Asnjë dëmtim serioz për Abrashin

Lajme të mira për Amir Abrashin nga Frieburgu. Rezonanca magnetike, të cilës i është nënshtruar mesfushori shqiptar pas dëmtimit që pësoi në kaviljen e djathtë në miqësoren me Vaduzin ka treguar se nuk bëhet fjalë për diçka serioze, madje javën e ardhshme 26-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje. Ndërhyrja e futbollistit të Vaduzit ishte e frikshme, madje u mendua edhe më e keqja, që lojtari shqiptar të mungonte për disa muaj, por fatmirësisht shkalla e dëmtimit nuk rezultoi e rëndë.
Freiburgu vijon fazën përgatitore në Spanjë, për të qenë gati për pjesën e dytë të sezonit. Impenjimi i parë në Bundesligë për skuadrën e Abrashit do të jetë sfida e shtëpisë me Bayernin e Mynihut, në kuadër të javës së 17-të.
Gjatë këtij sezoni mesfushori i kombëtares shqiptare është aktivizuar në 11 ndeshje të Bundesligës dhe ka shënuar një gol, në fitoren 1-3 me Werder Bremenin. Për shkak të një dëmtimi në kokë Abrashi ka munguar në disa takime.
Rezultatet e rezonancës magnetike kanë ngrohur edhe ambientin kuqezi, pasi ky lojtar mbetet shumë i rëndësishëm për kombëtaren që më 24 mars do të luajë në Palermo eliminatoren me Italinë.

Artikulli paraprakSasuolo pas Emanuele Ndojt
Artikulli tjetërCikalleshi, e ardhmja është te Basaksehir