Basha: 18 shkurti dita të ngrihemi bashkë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh dje me anë të një deklarate se, fakti që e majta po përgatitet të vjedhë zgjedhjet po thuhet sot me zë të lartë dhe nga diplomatët e huaj në vendin tonë. Basha tha se këtë mesazh e mbështesin dhe institucionet ligjzbatuese të vendit, shërbimet e huaja dhe vendase. Duke i ftuar qytetarët dhe një herë në protestën e 18 qershorit, Basha vuri në dukje se në një shoqëri ku mbizotëron krimi dhe droga, nuk prodhohet mirëqenie po vetëm krim dhe prapambetje. “Mbi gjithë zhurmën e propagandës në Shqipëri sot ka një mesazh që dëgjohet qartë: Politikanët e korruptuar dhe krimi duan të vjedhin zgjedhjet e ardhshme. Këtë mesazh po e thonë me zë të lartë qytetarët e thjeshtë dhe diplomatët e huaj, institucionet e drejtësisë dhe shërbimet sekrete të huaja dhe vendase, politikanët e huaj dhe vetë ministrat e qeverisë. Tonelatat e farës së hashashit që kanë hyrë muajt e fundit në Shqipëri janë pjesë e planit për të blerë dhe vjedhur vota, për të ruajtur pushtetin e tanishëm politik duke prishur zgjedhjet. Një shoqëri e rrethuar nga krimi dhe droga nuk prodhon punë, mirëqenie, shëndetësi dhe arsim. Një shoqëri e pushtuar nga droga prodhon krim dhe prapambetje. Ne mund ta ndalojmë këtë të keqe duke u ngritur së bashku. 18 shkurti është dita që populli të thotë fjalën e tij. 18 shkurti është dita për të nisur aksionin e kthimit të pushtetit tek qytetaret. 18 shkurti është dita të ngrihemi bashkë”, tha Basha.
Kreu i PD  lajmëroi të mërkurën me anë të një postimi në rrjetet sociale, nisjen e protestave më datë 18 shkurt në Tiranë. Sipas asaj çka shkruan, Basha protesta do të zhvillohet kundër padrejtësive dhe varfërisë, sistemit shëndetësor dhe të gjitha vuajtjeve që solli Rama bashkë me qeverinë në këto katër vite. Basha thotë se, vetëm me kurajo dhe vendosmëri pushteti i grabitur në këto vite do të rikthehet sërish tek njerëzit. “I ftoj të gjithë bashkëqytetarët në një manifestim kundër qeverisë më 18 shkurt, në Tiranë. Të protestojmë bashkë kundër padrejtësive dhe varfërisë, kundër shëndetësisë që lëngon dhe arsimit të shkatërruar, kundër arrogancës dhe shtypjes qeveritare, kundër drogës, krimit dhe kriminelëve në politikë. Të mbrojmë lirinë për të zgjedhur dhe të tregojmë vendosmërinë për të ruajtur votën. Vetëm me kurajo dhe vendosmëri mund ta kthejmë pushtetin tek njerëzit”, shprehet Basha në postimin e tij.

Artikulli paraprakRama u përgjua duke kërkuar miliona euro
Artikulli tjetërBeteja me bandën në çdo pëllëmbë të territorit