Bajerni, megablerje

Mikael Balak, ish-kapiteni i Bajernit të Mynihut u shpreh se, klubi duhet të investojë shuma marramendëse në të ardhmen, në mënyrë që të ketë shansin për të konkurruar çdo vit për një triumf në Champions. “Si rezultat i të ardhurave të larta prej së drejtës televizive në Angli dhe parave që paguhen në Kinë, Bajerni shumë shpejt do të shpenzojë 50 milionë euro apo më shumë për transferimin e një lojtari për të qenë konkurrues në Europë”, deklaroi gjatë një interviste për “Sport Bild”, ish-kapiteni i kombëtares gjermane.
Për Balakun, është e qartë se, Bajerni do të nisë shumë shpejt ta bëjë një gjë të tillë: “Jo vetëm Roben dhe Riberi po plaken, por edhe Lahm gjithashtu. Sigurisht që bavarezët nuk do të bëjnë blerje të tepruara si dy klubet e Mançesterit apo Reali, por nëse kërkon të jesh një klub i klasit botëror, atëherë duhet të investosh”.
Këtë sezon, Bajerni është sërish favorit për të fituar titullin, pavarësisht se nuk po dominon siç ka bërë rëndom këto vitet e fundit në Bundesligë. Por çfarë mendimi ka Balak? “Unë besoj se Bajerni ka shansin për t’i fituar të gjitha. Ata kanë një shans të mirë për të arritur në gjysmëfinalet e Championsit. Pastaj varet nëse lojtarët e klubeve të mëdha si Reali dhe Barça do të luajnë me potencialin e tyre të plotë në momentin e duhur”.
Ish-mesfushori rendit edhe arsyet pse bavarezët nuk po dominojnë si në vitet e shkuara në Bundesligë: “Ka trajnerë që i lënë më të lirë lojtarët dhe të tjerë si Guardiola, të cilët kërkojnë maksimumin në çdo seancë stërvitore dhe çdo ndeshje. Futbollistët duhet të qëndronin vigjilentë me të gjatë gjithë kohës, sepse ai u kërkonte standardet më të larta në stërvitje, teknikisht dhe taktikisht. Me ardhjen e Ançelotit në stol gjatë verës, futbollistët i kapi një fazë e re, ajo e ambientimit të një filozofie të re, e cila nuk nis vetëm nga këmbët, por edhe nga koka”.
Balak vazhdon: “Është e qartë që ndryshimi i trajnerit sjell një ndryshim të madh te çdo futbollist, sepse prezantohet menjëherë një mënyrë e re loje, metodë stërvitore dhe filozofie drejtuese. Për momentin, ky mekanizëm nuk është shfaqur në 100% dhe ndodh ajo që pamë të ndodhte në ndeshjen me Shalken. Megjithatë, Bajerni nuk bëri asgjë të gabuar. Në ndeshjen ndaj Lajpcigut, kur renditeshin me pikë të barabarta me ta, Bajerni ishte aty dhe tregoi diferencat. Ançeloti tregoi se ai di t’i motivojë lojtarët atëherë kur duhet dhe skuadra e dominoi atë ndeshje”.
Ballack këshillon Mesut Ozil të largohet nga Arsenali dhe të transferohet te Bayern Munich, nëse dëshiron të fitojë trofe. Sulmuesi, për momentin nuk po gjen akordin me “Topçinjtë” për rinovimin e kontratës, e cila i skadon në vitin 2018. E ardhmja e 28-vjeçarit mbetet ende e paqartë, pasi lojtari kërkohet edhe nga disa prej klubeve më në zë europiane. Gjithsesi Ballack mendon se kthimi në Bundesliga, do të ishte veprimi i duhur për Ozil.

Artikulli paraprakDosjet e dorëzuara në Bruksel, a po hetohen diplomatë për korrupsion?
Artikulli tjetërDouglas Costa në hije me Ançelotin