropian. “Prania jonë këtu zhvillohet brenda vëllazërisë së Partisë Popullore Evropiane, domethënë, familja e partive liberale demokrate, që uron edhe për rezultatin e mirë të një projekti europian, suksesin e udhës së integrimit europian të Shqipërisë. Këtu jemi një parti që është në opozitë, e shoqëruar nga parti që janë në opozitë në vendin e tyre, dhe të shohësh kaq shumë interes të bën të kuptosh atë besueshmëri të madhe që ka jo vetëm Partia Demokratike shqiptare, por sidomos figura e kandidatit të kësaj partie për kryeministër të ardhshëm, Lulzim Basha. Është një figurë që ka një rëndësi të veçantë në kontekstin europian, që ka një rëndësi të veçantë në kontekstin ndërkombëtar, pikërisht sepse është një figurë me besueshmëri të jashtëzakonshme, shumë të madhe dhe mbështetet në ide”, tha Mauro. “Shumë njerëz po ikin, dhe nuk po ikin vetëm ata në nevojë, por po ikin më të mirët”, ishte shqetësimi që ngriti, Carlo Alberto Rossi, sipërmarrës në fushën e turizmit. Lulzim Basha e njeh gjendjen dhe ka një përgjigje. “Pse ikin këta mijëra shqiptarë? Ju e thatë vetë, po ikin më të mirët, nuk po ikin vetëm të varfërit. Pse ikin? Sepse këtu, i miri, i afti, i talentuari nuk çan përpara. Këtu çan përpara trafikanti, nepotisti, klientelisti, krimineli, i korruptuari. Cila shoqëri ka bërë përpara në qoftë se vlerëson, shpërblen krimin, vjedhjen, gënjeshtrën dhe ndëshkon punën e ndershme. E kundërta, qëndron në themel të shoqërive të përparuara. Ndaj ne, do t’i japim mundësinë çdokujt që të punojë e të ecë përpara me punën e ndershme. Puna do të shpërblehet e jo të ndëshkohet. Aftësia, talenti, kreativiteti, inovacioni, kapitali në funksion të kësaj do të shpërblehen në qeverisjen time”, deklaroi Lulzim Basha. Dhoma italiane e Industrisë ka shprehur vazhdimisht shqetësime këto 3 vite për rritjen e taksave dhe arbitraritetin e qeverisë, dhunën e korrupsionin e tatimorëve. Investitorët italianë kërkuan të njohin detaje mbi programin dhe kërkuan garanci për investimet e tyre. “Çfarë detyre mund të ketë qeveria e Shqipërisë, shteti shqiptar më të rëndësishme sesa të bëjë gjithçka që dikush që punëson shqiptarët, të ketë të gatshme infrastrukturën rrugore, energjetike dhe të mos ketë asnjë pengesë burokratike. Çfarë detyre tjetër më të rëndësishme mund të ketë qeveria e Shqipërisë? Për mua kjo është detyra më e rëndësishme. Të mbështesin me të gjitha format dhe mënyrat, përfshirë ato financiare sipërmarrjen që krijon dhe siguron vende pune, pra krijon dhe siguron mirëqenie. Kjo do të thotë jo vetëm me sistemin fiskal më konkurrues në Ballkan, nuk do të gjeni nën qeverisjen time, një vend me taksa më të ulëta sesa Shqipëria, por dhe me një sjellje tërësisht të reformuar në raport me sipërmarrjen, qeverisje më miqësore ndaj sipërmarrjes, jo me fjalë, por me veprime”, siguroi Basha investitorët italianë. Basha e garantoi sipërmarrjen për rend e siguri, për shtypje të krimit pa mëshirë.

Artikulli paraprakDënohet Bilali në SHBA, a po i vjen radha Ramës?
Artikulli tjetërEkzekutimi për borxhin, 5 të arrestuar në Itali, mes tyre 2 shqiptarë