Axhenda e paqes për Lindjen e Mesme

Abdullah Gül

Gjatë vitit 2016, konfliktet në Lindjen e Mesme u përhapën përtej çështjes së Izraelit dhe Palestinës që ka dominuar politikën rajonale për aq shumë kohë. Në vitin 2017, katër shtete kyçe – Iraku, Libia, Siria dhe Jemeni – ndodhen të zhytur secili në luftën e tij civile.
Këto konflikte janë duke ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte me pjesën tjetër të botës, duke eksportuar terrorizëm dhe refugjatë, produkte që po prodhojnë populizëm në vendet perëndimore, nga i cili nuk ka shpëtuar pothuajse asnjë vend. Gjatë kursit të këtij viti, bota do të jetë më shumë nën presion për të zgjidhur sa më parë konfliktet e Lindjes së Mesme dhe për të frenuar përhapjen e pasojave të tmerrshme të tyre nëpër botë.
Si fillim, ringjallja e procesit të paqes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës duhet të jetë një prioritet. Edhe pse konflikti nuk ka tërhequr kohët e fundit aq shumë vëmendje krahasuar me vitet e mëparshme, nuk do të thotë se është më pak i rëndësishëm sot sa për të lejuar pushtimin e territorit të Palestinës. Një marrëveshje e pranuar nga palët – bazuar në kushtet të qarta dhe e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar – do të garantonte më mirë sigurinë e Izraelit dhe do të normalizonte marrëdhëniet në rajon, veçanërisht me fqinjët arabë. Kjo mund të krijonte shanse të mira për bashkëpunim rajonal dhe global, duke rivendosur kredibilitetin e sistemit ndërkombëtar.
Shpresa aktuale është që administrata e presidentit Trump t’u rikthejë Shteteve të Bashkuara rolin e ndërmjetësit në procesin e paqes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Franca nga ana e saj, ka shfaqur një interes në ringjalljen e procesit të paqes, edhe pse përballet ende me sfidat e tmerrshme të terrorizmit të Shtetit Islamik. Edhe Rusia është përpjekur kohët e fundit të ulë liderët izraelitë dhe ato palestinezë në tryezën e bisedimeve në Moskë, edhe pse ndërkohë është duke ndihmuar presidentin sirian Bashar al-Assad që të fitojë luftën civile në vend.
Këto përpjekje të vendeve të ndryshme tregojnë se komuniteti ndërkombëtar kërkon medoemos të zgjidhë konfliktin më të vjetër të Lindjes së Mesme, për t’i dhënë një dorë luftës kundër terrorizmit dhe problemeve të tjera globale që burojnë nga rajoni. Për të avancuar procesin e paqes në vitin 2017, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet me Iniciativën Arabe të Paqes, të prezantuar nga mbreti Abdullah i Arabisë Saudite që në vitin 2002. Iniciativa është pritur edhe më parë pozitivisht nga të dy anët e konfliktit dhe është miratuar nga Liga Arabe.
Në lidhje me Irakun, Libinë, Sirinë dhe Jemenin, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të koordinojë fushatat e përbashkëta ushtarake kundër terrorizmit në secilin shtet. Por zgjidhja e këtyre konflikteve do të kërkojë zgjidhje efektive politike. Edhe pse janë bërë shumë propozime për t’i copëtuar këto shtete, ato nuk mund të implementohen në rast se palët nuk bien dakord. Në fakt, formimi i shteteve të rinj nuk garanton se do të jetë një proces më i lehtë se mbajtja e bashkuar e atyre ekzistues.
Interlokutorët e huaj dhe ish-liderët e papërgjegjshëm të Lindjes së Mesme janë ata që kanë hapur kutinë e Pandorës në rajon, duke filluar që me luftën në Irak. Një gjë që bota duhet ta kishte mësuar nga konfliktet e mëparshme është që copëtimi në dysh i shteteve mund të sjellë pasoja të tmerrshme dhe të paparashikueshme gjeopolitike, disa fraksione të Sirisë dhe Irakut janë duke përfituar ende nga vakumi i pushtetit në këto vende dhe po ndjekin qëllimet e tyre maksimaliste që nxisin akoma më shumë revanshizmin dhe irredentizmin në rajon. Çdo marrëveshje që detyron njerëzit të dorëzojnë territoret apo burimet që i konsiderojnë pjesë të trashëgimisë së tyre kombëtare vetëm mund ta përkeqësojë situatën.
Luftërat e vazhdueshme në Irak, Libi, Siri dhe Jemen përshkruhen shpesh si konflikte sektariane ndërmjet myslimanëve shiitë dhe sunni, por faktori që është duke e nxitur luftën sektariane është mungesa e besimit që ekziston ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet këtyre dy fuqive rajonale do të kishte efekte të jashtëzakonshme pozitive për figurat e larta dhe influencuese të rajonit.
Konflikti sektarian duhet të zgjidhet përmes përpjekjeve politike të nivelit të lartë që ndjekin modelet e pajtimit. Marrëdhënia ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite është e tensionuar, por të dy vendet kanë rënë dakord në shumë çështje të ndryshme në të shkuarën dhe ka shumë shembuj historikë të bashkëjetesës paqësore ndërmjet shiitëve dhe sunnive.
Pa një përpjekje ambicioze pajtimi, luftërat civile dhe terrorizmi do të vazhdojnë të përhapin shkatërrim masiv në Lindjen e Mesme. Tregtia, industria dhe transporti janë frenuar në pjesën më të madhe të Irakut, Libisë, Sirisë dhe Jemenit, duke dëmtuar ndjeshëm ekonominë më të gjerë rajonale. Një raport i kohëve të fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar përshkruan se si konfliktet e armatosura janë duke ngadalësuar rritjen ekonomike dhe duke rritur inflacionin në rajon dhe paralajmëron se nuk ekziston një “zgjidhje magjike” për t’i dhënë fund dhunës.
Konfliktet e Lindjes së Mesme nuk janë duke shkatërruar vetëm infrastrukturën ekonomike dhe industrinë, ato po shkatërrojnë edhe sistemet e kujdesit shëndetësor, shërbimet e edukimit, vendet e trashëgimisë kulturore dhe institucionet sociale. Sipas një raporti alarmues të UNICEF-it, miliona e miliona fëmijë dhe të rinj të zhvendosur kanë mbetur të pashkolluar, duke i kthyer në të ardhmen në njerëz të papunësueshëm dhe duke shtuar një kosto ekonomike e sociale të paparashikueshme.
Çdo përpjekje e suksesshme gjatë vitit që kemi përpara për t’i dhënë fund konflikteve të Lindjes së Mesme do të duhet të shoqërohet me një projekt madhor rindërtimi – sipas modelit të Planit Marshal që rindërtoi Europën pas Luftës së Dytë Botërore – për të parandaluar rifutjen e vendeve në luftë. Reformuesit politikë në rajon duhet të vendosin principet si të drejtat e njeriut, rregullin e ligjit, transparencën dhe qeverisjen e mirë në prioritetet kryesore të axhendës së tyre rajonale. Në vitin 2017 do të jetë tepër e rëndësishme për ato vende që kanë arritur të shmangin konfliktet e armatosura, që të ruajnë stabilitetin e tyre delikat, në mënyrë që të ndihmojnë në rivendosjen e stabilitetit në të gjithë rajonin.

Abdullah Gül është ish-president i Republikës së Turqisë

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakSpalletti: Nuk na tolerohen hapat fasë
Artikulli tjetërLufta civile në Jemen