Analizë nga Sebastian Zonja/ I mblodhi frika nga protestat apo dashuria për Palestinën?

Në një studim përpara disa kohësh, popullsia e gadishullit arabik dilte më pak racistja në botë. Me gjasë, feja islame dhe qytetërimet e mëdha të atij rajoni kanë sjellë një qasje të këtillë.

Së fundmi, lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza ka ndezur një valë protestash masive në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, duke i shtënë frikën liderave të këtyre vendeve ndërsa u sjell në vëmendje të ashtuquajturën Pranvera Arabe.

Po ashtu, një valë e gjerë antisemite me shënjestër izraelitët është ndezur kudo.

Duke qenë se shumë myslimanë e shohin veten një bashkësi në të gjithë botën, mendojnë se e njëjta gjë vlen edhe për hebrenjtë, çka nuk është e vërtetë.

Bota nuk është e ndarë në islamofilë dhe islamofobë. As në hebrenj dhe johebrenj.

Ndërkohë, kësaj furie të të shtypurve nga kolonizimi dhe imperializmi Perëndimor shekullor si dhe nga qeveritë e tyre aktuale, i fryn edhe më shumë Rusia dhe Kina duke fuqizuar narrativën anti-amerikane dhe anti-izraleite.

Vlen të theksohet se “Traktatet e Sionit” i ka nxjerrë Rusia cariste në fazën e saj të delegjitimimit të fuqisë hebreje, duke ardhur më pas te konspiracionet se komunizmi ka prapavijë hebreje.

Sot, boshti sino-rus po i kundërvihet fuqisë amerikane në rajon, e cila është më e madhja ushtarakisht.

FB IMG 1699776039028

Në këtë fotografi të së shtunës janë liderat e vendeve me shumicë myslimane të mbledhur në Riad të Arabisë Saudite.

Tema qendrore është situata e luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Nuk kanë një vend lider, çka e thonë shumë autorë që shkruajnë për gjeopolitikë. Perëndimi e ka. Është Amerika.

Po të shohësh rreshtimin, është interesant: në qendër ndodhet princi i kurorës në Saudi, Mohamed Bin Salman; krah tij mbreti i Jordanisë dhe presidenti i Autoritetit Palestinez; më pas vjen presidenti turk Erdoan dhe homologu iranian Raisi, në krahun tjetër presidenti i Egjipitit dhe ai i Sirisë.

Ndryshe nga Lindja e Mesme, Amerika, Franca dhe Gjermania, Perëndimi në shumicë, po proteston kundër luftës në kuadër të të drejtave të njeriut. Vendet me shumicë myslimane po protestojnë në shumicë për arsye fetare.

Ka një ndryshim botëkuptimi në këtë mes. Për shembull, i thonë Perëndimit të mos jetë i krishterë, edhe pse e ka në rrënjë këtë identitet, ndërkohë që nuk ja pranojnë as logjikën e lirisë dhe të të drejtave të njeriut.

Ndaj, nuk e kuptuam pse u mblodhën:
– frika nga protestat popullore (edhe pse janë në shumicë vende autokrate)?
– Dashuria për Palestinën (edhe pse secili e shfrytëzon si kauzë për pragmatizëm)?
– Urrejtja ndaj Izraelit si partneri special amerikan në rajon?
– Inati ndaj Perëndimit, se dikur ata kanë qenë më lartë si qytetërim, por sot mbahen me lavdinë e së shkuarës?

Thjesht janë të përçarë, sepse të bashkuar do kishin zgjidhur shumë probleme. Ideja e panarabizmit nuk funksionon.

As e panislamizmit. Duhet të gjejnë si të bashkëjetojnë dhe fuqizohen.

Kanë një vend në NATO, Turqinë dhe një fuqi bërthamore, Pakistanin si dhe fuqinë e madhe të gazit dhe naftës, Iran – Saudi.

Artikulli paraprakAnalizë e Zërit të Amerikës: Ngjashmëritë dhe dallimet mes ndikimit rus dhe kinez në Ballkan
Artikulli tjetërGreqia fundos Kreshnik Hajdarin, sjell vendimin e dënimit të bashkiakut të Kuçovës. KQZ mblidhet të martën, diskuton rezultatin