Aktivistja i zbraz salcën në kokë Lindita Nikollës

Aktivistja e Lëvizjes “Për Universitetin”, Mirela Ruko, nuk ka hezituar, por ka derdhur një shishe me salcë në kokën e ministers së Arsimit, Lindita Nikolla. Ka qenë kjo shenjë e protestës që vajza 20-vjeçare ka shprehur ndaj ministres, e cila pretendon të ketë reformuar sistemin tonë arsimor. Akoma më të rëndë e bën pozitën e ministres, fakti se ajo ka qenë pjesëmarrëse në Samitin Studentor të FRESSH. Në video shfaqet vajza, e cila afrohet qetësisht tek vendi ku ishte ministrja dhe i zbraz në kokë të gjithë shishen që ajo kishte me vete. Vajza më pas është shoqëruar në Komisariatin Nr. 1 të Tiranës, ku është marrë në pyetje nga agjentët e policisë, ndërsa pjesëtarë të tjerë të lëvizjes protestonin jashtë Komisariatit Nr.1. Mirela Ruko është një studente nga Fieri, pjesë e grupit i cili një vit më parë qëlloi Edi Ramën me vezë, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale. “Në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, aktivistët e Lëvizjes “Për Universitetin” kryen një aksion simbolik kundër ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. E spërkatën me salcë, duke i bërë për një moment atë çka ajo dhe qeveria shqiptare i kanë bërë jetës universitare publike prej kohësh: shprishjen”, deklaroi Lëvizja në Facebook. “Prandaj ne kemi kërkuar dhe kërkojmë dorëheqjen e ministres Nikolla”, shkruhej në deklaratë. Në videon e postuar në profilin në Facebook të Lëvizjes “Për Universitetin”, shfaqet aktivistja, e cila i afrohet ministres së Arsimit dhe derdh salcë mbi të. “Veprimi i aktivistes sonë ishte një akt ndaj përgjegjësisë së shmangur të ministres Nikolla ndaj reformës së dështuar në Arsimin e Lartë, sistemit kaotik të Maturës Shtetërore dhe favorizimit të dukshëm të universiteteve private”, thanë pjesëtarë nga Lëvizja “Për Universitetin”. Aktivistët u kanë bërë thirrje studentëve të mblidhen përpara Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, ku është shoqëruar aktivistja që hodhi salcën ndaj ministres për të kërkuar lirimin e saj. Lëvizja “Për Universitetin” është një grupim i aktivistëve studentorë, të cilët kërkojnë reformimin e universiteteve në Shqipëri për të ofruar arsim të lartë falas dhe pavarësi të universiteteve nga ndikimi shtetëror. Që prej qershorit 2014, aktivistët kanë protestuar vazhdimisht kundër vendimeve të Ministrisë së Arsimit. Kaosi i pranimit të universiteteve shtetërore që erdhi pas ndryshimit të skemës së regjistrimit në fakultete në minutën e fundit, ka shkaktuar gjithashtu pakënaqësi të madhe te maturantët dhe studentët në vend, ndërsa Lëvizja e quajti skemën të dështuar dhe kërkoi dorëheqjen e ministres Nikolla.

Kush është Mirela Ruko

Mirela Ruko është 24 vjeçe nga Fieri, aktiviste e Lëvizjes “Për Universitetin”, ka mbaruar vetëm 3 vite Bachelor dhe më pas ka ndërprerë studimet për Master, pasi i duhet të punojë për të mbledhur 200 mijë lekë të reja, për të paguar tarifën e vënë pas miratimit të Reformës në Universitete, këtë të fundit ajo ka qenë ndër zërat që e ka kundërshtuar më fort. Mirela Ruko trego në një emision televiziv historinë e vështirë të jetës së saj: “Babai im ka punuar në një punë pa siguracione. Aktualisht, im atë ka probleme fizike dhe nuk mund të punojë. Mami im është ajo që kujdeset për të. Duke qenë se nuk ka pasur siguracione, nuk merr asnjë asistencë, apo ndihmë ekonomike, janë dy prindër pa punë, të cilët kanë 3 fëmijë në shkollë. Gjatë momenteve që unë kam mbaruar Maturën Shtetërore, prindërit e mi më thanë që unë nuk kisha mundësi të vazhdoja universitetin. Unë qaja , por gjithsesi thosha që unë do të vazhdoj. Dhe kur fitova shkollën, prindërit e mi më thanë që kishin marrë lekë borxh që unë të vazhdoj studimet universitare. Unë ja u kisha bërë të ditur prindërve, që nëse nuk gjenin mundësi do të largohesha nga shtëpia, për të gjetur një mënyrë se si të vazhdoja shkollën e lartë. Në vitin e parë erdha në shkollë, një vajzë e cila vinte nga një fshat i Fierit, përballë një Tirane kaotike. Duhet të gjeja punë, por nuk kisha mbështetje”, është shprehur Mirela. Më tej, studentja rrëfen se ka qenë shumë në vështrirësi saqë as lekët për konvikt nuk mund t’i bënte dhe kështu u detyrua të jetojë me disa shoqe në shtëpi me qira. “Me 50 mijë lekë të vjetra kam ardhur në Tiranë ditën e parë”, shprehet ajo. Po ashtu në këtë rrëfim të gjatë, Mirela tregon gjithë vështirësitë dhe thotë se disa prej shoqeve të saj e kanë ndihmuar me ushqime. “Babi im kur ka shkuar për të kërkuar bursë është nxjerrë jashtë, madje është qëlluar nga kryetari i komunës”, rrëfehet me lotë në sy përpara disa muajsh Mirela Ruko.

Artikulli paraprakRama arrogancë ndaj opozitës, Opozita betejë në Parlament
Artikulli tjetërKLSH në Rrogozhinë për fondet e rrugëve