Aleanca e ‘’qelbësirave 2” mund t’i shërbejë shumë drejtësisë shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, në një debat televiziv, gazetari Mustafa Nano nxori shprehjen e famshme “të gjithë qelbësirat të bëhen bashkë me qëllim që të largojnë Sali Berishën’’.

I vendosur në vështirësi nga argumentet e Henri Çilit për çështjen e rotacionit, ku ky i fundit mbronte tezën se opozita nuk kishte as moral dhe as program më të mirë se qeveria në ato kohë, dhe në këtë kuptim nuk ishte asnjë arsye për rotacion. Mustafa Nano gjeti të vetmin argument për të mbrojtur rotacionin, si qëllim kryesor largimin e Sali Berishës, dhe për këtë arsye të gjithë duhet të bëheshin bashkë.

Për të nuk ishte e rëndësishme nëse kishin moral apo jo kundërshtarët e Berishës, kishin program më të mirë apo jo. Rëndësi kishte vetëm largimi i Sali Berishës. Prandaj le të mblidheshin të gjithë qelbësirat bashkë në një aleancë kundër Berishës. Që nga ajo kohë kjo frazë hyri në zhargonin politik dhe mediatik shqiptar si një koncept makiavelist, ku për të arritur qëllimin mund të përdorej çdo gjë dhe çdo kush.

Sot ka një aleancë tjetër që duket në sfond. Një aleancë që mbledh njerëz të akuzuar nga drejtësia apo që kanë procese në SPAK, të cilët gjithmonë e më shumë po bëhen bashkë për të sulmuar dhe akuzuar politikanë të tjerë apo edhe organin e ri të drejtësisë SPAK, me iluzionin se do të shpëtojnë veten në sytë e opinionin publik shqiptar.

Sepse armiku për t’u mundur sot është SPAKU dhe drejtësia, apo edhe politikanë të tjerë që ende nuk kanë përfunduar atje. Në këtë turravrap se kush ti shpëtojë drejtësisë, po krijohen aleanca politike apo individuale, pikërisht për t’ju kundërvënë njeri tjetrit.

Megjithatë, po ta shohësh nga një këndvështrim tjetër, kjo aleancë mund ti shërbejë shumë drejtësisë shqiptare. Për të shpëtuar veten apo për ti bërë keq kundërshtarëve politik, ata gjithmonë po flasin për drejtësinë, gjithmonë po japin të dhëna dhe indicie për SPAK. Me idenë se po i bëjnë keq kundërshtarëve politikë, ata po i bëjnë një shërbim drejtësisë shqiptare në këtë luftë që kanë nisur midis tyre.

Një nga këto raste është edhe intervista që do të japë sot ish zv.kryeministri i Shqipërisë Arben Ahmetaj nga arratia. Një person të cilin nuk e kap dot SPAK, por e kap Çim Peka. Sigurisht për Çim Pekën kjo është një arritje profesionale, dhe me të gjitha gjasat audienca do të jetë maksimale. Ashtu sikurse ka paralajmëruar vetë gazetari, Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta, madje dhe akuza për politikanë të rëndësishëm të Shqipërisë, deri te kryeministri. Nuk dihet ende nëse do të ketë akuza domethënëse, por nëse ka të tilla, e ndihmojnë shumë opinionin publik.

Të gjitha akuzat duhen vërtetuar më pas, aq me tepër kur bëhen nga një njëri që është vetë nën akuzë, dhe duhen marrë me rezerva. Megjithatë, të gjithë këta të akuzuar të drejtësisë që gjithmonë e më shumë nxjerrin emra të pushtetarëve të lartë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e ndihmojnë drejtësinë në Shqipëri.

Ndoshta janë njerëz të pabesueshëm, të shpallur “non-grata”, apo nën akuzë. Njerëz të cilët konsiderohen si të korruptuar. Por aleanca e tyre kundër këtij pushteti, për të cilin ata mendojnë që i ka çuar përpara drejtësisë, nxjerrë në pah mekanizma dhe lidhjet e errëta të tij dhe janë një material i mirë jo vetëm për drejtësinë institucionale, por edhe për atë të opinionit publik.

Nëse SPAK vazhdon me këto ritme, me hetimet e tij në nivele të larta të pushtetit, gjithmonë e më shumë do të kemi njerëz që do të nxjerrin sekrete të pushtetit, njerëz që do të akuzojnë njëri-tjetrin, njerëz që do të denoncojnë rivalët e tyre për korrupsion. Të cilët, të gjendur nën thundrën e drejtësisë, do të mundohen të shpëtojnë vetë dhe të akuzojnë të tjerë. E duke bërë kështu, i shërbejnë shumë drejtësisë shqiptare. Pa dashur ndoshta, por rezultati ky do të jetë. /Liberale.al/

Artikulli paraprakDepresioni i pensionistëve/ Mjekët: Rastet në rritje për shkak se jetojnë vetëm
Artikulli tjetërCall center, sektori që po shkon drejt shuarjes, në pak vjet përgjysmohen punonjësit