Autobusë me nxënës nga rrethet në mitingun e Ramës në Kavajë

Rama është braktisur nga gjimnazistët e Kavajës, ndonëse për takimin e tij të djeshëm është ushtruar presion ndaj nxënësve që të shkonin në takimin e Kryeministrit. Për të mbushur sheshin në qendër të Kavajës, u dërguan dhjetëra autobusë me qindra nxënës dhe të rinj nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushnja e disa rrethe të tjera të vendit. Autobusët e mbushur me nxënës janë filmuar teksa po futeshin në Kavajë, ndërsa sheshi ka qenë bosh. Në rrjetet sociale u publikuan disa video, ku dukej autokolona e autobusëve me nxënës nga rrethet po mbërrinte në Kavajë.
Një video e tillë u publikua edhe nga ish-Kryeministri Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, Edvini shkon në Kavajë me dhjetëra autobuzë nga rrethet. “Në pranverën e vetmisë së madhe, Edvini shkon në Kavajë me dhjetëra autobuzë nga rrethe të tjera! Këtu më poshtë keni videon e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
Bëhet e ditur se, nxënësit janë marrë me detyrim nga mësuesit e tyre që të shkojnë në Kavajë në mitingun e Ramës. Madje, atyre u është bërë presion se do të mbeten në provimet e maturës, nëse nuk shkojnë në takimin e kryeministrit në Kavajë.

Nikolla detyron gjimnazistët për fushatën e PS

Gjimnazistët po përdoren për fushatën zgjedhore të PS me urdhër nga lart. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në kundërshtim me ligjin detyron mësuesit që të dërgojnë gjimnazistët në takimet e Ramës. Nxjerrja me detyrim e nxënësve në aktivitete elektorale është shkelje e hapur e ligjit, dhe Nikolla një ditë do të përballet me ligjin.
Edhe në takimet e tjera që ka zhvilluar Rama me gjimnazistët që votojnë për herë të parë si në Shkodër, Kukës, Korçë, Kuçovë, Lushnjë, etj., sheshet janë mbushur me gjimnazistë të marrë me autobusë nga rrethet. Mjaft gjimnazistë janë marrë me detyrim kundër dëshirës së tyre, vetëm pse u është bërë presion se do të ngelen në provimet e maturës.
Në takimin e djeshëm në Kavajë, Rama ishte më i çoroditur se kurrë më parë gjatë takimeve që ka zhvilluar. Ai ka bërë disa veprime të çuditshme që nxirrnin në pah psikopatinë e tij, duke thirrur e bërtitur para të rinjve dhe duke u ulur në tribunën e inskenuar, pasi nuk po e mbanin më këmbët. Në fund të fjalimit të tij, Rama ka filluar të ulërasë njësoj si një herë e një kohë në Sheshin “Skënderbej”, ulërima që ngjallin dyshime të mëdha për gjendjen e tij psikike.
Në Kavajë do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për kryebashkiakun, pas shkarkimit të Elvis Rroshit, si pasojë e dekriminalizimit. Opozita nuk merr pjesë në këto zgjedhje dhe më datën 7 maj do të organizojë një protestë të fuqishme për të mos lejuar zgjedhjet farsë të Edi Ramës. Ndërkohë, Rama ka urdhëruar të gjithë funksionarët e lartë shtetërorë që të ushtrojnë presion tek zgjedhësit që të dalin në votime më 7 maj.

