Barça “leksion” botës

Mjafton një moment dhe në futboll mund të ngjitesh nga Ferri në Parajsë dhe e anasjellta. Kjo është fjalia që mund të përshkruajë momentin historik të Barcelonës, një skuadër që sigurisht nuk kishte nevojë për atë fitore 6-1 për të shkruar emrin në librin e historisë. Katalanasit regjistruan brenda 90 minutave arritjen më të madhe në aspektin sportiv, sepse ata i treguan botës që leksioni i madh i jetës përmblidhet në shprehjen lapidar: Kurrë mos u dorëzo! Të besuarit e Luis Enrikes u dhuruan tifozëve të tyre emocione që vështirë se një skuadër do të arrijë ta bëjë në të ardhmen. Një fitore që e bën Barcelonën më shumë se magjike, ndoshta unikale në dimensionin që ka marrë.
Neymar me dy gola dhe një asist, por edhe Messi e Suarez ndezën motorin e një skuadre që pas humbjes 4-0 në Paris dukej e pashpresë. Një fitore historike për më tepër e arritur nëpërmjet një djaloshi të rritur në La Masia si Sergi Roberto, por edhe një fitre fryt i punës disavjeçare në akademinë më të famshme të planetit. Luis Enrike e paralajmëroi një gjë të tillë, “Kujdes, Barcelona mund të shënojë edhe 6 gola”, por askush nuk e besoi, sepse në të tilla raste deklaratat e trajnerëve përpara ndeshjes shërbejnë thjesht për të mos lejuar shthurjen e skuadrës. Ndoshta as vetë trajneri nuk e besonte një gjë të tillë, por tashmë pak rëndësi ka, Barcelona ka arritur të thyejë çdo tabu duke i vërtetuar botës se në sport dhe veçanërisht në futboll nuk ka mure të pakalueshëm, gjithçka varet nga vullneti dhe talenti i një skuadre apo një individi.
Barcelona kualifikohet në çerekfinale të Championsit pas një përmbysjeje të padëgjuar më parë në historinë e futbollit. Një ëndërr e kthyer në realitet nga ata që këtë lojë të bukur e kanë shndërruar në art. Vetëm tifozët më të çmendur blaugrana do ta besonin përmbysjen e humbjes 4-0 në “Parc de Prince”, por për Neymar, Suarez e Messi e pamundura nuk ekziston. Pa u mbushur tri minuta lojë Luis Suarez përfitoi nga një pasiguri e mbrojtjes për t’i hapur rrugë një suksesi historik të Barçës.
PSG i tulatur në mbrojtje pësoi golin e dytë pas një devijimi të pafat të Kurzawas në portën e tij.
5 minuta nga starti i pjesës së dytë Neymar fitoi një 11–metërsh që u shndërrua në gol nga Messi, por shpresat e Barçës u venitën në të 62-ën kur Cavani e shkurtoi diferencën në 3-1.
Çmenduria “Camp Nou” ishte rezervuar në minutat e fundit. Neymar ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi në minutën e 88-të, me Trapp që thjesht e shoqëroi topin me sy, ndërsa përfundonte në trekëndësh. Në minutën e parë shtesë Suarez fitoi një tjetër 11-metërsh për blaugranat, që u shndërrua në gol nga Neymar, ndërsa në sekondat e fundit të minutës së 5 shtesë Sergio Roberto realizoi golin e gjashtë, atë të një kualifikimi historik, të padëgjuar dhe shijuar më parë në historinë e futbollit.

Artikulli paraprakRenditja e FIFA, Shqipëria e Kosova fitojnë 1 pozicion
Artikulli tjetërEnrike: Për të gjithë ata që besuan