Bajerni nuk ndalet

Bajern Mynih e ka filluar me një marsh tjetër vitin 2017, pasi po fiton ndeshje pas ndeshjes. Skuadra e Ançelotit mposhti sot me rezultatin 2-1 Hamburgun, për të ruajtur kryesimin e vetme në kreun e renditjes së Bundesligës. Roben dhe Alaba shënuan golat për bavarezët në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa Kruse u përpoq të rihapte gjithçka në të dytën. Por Bajerni më pas arriti të administronte më mirë mbajtjen e topit si dhe rezultatin deri në vërshëllimën përfundimtare, për të vazhduar qëndrimin në kreun e renditjes.
Bavarezët vazhdojnë të ndiqen nga Lajpcigu, i cili sot mundi 2-1 Hofenhaimin, duke i regjistruar humbjen e parë kësaj skuadre në edicionin aktual. Verner dhe Sabitzer përmbysën golin e Amirit në fillimin e takimit, duke vazhduar me një ritëm të jashtëzakonshëm në edicionin debutues në Bundesligë. Ndërkaq, Hamburgu i Mërgim Mavrajt ka regjistruar një humbje të rëndë sot, pasi u mposht nga Ingolshtad dhe mbetet në vendin e parafundit në klasifikimin e kampionatit gjerman.
Schalke 04 e ka të vështirë të regjistrojë dy fitore radhazi në Bundesligë. Skuadra e Markus Weinzierl u mposht 0-1 brenda në “Veltins Arena” nga Eintrachti i Frankfurtit, për t’iu kthyer shumë shpejt rezultateve negative.
Goli që u dha tri pikë miqve në këtë ndeshje u shënua nga Alexander Meier nga një distancë e afërt, por meritë të veçantë në këtë rast kishte Makoto Hasebe me vizionin e tij të lojës. Chupo Moting dhe Guido Burgstaller nuk i shfrytëzuan rastet e krijuara për golin e barazimit, sikurse Seferoviç 65 dhe Meier 67 dështuan ta thellonin më tej rezultatin. As katër minutat shtesë nuk i mjaftuan Schalkes për të shmangur humbjen, e cila ishte e nënta në këtë sezon të Bundesligës.
Ndërkohë, kampionati gjerman ka nisur të gjenerojë miliona dhe rekorde nga sezoni në sezon.
Bundesliga zyrtarizoi shifrat e fundit financiare, duke prezantuar një faturim rekord prej 3.24 miliardë eurosh për sezonin e kaluar. Kjo përkthehet në 24% më shumë, në krahasim me sezonin paraardhës, shumë parà dhe më tepër spektakël, ashtu siç shihet nga stadiumi me pretendimet më modeste, e deri në “Signal Iduna Park”, apo “Allianz Arena”.
Shtimi i sponsorëve nga të katër anët e globit, interesimi në rritje i mediave për transmetimet, si dhe roli aktiv në tregun e futbollistëve janë vetëm disa nga arsyet. Në një njoftim për shtyp, Federata gjermane e Futbollit (DFB) shpjegoi edhe shifrat. Për herë të parë, 13 nga 18 klubet e kategorisë më të lartë deklaruan një faturim prej 100 milionë eurosh ose më shumë, e përfitimet të paktën 206.2 milionë, që ishte klubi me më pak para. Ky është viti i 12 radhazi i rritjes së Bundesligës, jo vetëm në nivel ekonomik. Përfitimet nga televizionet u shtuan me thuajse 200 milionë, ndërsa një “boom” të madh pati publiciteti, nga 100 në 772 milionë euro.

Artikulli paraprakAtletiko Madrid dhe PSG, kalendar ferri për Barçën
Artikulli tjetërSpalletti: Nuk na tolerohen hapat fasë