AI ECËN DREJT FUNDIT, DUKE LËNË PAS KAOS/ DIMRI I VETMISË SË MADHE TË SALI BERISHËS

Kur vendimi i Sekretarit Blinken për ta shpallur “Non Grata” u bë publik, Sali Berisha mund të ishte tërhequr, mund t’i kishte mbledhur deputetët e PD-së, Lulzim Bashën, kryesinë dhe strukturat e tjera drejtuese dhe mund t’u kishte thënë që unë po iki në shtëpi, ndihma e vetme që dua nga ju është të punoni fort për të ardhur në pushtet dhe pastaj të shohim së bashku se ç’mund të bëjmë për ta zgjidhur këtë “hallin” tim.

Në vend që të tregohej i arsyeshëm, Berisha u shfaq më shumë se sa emocional, duke u mbytur në frikën nga përballja me drejtësinë dhe në egon e tejskajshme brenda vetes.

Pavarësisht se përgjatë dy viteve bëri gjithçka për t’i shpëtuar drejtësisë, nuk ia arriti dot.

Ndaj tij ka sot një masë arresti “detyrim paraqitje”, që shumë shpejt do të kthehet në “arrest me burg”, ndaj dhëndrit të tij ka një hetim dhe një masë “arrest me burg”, djali i tij është duke u hetuar dhe shumë shpejt mund të përfundojë në bankën e të akuzuarve, vajza është e shpallur “non grata”, ndërsa njerëz të afërt të klanit të tij janë duke u hetuar për çështje të ndryshme penale.

Sali Berisha u premtoi demokratëve se do ta bënte partinë më të hapur, ata do t’i bashkonte dhe do t’i sillte shumë shpejt në pushtet, mirëpo partinë e hermetizoi, demokratët i futi në luftë vëllavrasëse me njëri-tjetrin dhe grupimi i tij politik është më larg se kurrë nga pushteti, duke humbur çdo përballje me të.

Madje, edhe shfaqjes së përjavshme në Parlament i erdhi fundi.

Tanimë, cirku i deputetëve të “Rithemelimit” nuk i hyn më në punë as qeverisë.

Mbyllja e derës së Parlamentit është akti përfundimtar i “revolucionit”.

“Jeni të përjashtuar, shkoni dhe gjejeni të drejtën ku të doni!”

Imagjino një “revolucion” që do të ndryshojë fatin e vendit, nuk arrin dot të hyjë në ambientet e Kuvendit.

Teksa një pjesë e vogël e deputetëve të tij përplaseshin sot me punonjësit e gardës, Berisha u shfaq më i vetmuar se kurrë.

Ai është duke kaluar “dimrin e vetmisë së madhe”, pushtetit nuk i duhet më, sepse dëmi që i shkaktoi opozitës është i parikuperueshëm për një kohë të gjatë, demokratët e kanë braktisur, sepse i tradhëtoi shpresat dhe besimin e tyre, shqiptarët janë të pandjeshëm ndaj tij, sepse ata e njohin shumë mirë për shkak të kohës së gjatë në politikë.

Foto e vetmisë së Sali Berishës e përmbledh më së miri gjendjen e tij: AI ECËN DREJT FUNDIT, DUKE LËNË PAS KAOS.

Artikulli paraprak10 librat më të mirë të vitit 2023, Wall Street Journal rendit Kadarenë me librin “Kur sunduesit grinden…”
Artikulli tjetërSherr aleatësh për kryeministrin, Daçiç kërkon postin e kreut të qeverisë