Basha: Dënimi i krimeve të komunizmit mision i pambaruar

27 vjet nga rënia e regjimit komunist dhe Shqipëria ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit, duke mbetur i vetmi vend në Europën Juglindore që mban ende në ndërgjegjen e tij plagën e hapur të barbarisë dhe monstruozitetit të regjimit diktatorial që përjetoi.
27 vjet nga rrëzimi i diktaturës dhe Shqipëria mbetet gjithashtu i vetmi vend që sot drejtohet nga pinjollët e atij regjimi famëkeq, nga një kryeministër, babai i të cilit firmosi varjen e poetëve të rinj, e nga ministra që po ashtu etërit e tyre janë autorët e vrasjeve të frikshme barbare të shqiptarëve të pafajshëm që kundërshtuan dhe bënë rezistencë ndaj atij regjimi.
Shoqëria shqiptare mbetet ende e paçliruar nga traumat, torturat, tronditjet e pësuara nga regjimi më i egër totalitar në Europë ashtu siç mbetet edhe nën akuzë për mos dënimin e vrasësve dhe kriminelëve komunistë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi dje me respekt dhe mirënjohje të gjithë ata shqiptarë që vuajtën, u torturuan barbarisht, u masakruan bashkë me familjet e tyre nën regjimin hoxhist, regjimin më të egër totalitar që ka njohur Europa.
Basha reagoi dje në Ditën Europiane në Kujtim të Viktimave të Komunizmit, ndërsa solli në vëmendje faktin e rëndë se ende sot Shqipëria pavarësisht se është ndër vendet që përjetoi regjimin më të egër totalitar ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit, autorët e këtyre krimeve si dhe lejimin e rikthimit të një pjese të konsiderueshme të kastës së komunistëve sërish në pushtet.

Postimi i Bashës

Gati 100 milionë persona gjetën vdekjen nga komunizmi, të vrarë direkt për qëllime politike ose të vdekur si pasojë e mjerimit që komunizmi solli për miliona njerëz.
Në librin e errët të komunizmit, Shqipëria zë një vend të veçantë për nga egërsia kriminale e Enver Hoxhës dhe bandës së tij kundër popullit të tyre. Dhjetëra mijë shqiptarë humbën jetën nga dhuna e regjimit komunist shqiptar, të ekzekutuar me e pa gjyq dhe të vdekur në burgje. Qindra mijë u burgosën politikisht dhe u internuan në kampe. Një popull i tërë u izolua për afro gjysëm shekulli në karantinën më mizore të mjerimit, shtypjes dhe trushpëlarjes në Europë.
Sot, në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, jetët e humbura dhe të shkatërruara nga stalinizmi shqiptar janë një akuzë e rëndë për shoqërinë tonë që nuk i dënoi asnjëherë plotësisht vrasësit dhe kriminelët komunistë, që nuk reflektoi seriozisht kundër ideologjisë, frymës dhe mentalitetit komunist e nuk i preu asnjëherë rrugën kthimit të komunistëve në pushtet.
Është e dhimbshme që ne nuk kemi ende një monument të vërtetë për viktimat e komunizmit, dhe nuk kemi ende një histori të vërtetë të krimeve të komunizmit. Ne nuk mund t’i shmangemi përgjegjësisë për dënimin e komunizmit, jo vetëm si detyrim moral ndaj viktimave të tij, por edhe si e vetmja mënyrë që të krijojmë një shoqëri të vërtetë të lirë dhe demokratike. Ky është mision i pambaruar, por i palëkundër i Partisë Demokratike.

Vendet e Europës Juglindore dhe dënimi i krimeve të komunizmit

Katër shtetet anëtare të BE-së kanë legjislacionin kombëtar për mohimin e krimeve të kryera nga regjimet totalitare, e cila përfshin në mënyrë eksplicite krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste: – Në Republikën Çeke Kodi Penal përmban një vepër të veçantë për një person, i cili publikisht mohon, e vë në dyshim, miraton ose përpiqet për të justifikuar gjenocidin fashist apo komunist apo krime të tjera të nazistëve apo komunistëve kundër njerëzimit. – Në Poloni mohimi publik dhe kunderfaktual për krime naziste, krimeve të komunizmit dhe krimeve të tjera kundër paqes dhe njerëzimit ose krimeve të luftës është një vepër penale. – Në Hungari refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi i faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare është një vepër penale. – Në Lituani, lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim e krimeve ndërkombëtare dhe krimet e kryera nga BRSS (Bashkimi Sovjetik) apo Gjermania naziste kundër Republikës së Lituanisë apo banorëve të saj, është një vepër penale”.

Heshtja që rivret 59 mijë viktimat e torturuara nga regjimi hoxhist

Nga të dhënat zyrtare rezulton se 59,009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 prej tyre kanë humbur jetën. Po sipas të dhënave të këtij instituti, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës. Po ashtu, nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit. Janë me mijëra qytetarë që janë vrarë nga viti 1944-1955, por një pjesë e madhe nuk ekziston në arkiva. Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë në bashkëpunim me shoqatat e të përndjekurve politikë, që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt të regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944-1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare. Topografia e terrorit komunist do të titullohet harta ku do të jenë të evidentuara të gjitha kampet e punës së detyruara, po ashtu burgjet në të gjitha trevat e Shqipërisë. ISKK tashmë e ka përfunduar punën hulumtuese në terren për të dhe ka evidentuar burgjet e kampet e punës së detyruar nëpër gjithë territorin e Shqipërisë për të bërë një hartë sa më të saktë, ku të përcaktohet ‘topografia e terrorit komunist’, sipas qyteteve dhe trevave të Shqipërisë. Po kërkojmë rrugë e mundësi të pajisjes së këtyre vendeve të vuajtjes me tabela, memorialë e pllaka përkujtimore. Instituti vijon të përkrahë e nxitë studimet shkencore rreth krimeve të komunizmit me doktorantë të huaj e shqiptarë pranë Universiteteve të Europës e Amerikës, duke u afruar atyre dokumentet dhe literaturën e nevojshme dhe konsulencën shkencore në këtë drejtim.

Artikulli paraprakPas milionave ‘të hedhura’…edhe Europa ka të drejtë!
Artikulli tjetërTerrorizoi fshatin duke kanosur e qëlluar me armë