Alegri, 5 përgjigjet që mori pas Kaljarit

Kundër Sevijes la Pjaniçin jashtë formacionit titullar dhe barazoi… Kundër Interit “harroi” në pankinë Higuainin dhe humbi… Por me Kaljarin, me të dy këta në fushë, Juventusi dha spektakël dhe fitoi me goleadë. Me pak fjalë, Masimiliano Alegri mori një leksion të mirë nga ndeshja e së mërkurës, sepse fitorja me sardët i dha pesë përgjigje, mbi të cilat ai duhet të meditojë, të heqë dorë nga eksperimentet…
1) Pjaniç i avancuar
Nuk është për t’u përjashtuar se ndoshta në të ardhmen ai do të jetë një ndër organizatorët më të mirë përpara mbrojtjes, por, ndërkohë, Juventusi ka nevojë që Pjaniç të luajë në zonën e nxehtë si mesfushor i avancuar, në mënyrë që të ekzaltojë cilësitë e tij, të ketë liri veprimi dhe me paparashikueshmërinë e tij dhe pasimet e sakta të furnizojë shokët e sulmit. Kundër Kaljarit, duke luajtur pranë zonës së sulmit u pa qartë se bardhezinjtë rrezikuan më shpesh portën kundërshtare sidomos për meritë të tij.
2) Higuain nuk preket
Në pjesën e parë i dha hov golit të Ruganit dhe shënoi vetë, ndërsa në të dytën goditi katër herë portën, por gjithmonë duke përhapur panik në zonën e Kaljarit. Me pak fjalë, kur ke Higuainin në skuadër duhet të luajë ai.
3) Lemina do komoditet
Paraqitja e gabonezit ishte fantastike, por duke luajtur i spostuar djathtas në mesfushë, jo përpara mbrojtjes, si zëvendës i Khedirës. Në disa raste bëri edhe disa lëvizje “alla Pogba”, duke treguar qartë se atij cilësitë nuk i mungojnë, por kërkon një vend komod në fushë që të jetë edhe më i dobishëm. Me Daniel Alveshin kuptoheshin me sy mbyllur, madje duke ndërruar shpesh edhe rolet, zgjedhje kjo e dy futbollistëve, e cila mund të jetë një lëvizje taktike efikase për të ardhmen.
4) Hernanes “regjisori”
Deri të mërkurën, mund të ketë marrë më shumë ofendime dhe vërshëllima sesa duartrokitjet, por braziliani tani është futur në ingranazhet e regjisorit të lojës në fazën defensive. Ndoshta, më shumë sesa Pjaniç dhe Lemina është ai zëvendësuesi ideal i Markizios. Di të shpërndajë lojën, por tashmë edhe të rikuperojë shumë topa. I pjekur!
5) Rugani rritet
Në fushë duket pak, duke qenë se mbrojtja është e mbuluar me kampionë të mëdhenj, të cilët është e vështirë t’i konkurrosh. Por së fundmi, sa herë që i riu ka pasur besimin e Alegrit ka ofruar paraqitje shumë pozitive, madje kundër Kaljarit konfirmohet mjaft mirë jo vetëm në fazën defensive, por edhe në zonë di të mbizotërojë në lojën në ajër.

Artikulli paraprakShifra marramendëse
Artikulli tjetërSkandali me uniformat reagon Prokuroria: Tahiri gënjen