“Aleanca” taktike e Thaçit dhe Vuçiç

Bodo WEBER

Më 10 maj, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, në pushtet e kryesuar nga presidenti Hashim Thaçi i dha fund koalicionit të padëshiruar me Ligën Demokratike të Kosovës, LDK duke përdorur votën e mosbesimit të opozitës kundër qeverisë të kryesuar nga lideri i LDK, Isa Mustafa për ta arritur këtë. Vota ngriti kushtet për zgjedhje të parakohshme, të cilat duhen mbajtur para pushimeve të verës.
Por llogaritë pas lëvizjes së PDK për të kërkuar mbështetjen e votuesve në këtë kohë mbeten të fshehura nga publiku.
Analistët theksojnë se publikimet e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale pritet të shënjestrojnë një numër zyrtarësh të lartë të PDK. Ata këmbëngulin se nxitja e pasuksesshme e Thaçit së fundmi për një ushtri të Kosovës synonte të dobësonte LDK përpara zgjedhjeve të parakohshme.
Ciladoqoftë arsyeja, zgjedhjet e parakohshme do të ndikojnë në dialogun e kryesuar nga BE-ja me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, i lançuar më 2011, tri vite pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, pavarësi që Beogradi nuk e njeh.
Një ndryshim në qeverinë e Kosovës, edhe nëse ndërtimi i koalicionit vazhdon i qetë, kombinuar me zgjedhjet presidenciale të Serbisë mbajtur në fillim të pranverës – dhe zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë këtë vjeshtë – është thuajse e sigurt të çojnë në pezullimin de fakto të dialogut për pjesën tjetër të 2017 – viti i katërt i humbur që nga nënshkrimi i marrëveshjes në prill 2013.
Më 2014, ishte kombinimi i zgjedhjeve parlamentare serbe dhe të Kosovës, pasuar nga një krizë gjashtëmujore për formimin e një koalicioni qeveritar në Kosovë që pezulluan dialogun deri në fillim të 2015.
Më 2016, ishte kombinimi i zgjedhjeve të parakohshme sërish në Serbi dhe konfliktit politik në Kosovë për votimin e Thaçit tashmë në zyrën e presidentit që e paralizuan dialogun edhe një herë.
Viti 2017 filloi me Serbinë që dërgoi një tren në Kosovë me fjalët “Kosova është Serbi”, duke ngritur sërish tensione dhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç që ngriti tensione nacionaliste për konsum të brendshëm që e çuan dialogun në pikën më të ulët ndër vite, duke e inkurajuar Thaçin të bënte manovrën e ushtrisë.
Reagimi i zyrtarëve të BE dhe SHBA për zgjedhjet e parakohshme të Kosovës ishte i parashikueshëm dhe pasoi një formë të qartë tashmë. Megjithëse të pakënaqura me pasojat e shkëputjes që do të sillnin zgjedhjet e parakohshme, BE dhe SHBA rezultuan të paafta të bindin liderët politikë të Kosovës të tërhiqen nga manovrat e tyre të brendshme.
Në dështimin e tyre, ata kaluan në fatalizëm, nën petkun e hollë të argumentit pseudodemokratik se kundërshtimi i zgjedhjeve të parakohshme do të ishte ndikim i jashtëm me çështjet e brendshme të Kosovës.
Por frekuenca e zgjedhjeve paralele në Kosovë dhe Serbi – ku të paktën njëra nga të dyja është gjithnjë në zgjedhje të parakohshme – tregon raportin reciprok mes Perëndimit dhe politikës së brendshme.
Këto çojnë në një aleancë të fshehtë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit që synon të vërë në lojë sistemin.
Si Thaçi dhe Vuçiç mbeten partnerët kryesorë të Perëndimit falë zotimit të tyre të deklaruar për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjes së prillit. Të dy marrin legjitimitet të brendshëm dhe autoritet nga ky partneritet me Perëndimin.
Në këmbim, Perëndimi ofron lëshime për të dy në lidhje me mungesën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendet e tyre respektive.
Reagimet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Serbisë e kanë forcuar kontrollin autoritar të Vuçiçit në pushtet. Në Kosovë, aktorët kryesorë perëndimorë në vitin 2014 ndihmuan PDK-në në ruajtjen e pushtetit duke parandaluar shumicën opozitare në Parlament që të formonte një qeveri.
Në të njëjtën kohë, aleancat e heshtura të Thaçit dhe Vuçiçit kanë shtyrë pafund zbatimin e Marrëveshjes së Prillit – planifikuar fillimisht për t’u përfunduar në fund të vitit 2013 – duke ndihmuar kështu në mbajtjen e marrëdhënieve të tyre të veçanta me Perëndimin për sa kohë të jetë e mundur.
Natyra e heshtur e kësaj aleance Prishtinë-Beograd e bazon ekzistencën e saj me karakterin e vërtetë të nacionalizmit etnik siç u zbulua gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990.
