Aromë divorci me Juventusin

Çështje e mbyllur? As mos e çoni nëpër mend! Pavarësisht fjalëve të qeta të përdorura nga Alegri në konferencën për shtyp para duelit me Porton, në të cilën ai konfirmonte lënien në tribunë të Leonardo Bonuçit, kaq ka mjaftuar që zërat e merkatos të rindizen. Madje, ky sherr i ashpër dhe masat e marra nga trajneri livornez (gjoba dhe dënimi në Champions) ka nxjerrë në sipërfaqe edhe prapaskena të tjera.
Duke iu referuar burimeve të “Gazzetta dello Sport”, pas sherrit në fushë kundër Palermos, Alegri dhe Bonuçi u konfrontuan edhe në dhomat e zhveshjes, ku pavarësisht ndonjë kontakti të vogël fizik, sherri nuk degjeneroi në një përleshje fizike, ndonëse fjalët që kanë vërshuar kanë qenë shumë të rënda.
Natyrisht që ky ishte edhe një sinjal i fortë kundrejt “rebelëve” të tjerë që u shfaqën në këtë sezon, si Khedira e Manxukiç fillimisht, e më pas Dibala e Lihshtajner, por mbrojtësi ka shprehur pranë familjarëve të tij zhgënjimin, sepse ai duhej të paguante për të gjithë. Kjo, sidomos pas besnikërisë që ai i shprehu Juventusit, duke refuzuar 40 milionë euro për pesë sezonet e ardhshme nga Mançester Siti…
Gjithsesi, kjo pistë mund të hapet sërish, sepse duke parë edhe problemet familjare të kaluara pas sëmundjes së djalit të vogël, kjo ishte një goditje e rëndë që ai mori dhe ndoshta, një ndryshim ambienti mund të ishte një lëvizje qetësuese. Pa dyshim që Pep Guardiola e mirëpret krahëhapur, por edhe Antonio Konte dhe Çelsi i tij janë gati që të hidhen në sulm, për t’i rrëmbyer Juventusit një prej mbrojtësve më të mirë në qarkullim.
Dhe si për të përforcuar më shumë këtë gjendje të rënduar të lojtarit, janë imazhet që erdhën dje nga stadiumin “Do Dragao” i Portos, ku përveçse e pa ndeshjen larg Marotës dhe Nedvedit, i ulur në një karrige të lartë, ai mbeti i ngrirë edhe te goli i Pjacës, duke mos festuar dhe duke qëndruar i ftohtë, edhe ndaj një përqafimi të “arushës çeke”.

Artikulli paraprakFitorja nga stoli
Artikulli tjetërMavraj ndërpret stërvitjen