Askush s’mund të shkelmojë të drejtën e qytetarëve për referendum

Sali BERISHA

Rama përsëriti një fjalim timin të vitit 2013 por jo vendimin tim për referendumin! Në një akt pabesie ekstreme, tradhëtie të hapur, arrogance të papërmbajtur, Rama riktheu ligjin për importin e mbetjeve jeshile, të cilin ai e abrogoi në përputhje me zotimin e tij solemn elektoral që në javët më të para të ardhjes në pushtet! Në këtë akt tradhëtie të hapur, pabesie ekstreme dhe superarrogance ndaj të gjithë Shoqërisë Civile, aleate të tij kundër importit të plehrave, por dhe dhjetëra mijëra qytetarëve që firmosën peticionin për referendum për ndalimin e importit të plehrave, në vend të një ndjese publike për mashtrimin dhe pafytyrësinë e radhës ai, në mënyrë të paskrupullt, ju lexon shqiptarëve si të vetat fjalimet e mia për listën jeshile të vitit 2013, por nuk thotë një fjalë për referendumin që ishte caktuar nga Presidenti i Republikës të mbahej në dhjetor të vitit 2013. Unë nuk mohoj se ato janë fjalimet e mia, por sqaroj opinionin se: Pavarësisht nga mendimet e mia, duke ditur problematikën dhe shqetësimin e ligjshëm që krijon tek çdo qytetar rreziku i importit të plehrave, vendosa për t’i hapur rrugën referendumit në mënyrë që çdo qytetar të shprehë me votën e tij qëndrimin individual ndaj këtij problemi shumë të ndjeshëm për qytetarët e vendit. Mirëpo Rama sapo erdhi në pushtet abrogoi ligjin dhe deklaroi se nuk ka nevojë për referendum, pasi kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë! Kurse tani reciton si papagall fjalimet e mia dhe nuk kërkon as ndjesë për aktin e tij jo civil, arrogant dhe primitiv dhe nuk thotë një fjalë të vetme për referendumin popullor si kushti më themelor për të vendosur për këtë çështje. Gjithashtu ju drejtohem sipërmarrësve të riciklimit dhe u them bëni një gabim fatal të pranoni që të shkelmohet me një valixhe me 4 milionë euro të mafies transadriatike të plehrave, e drejta për referendum e qytetarëve shqiptarë. Ju bëj thirrje qytetarëve të mos pranojnë shkelmimin e një të drejte themelore kushtetuese të tyre, atë të demokracisë direkte apo të vendimit të popullit me referendum në emër të mafies italo-shqiptare të plehrave.

Artikulli paraprakKa shqetësim për plehrat krimi i organizuar, problem
Artikulli tjetërApel Presidentit të mos dekretojë ligjin