Arta Marku lë në këmbë kreun e Prokurorisë që heton bandën e Habilajve dhe Tahirit

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku i ka hequr makinën kreut të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, i cili po hëeton ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për bashkëpunim me Habilajt në trafikun e drogës.
Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj lëvizte prej kohësh me një automjet tip “Benz” me targa AA 237 HT. Por, sot në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme ai mbërri me një tjetër automjet.
Benz-i, i është marrë pasi rezulton se është pronë e organit qendror të akuzës. Arsyet janë të paqarta. Ama duket si pikënisja e një lufte të ftohtë me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku. Kjo e fundit e ftoi në takim Hajdarmatajn para një muaji dhe i ofroi mbështetje për hetimet ndaj Tahirit, por ndërkohë i heq automjetin.

Hetimet e prokurorisë së Katanias
Hetimet e prokurorisë së Katanias për grupin e Habilajve, pritet të kenë zhvillime të reja, pasi ka të dhëna që një nga anëtarët e grupitnjë shtetas italian që ka disa hyrje-dalje në Shqipëri nga Rinasi dhe Porti i Vlorës, mund të pendohet dhe të bashkëpunojë me autoritetet. Nga hetimet e prokurorisë shqiptare shtetasi Moisi Habilaj, në bashkëpunim me ish-ministrin Tahiri dhe zyrtarë të policisë së Shtetit ia ka dalë mbanë të trafikojë drogë.
Prokurorët e Krimeve të Rënda kërkojnë edhe pyetjen e Nezar Seitit, i cilësuar si financieri i grupit kriminal, i cili ndodhej në burg në Shqipëri, por u ekstradua drejt shtetit fqinj, në kundërshtim me ligjin. Në letërporosi theksohet fakti se, gjatë qëndrimit në paraburgim në vendin tonë, Seiti ka refuzuar të japë shpjegime rreth çështjes, ndaj kërkohet të pyetet nga autoritetet e drejtësisë atje për llogari të hetimit që po zhvillohet ndaj Saimir Tahirit.
Ekstradimi i Seitit u krye për t’i kyçur gojën, pasi kishte vendosur të fliste kundër ish-ministrit të Brendshëm. Rreth 2 javë më parë, organi i akuzës kërkoi ndihmë edhe nga Greqia, për të mësuar të gjitha lëvizjet e Tahirit në territorin fqinjë, vendet ku ka qëndruar, pagesat e kryera në resorte, apo hotele, personat me të cilët ka patur kontakt, si dhe mjaft detaje të tjera që mund t’i vlejnë hetimit.

Vetëm pasi të zbatohen këto letërporosi, atëherë Krimet e Rënda do të vendosin për fatin e dosjes që konsiderohet si një ndër çështjet më të nxehta, për shkak se i hetuari kryesor është ministri i Brendshëm më jetëgjatë në këto 28 vite. Për momentin, grupi i hetimit, është duke analizuar të dhënat e siguruara nga kompanitë celulare, apo dokumentet e sekuestruara nga institucione të ndryshme.
Hetimet ndaj Saimir Tahirit nisën në tetor të 2017, pas arrestimit të Moisi Habilajt dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në Catania. Pasi Prokuroria dështoi të dërgojë prapa hekurave ish-ministrin, për shkak se Kuvendi nuk e miratoi arrestimin e tij, javë më vonë, Tahirit iu ndalua e drejta për të dalë jashtë vendit.
Apeli për Krime të Rënda e prishi vendimin e Shkallës së Parë, duke i hequr masën shtrënguese ish-ministrit nën hetim. Aktualisht çështja në fjalë, ndodhet në Gjykatën e Lartë, pasi Prokuroria paraqiti rekurs.
Edhe pse Seiti ka qëndruar më shumë se tre muaj i paraburgosur në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk arriti t’i merrte atij asnjë dëshmi për aktivitetin kriminal për të cilin dyshohet. Burimet janë shprehur se, grupi i hetimit kishte tentuar vetëm në një rast të pyesë Seitin në paraburgim në Tiranë, tentativë e cila ka dështuar, pasi nuk ishte i pranishëm avokati i tij, por një avokat kryesisht.

Artikulli paraprakDetajet e reja nga mashtrimi 900 mijë dollarë, stomatologia në fushatë me Erion Braçen
Artikulli tjetërStudimi, shafrani i Indisë forcon kujtesën me 30%