Thelbi i nacionalizmit etnik nuk ndodhet në qëllimin e shpallur publikisht për zgjidhjen e “çështjes kombëtare” apo në narracionin nacionalist të marrë me vlerë nominale.
Përkundrazi, dështimi për të siguruar sovranitetin e plotë kombëtar dhe integritetin territorial të vendit është bërë arsye për sundimin e elitave politike nacionaliste; një kërcënim i jashtëm i përhershëm dhe gjendja e jashtëzakonshme legjitimon sundimin e tyre jo demokratik dhe të korruptuar.
Ngritja e tensioneve nacionaliste pranë nivelit të dhunës në Serbi dhe karakteri i zgjedhjeve në të dyja vendet përfaqësojnë një formë më të butë të asaj që po ndodhte gjatë viteve 1990.
Rezultatet e bashkëpunimit të heshtur të Prishtinës dhe Beogradit janë gjithnjë e më shkatërruese – si në atdhe dhe për dialogun.
Në Serbi, Vuçiç ka krijuar një sistem autokratik. Progresi i bërë më herët në demokraci, në sundimin e ligjit dhe lirinë e medias është përmbysur në mënyrë të vazhdueshme. Nuk ka opozitë serioze politike nga brenda për këto zhvillime.
As Kosova nuk është një demokraci funksionale dhe nuk i përmbahet sundimit të ligjit. Formimi i qeverisë në vitin 2014 jo vetëm që përmbysi parimet demokratike themelore, por vuri në pozitë më të vështirë opozitën duke paralizuar Parlamentin dhe duke bllokuar procesin e integrimit të vendit në BE.
Për më tepër, suksesi i dialogut është bërë gjithnjë e më i dyshimtë. Pas fillimit të shpejtë të marrëveshjes së prillit të vitit 2013, 2017 është i katërti vit i zvarritjes së zbatimit të plotë. Njëkohësisht, integrimi i disa institucioneve të vogla në veri të Kosovës është minimal në krahasim me 300 institucionet shtetërore serbe që vazhdojnë punën.
Mënyra e diskutimit të liderëve politikë të Serbisë në vitin 2013, ku pranonin se Kosova ishte humbur, që nga ajo kohë është përmbysur duke treguar për një “status neutral” të dialogut dhe deri te kërcënimit e janarit 2017 për marrjen e Kosovës me luftë.
Dialogu shkatërroi një parti serbe në Kosovë që ishte besnike ndaj Republikës së Kosovës dhe krijoi një sistem njëpartiak serb, besnik ndaj Beogradit, Listën Srpska, e cila është thellësisht e shtrirë në institucionet shtetërore të Kosovës.
Ndërkohë, manipulimi i Kosovës nga Beogradi për qëllime të brendshme i jep elitave qeverisëse në Prishtinë një justifikim që të mos angazhohen me serbët në veri, kështu duke mos i trajtuar ata si qytetarë të Kosovës.
Politika e Perëndimit për tregtimin e demokracisë për dialogun ka çuar në më pak progres në dialog – duke e kthyer dështimin e plotë në një opsion real. Kjo zbulon se politika perëndimore dominohet nga një qasje taktike, të cilës i mungon një strategji afatgjatë.
Vitin e kaluar, zyrtarët e BE-së u ankuan nën zë për mungesën e një master plani dhe thanë se kjo po dëmtonte punën e tyre dhe suksesin e dialogut.
Një plan master ekziston – ai që mbulon aspektet teknike dhe procedurale të përpjekjes së dialogut.
Ai u hartua në vitin 2014 nga Drejtoria e Përgjithshme e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe u krijua në kuadrin e negociatave të pranimit në BE, që në një dispozitë kyçe parashikon se Kosova do të ndahet efektivisht nga territori i Serbisë përmes 34 kapitujve të parë të “negocimit” të pranimit.
BE-ja e ka lejuar Beogradin ta fshehë këtë fakt nga publiku serb.
Por ç’ka mungon është një master plan, gjithpërfshirës. Pa këtë, BE-ja dhe SHBA-ja rrezikojnë të vazhdojnë dëmtimin politik që po ndodh në Kosovë dhe Serbi dhe gjasat e dështimit total të dialogut.
Për të shmangur një skenar të tillë të rrezikshëm, qeveria që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të shtatorit në Gjermani duhet të rivitalizojë urgjentisht dialogun duke konfirmuar rolin e vet kryesor.
Berlini duhet të përgatisë një master plan strategjik për dialogun. Duhet të fillojë duke përcaktuar pikën përfundimtare – njohjen e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë përpara anëtarësimit në BE, anëtarësim të Kosovës në të gjitha institucionet me rëndësi ndërkombëtare dhe integrim të plotë të veriut në Kosovë – dhe pastaj të përshkruajë çdo hap që duhet të ndërmerret për ta arritur atë.
Një qasje e tillë strategjike do t’i jepte fund politikës së dështuar të shkëmbimit të demokracisë për dialogun.

Artikulli paraprakTrump me Akademinë e Rojes Kufitare në Nju London
Artikulli tjetër90 ditët e protestës në çadër që bënë historinë