Pas publikimit të videos pushohet mësuesja

Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, Rama deklaroi në Parlament se ka pushuar nga puna mësuesen e Kavajës që u bëri presion nxënësve, që të shkojnë në mitingun e tij. Elona Bizhdili nuk është një militante e thjeshtë partie, që shfrytëzon ndikimin që ka si mësuese për të shtuar numrin në mitingjet e PS. Jo! Ajo është pjesë e një sistemi, të ngritur me dhjetëra mësues në Kavajë. Qindra të tjerë në të gjithë vendin detyrohen të bëjnë të njëjtën gjë.
“Frenat” për arsimin në Kavajë i ka marrë shefja e Zyrës Arsimore, Sonila Peza. Bashkë me shpërndarjen e posteve të punës, Peza ka edhe aftësinë për ta shndërruar administratën dhe gjithë shkollat e qytetit në brohoritës të Partisë Socialiste. Përmes presioneve dhe frikës për vendin e punës, mësuesit e Kavajës dhe pas tyre edhe nxënësit shndërrohen në një turmë që pret Edi Ramën, kur ky flet se si po e ndryshon Shqipërinë.
Për çdo miting elektoral, ka një listë-prezencë ku kontrollohet nëse paraqiten apo jo në takim. Prania e nxënësve në mitingje është tregues i përkushtimit të çdo mësuesi. I vogël dhe i madh, dalin të presin udhëheqësin, që sheshi të jetë plot.
Pushimi i mësueses u bë vetëm, pasi u publikua videoja, ku ajo urdhëronte nxënësit që të shkonin në mitingun e Ramës. Por në mitingun e Ramës u grumbulluan qindra nxënës nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushnja e disa rrethe të tjera, të cilët u sollën me autobusë për të mbushur sheshin ku do të mbante fjalimin Rama. Po ashtu edhe ditën e mërkurë, dhjetëra autobusë u mbushën me nxënës nga rrethet e vendit dhe u dërguan në mitingun e Ramës në Korçë. Po këta mësues a do të pushohen nga puna, sepse i nxorën nxënësit nga mësimi dhe i dërguan në mitingun e Ramës?!

Mësuesja presion nxënësve: Të gjithë në miting se vjen Edi Rama

Drejtuesit e shkollave të mesme në të gjithë vendin, të urdhëruar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, po ushtrojnë presion ndaj gjimnazistëve që të shkojnë në mitingjet e Ramës. Një mësuese në Kavajë është filmuar teksa u bën presion gjimnazistëve që të shkojnë në miting se vjen Edi Rama. Videoja është publikuar nga ish-Kryeministri Berisha, pasi i është dërguar nga një gjimnazist nga Kavaja. Në një postim në Facebook, Berisha ka publikuar videon skandaloze dhe mesazhin e gjimnazistit nga Kavaja.
“Kjo është reforma arsimore e Noriegës, që krijoi Narko Republikën dhe Madam Vilës, të cilës paratë e vjedhura nga taksat e prindërve të nxënësve shqiptarë i bëhen vilë luksoze 1.3 milionë euro. Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e gjimnazistit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Doktor, ja ç’po ndodh në Kavajë për ardhjen e Edi Ramës sot në 17:00. Zysha është në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” të Kavajës, doktor. Shefja e Arsimit, Sonila Peza vazhdon presionet çdo ditë me listë prezenca për mungesat e mësuesve në takimet e PS”, shkruan gjimnazisti.
Videoja e publikuar në rrjetet sociale është filmuar ditën e mërkurë në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” të Kavajës. Fillimisht, mësuesja Elona Bizhdili i bie bankës që të tërheqë vëmendjen e nxënësve dhe më pas u thotë që të shkojnë në aktivitetin që sot organizon Edi Rama në Kavajë.
Me zërin e lartë, ajo u drejtohet nxënësve: “Nesër në orën 16:30, zhvillohet një aktivitet i kryeministrit Edi Rama me të rinjtë, e gjithë shkollat do të përfaqësohen me mësuesit e vet dhe nxënësit e çdo klase, nesër në takimin që organizohet…”!
Mësueset po përdoren si “mish për top” nga Rama dhe Lindita Nikolla për të marrë pjesë në fushatën e PS dhe vetë kryeministrit. Ka qenë vetë Lindita Nikolla që në një takim me drejtuesit e Drejtorive Arsimore në të gjithë vendin u ka kërkuar atyre që të marrin masa për të dërguar gjimnazistët në takimet që do të zhvillojë kryeministri në disa qytete kryesore të vendit.

R.POLISI

Artikulli paraprakPërleshje në Parlament, Maqedonia drejt destabilitetit
Artikulli tjetërNuk do ja dorëzojmë Shqipërinë, krimit