“Apostulli” i Ilir Ikonomit, botim i UET Press, promovohet në Universitetin e Harvardit

Studenti i parë i shquar shqiptar rikthehet në Harvard. Biografia më e re për Fan Nolin, me autor studiuesin Ilir Ikonomin dhe botim i UET Press, do të promovohet në ambientet e Universitetit të Harvardit. Autori ka njoftuar në rrjetet sociale se aktiviteti do të zhvillohet më 16 mars, në Boylston Hall, me mbështetjen e  degës “Vatra” në Boston dhe Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Harvardit.

Ikonomi tregon historinë e Fan Nolit me Harvardin, me të cilin pati probleme për shkak se nuk kishte diplomën e shkollës së mesme, pavarësisht se zotëronte disa gjuhë të huaja dhe njohuri të mira mbi disa fusha, duke prevaluar mbi shumicën e studentëve të kohës. Madje ai zbulon një letër të Nolit drejtuar presidentit të Harvardit, ku i kërkonte të merrej parasysh formimi i tij.

Gjithsesi, Noli zhvilloi 3 vite studime me mbështetjen e kishës dhe miqve, si dhe me bursën e akroduar nga universiteti.

“Noli ka qenë në Harvard nga viti 1909 deri në 1912. Në atë kohë jetonte me rrogën që i jepte Kisha Shqipe, rreth 60 dollarë në muaj (rreth 2,000 dollarë sot) dhe me borxhet që merrte nga Kisha dhe nga miqtë. Universiteti i dha një kredi vitin e parë, pastaj ai u kualifikua për bursë. Kredinë nuk e ktheu kurrë dhe mund të thuhet se e bëri universitetin falas.

Për nga dijet, Noli qëndronte shumë më lart se sa studentët e tjerë të kursit. Ai kishte mbaruar një gjimnaz klasik grek në Adrianopojë (Edrene), dinte disa gjuhë, kishte njohuri të mira për historinë, letërsinë dhe artet por nuk e kishte diplomën e shkollës së mesme dhe kjo u bë problem i madh për rektoratin. Profesorët ngurronin ta kualifikonin për gradën Bachelor.

Në shtator 1910, Noli i shkroi kështu presidentit të Harvardit: “Edhe nëse supozojmë se nuk kam mbaruar ndonjë gjimnaz, komiteti nuk mund të mos marrë parasysh, pa u treguar i padrejtë, rastin e veçantë të një aplikanti, i cili është i gatshëm të provojë njohjen e mirë të gjashtë gjuhëve evropiane, përveç gjuhës amtare, shto këtu greqishten dhe latinishten dhe nja dy gjuhë orientale, të cilat nuk ia vlen t’i përmend”.

Noli u diplomua më 20 qershor 1912 me gradën Bachelor of Arts, cum Laude. Në të njëjtën ditë Faik Konica mori një Master of Arts në gjuhët romane. Ai ishte diplomuar kohë më parë në Francë para se të vinte në Amerikë. Konica shpresonte të bëhej profesor universiteti pas masterit që mori në Harvard.

Ceremonia e diplomimit të tyre dhe e dhjetra studentëve të tjerë atë të dielë qershori u bë në Sanders Theatre, një ndërtesë që ndodhet në 45 Quincy Street, shumë afër sallës ku ne do të bëjmë promovimin e librit Apostulli.

Shihemi pra në Boylston Hall, 103 Harvard Yard, për të folur për studentin e parë shqiptar të shquar të këtij universiteti. Do të sjellim edhe libra në promovim”, shkruan Ikonomi.

900 0 1709742983x430752991 10161216889603684 2423649554479482223 n 504

Artikulli paraprakRaporti i KE: Gazetarët vazhdojnë të përballen me kërcënime, presione dhe kufizime
Artikulli tjetër“PD u nda për shkak të dy qëndrimeve mbi marrëdhënien dhe kërkesave të SHBA”. Nënkryetari demokrat, Çollaku: Bashkimi ndodh nëse bie shkaku për të cilën u ndamë, marrëdhënia me SHBA