Badiguardi i Ramës ndërton pa leje dhe kërcënon banorët

Njëri nga badiguardët e Ramës ka nisur një ndërtim lokali në Tiranë, duke bllokuar edhe dritaren e një familjeje dhe kërcënon banorët që të mos ankohen. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Tirana, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, badiguardi i Edvinit ndërton siç do vetë!
“Qytetari dixhital denoncon: Lal plehun që lejon ndërtime në kundërshtim me ligjin, badiguardin e Edvinit që i zë dritaren e dhomës së gjumit me ndërtimin e tij!”, shkruan Berisha, duke publikuar mesazhin e qytetarit nga Tirana.
“Përshëndetje, doja të bëja një denoncim dhe mesa duket ju jeni i vetmi person që na dëgjon këto kohë. Përpara shtëpisë time, Kryetari i Bashkisë ka dhënë leje për të ndërtuar një lokal ku shkel të gjitha rregullat dhe normat. Përveç faktit që ka dhënë leje për lokal, personat që po e ndërtojnë po dalin jashtë asaj leje dhe po bëjnë ndërtim me themele përballë dritares së dhomës së gjumit. Jemi ankuar si pallat tek Bashkia edhe tek Policia e Shtetit, por asnjë gjë nuk kanë bërë.
Vijnë vërdallosen me makinë rreth pallatit dhe largohen, personi që po e ndërton është një nga badiguardët e Kryeministrit. Deri këtu e kuptuam se si ky ka marrë këtë lloj leje. Nuk e dimë si të sillemi më tani, sepse këto po na bëjnë dhe presion. Ka ngelur vetëm të ballafaqohemi vetë, pasi shteti nuk na vjen në ndihmë”, shkruan qytetari.
Me Veliajn në krye të Bashkisë së Tiranës kanë lulëzuar edhe lejet e ndërtimit. Në shumë vende në kryeqytet shihen tabela, të cilat lajmërojnë ndërtime të pallateve shumëkatëshe. Anës rrugëve dhe në vende, të cilat për banorët është një shqetësim, makineritë e shumta punojnë natë e ditë për të ndërtuar pallatet e reja. Në tabelën që vendoset për të informuar se çfarë objekti po ngrihet, dokumenti shoqërues që është leja e ndërtimit në fund të saj shihet firma e Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë Tiranë. Edhe pse premtoi që nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi, përsëri ky premtim është thyer dhe në Tiranë pallatet po mbijnë si kërpudhat.
Sipas disa ekspertëve të fushës, lejet e ndërtimit që janë dhënë gjatë kohës së moratoriumit, para dhe pas miratimit në Këshillin Bashkiak të planit të përgjithshëm, janë të jashtëligjshme. Në vitin 2015 u miratua një vendim nga Këshilli i Ministrave që ndalonte të gjitha ndërtimet në vend, për arsye të ndryshme. Në këtë vendim thuhej qartë, që nuk do të lejoheshin ndërtime të cilat nuk do të ishin të rëndësishme dhe që nuk prisnin dot derisa të binte fuqia e moratoriumit. Prandaj, çdo leje ndërtimi që është dhënë asaj kohe është nul. Por gjatë kësaj kohe, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë leje për t’u ndërtuar pallate. Duke parë vendimin mund të themi se këto leje janë të paligjshme.
Gjatë gjithë kësaj kohe qeveria dhe policia kanë vazhduar aksionet për të gjitha ata që ndërtonin pa leje, sepse më parë ishte miratuar moratoriumi për lejet e ndërtimit. Sipas një vendimi të qeverisë për një vit nuk do të lejohej asnjë ndërtim, dhe çdo ndërtim do të bëhej kur të miratoheshin planet e reja urbanistike në çdo qytet. Por ky vendim vlente vetëm për qytetarët, të cilët mundoheshin që të ndërtonin një çati, pasi për kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj lejet ishin si më parë.

Artikulli paraprakI jepet lamtumira e fundit kantautorit të njohur, Françesk Radi
Artikulli tjetërVëllai i ministrit Xhafa te skafi me 1 ton drogë