Autostradës Tiranë-Durrës i hiqen palmat, kushtuan 5.5 milionë euro

Palmat e investuara dy vite më parë nga paratë e taksapaguesve me një vlerë prej 5.5 milion eurosh për të zbukuruar autostradën Tiranë-Durrës do të përfundojnë në kosh të plehrave.
Të gjitha palmat anës autostradës Tiranë-Durrës, kanë filluar të hiqen. Palmat, të mbjella në vitin 2014, shumica prej të cilave aktualisht të dëmtuara, nuk janë pjesë e projektit për zgjerimin e autostradës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hartuar planin për zgjerimin e autostradës me tre korsi në vitin 2015, vetëm pak muaj pas mbjelljes së pemëve dekorative.
“Duke qenë se autostrada e ardhshme Tiranë-Durrës do të zgjerohet mbi gjurmën ekzistuese dhe do të përshtatet sipas standardit evropian, nuk është parashikuar që në hapësirën e infrastrukturës së re autostradale, ku shpejtësia e projektimit është 140 km/h, të ketë bimësi apo objekte të tjera dekorative për arsye të sigurisë rrugore”, sqaron ARRSH.
Për rehabilitimin dhe gjelbërimin e kësaj autostrade u kujdesën tri institucione Ministria e Mjedisit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Por asnjëra prej tyre nuk pranon përgjegjësinë për shpenzimin e 5.5 milion eurove për mbjelljen e palmave, kur qeveria kishte hapur në të njëjtën kohë, tenderin për kryerjen e studimit dhe projektimit të zgjerimit të rrugës.
Për mbjelljen e palmave u shpenzua një shumë e konsiderueshme parash, në një kohë që qeveria e dinte se autostrada do të zgjerohej dhe se projekti i gjelbërimit ishte i përkohshëm. Zgjerimi i rrugës ishte planifikuar nga qeveria që në zbatimin e projektit për gjelbërimin në Tiranë-Durrës. Në të njëjtën kohë që qeveria realizoi projektin për mbjelljen e palmave, u zhvillua tenderi për kryerjen e studimit dhe projektimit të zgjerimit të rrugës. Në emër të qeverisë shqiptare tashmë kompania fituese i ka dorëzuar Autoritetit Rrugor Shqiptar projektin për zgjerimin e rrugës me 3 korsi, zbatimi i të cilit kushton rreth 120 milionë dollarë.
Shqetësues në këtë rast nuk është projekti për zgjerim, por “spektakli” qeveritar me investime sa për fasadë dhe pa asnjë plan. Pas projektit të ri për zgjerimin e autostradës fshihet edhe një qëllim tjetër i qeverisë. Rruga Tiranë-Durrës do të jepet me koncesion dhe përdoruesit e saj do të paguajnë një tarifë të caktuar. Kur kjo të ndodhë, autostrada Tiranë-Durrës do të jetë e dyta që jepet me koncesion pas Rrugës së Kombit që iu dha një firme turke. Por mungesa e seriozitetit të qeverisë shqiptare para investitorëve të huaj dhe sigurisht para qytetarëve taksapagues nuk ndalej me kaq. Gjatë kohës që projekti i Ramës për gjelbërimin dhe mbjelljen e palmave nga mbikalimi i Kasharit deri në Tiranë ishte drejt përfundimit, ish-ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj ftonte investitorët e huaj të investonin për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës me tri korsi në secilin drejtim.
Janë para të taksapaguesve, të cilat shpërdorohen për projekte jo të menduara mirë, projekte fasadë që ndoshta bëhen thjesht për egon e kryeministrit apo si imponim i dëshirave të tij. Mbjellja e palmave u kritikua gjerësisht asokohe si burim aksidentesh, pasi u mbollën ngjitur me vijën anësore të rrugës. Investimin “dekorativ” të qeverisë Rama e kritikoi edhe Byroja Teknike e Sistemit të Standardeve Rrugore të BE-së, të cilët kërkuan zyrtarisht që shkelja e ligjit dhe zhdukja e standardeve të rrugës Tiranë-Durrës të korrigjohen sërish.
Të gjitha këto tregojnë mungesën e një orientimi të qartë në investimet e pakta të kryera deri më tani nga qeveria. Paratë publike shpenzohen në projekte, të cilat më pas trumbetohen me të madhe në mediat që i shërbejnë qeverisë si investime të rëndësishme. Por që në fakt janë thjesht sa për fasadë, si pothuajse të gjitha punët e “Rilindjes” së Ramës në këto tre vjet qeverisje.

Zgjerimi i autostradës

Pas projektit të ri për zgjerimin e autostradës fshihet edhe një qëllim tjetër i qeverisë. Rruga Tiranë-Durrës do të jepet me koncesion dhe përdoruesit e saj do të paguajnë një tarifë të caktuar. Kur kjo të ndodhë, autostrada Tiranë-Durrës do të jetë e dyta që jepet me koncesion pas “Rrugës së Kombit”. Qeveria ka gati projektin për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës me 3 korsi, ku parashikohet shtim i trafikut të makinave dhe lejim i shpejtësisë deri në 140 km/orë. Sipas të përditshmes Panorama, zgjerimi i rrugës ishte planifikuar nga qeveria që në zbatimin e projektit për gjelbërimin në Tiranë-Durrës. Nga zbatimi i projektit është parashikuar i ndarë në 3 lote, ndërsa trafiku i makinave do të rritet nga 24 mijë në ditë në 67 mijë. Projekti parashikon 3 korsi kalimi për secilën anë të rrugës dhe një zonë me trafikndarëse 2,6 metra e gjerë. Në total, gjerësia e rrugës do të jetë 35.10 metra dhe kjo bëhet për shkak të trafikut të lartë të makinave në këtë rrugë, duke e shndërruar Tiranë¬-Durrës në superstradë të kategorisë A1. “Studim-projektimi për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës ka për objektiv kryesor projektimin e një infrastrukture të kategorisë “A”, e cila duhet të ketë karakteristikat për të përballuar volumet gjithnjë e në rritje të trafikut në këtë arterie kryesore të vendit, si dhe të përmirësojë gjendjen e shtresave rrugore ekzistuese, tashmë tejet të amortizuara në një pjesë të madhe të superstradës, duke ofruar kështu një nivel të përshtatshëm shërbimi për këtë kategori rruge”, thuhet në projektin e qeverisë.

Artikulli paraprakVela që gropos trashëgiminë
Artikulli tjetërUnioni i Gazetarëve: Dako dhe Kumbaro të ndalojnë krimin barbar