Afera e pistë e Gjiknurit me CEZ/Dëshmia e Gharavit: Avokatja e Shtetit mbronte interesat e burrit tek CEZ jo të Shqipërisë

Armand MAHO

Alma Hicka dhe Damian Gjiknuri, kanë këmbëngulur fort që Shqipëria të dalë e humbur në lidhje me firmosjen e marrëveshjes ku pala shqiptare hiqte dorë nga e drejta për të kërkuar dëmshpërblimin nga kompania CEZ. Në raportin e hartuar për këtë çështje nga Zyra e Avokatisë Derain&Ghavari me qendër në Paris jep dhe qëndrimet e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, si dhe lojërat manipulative që janë bërë me këtë çështje. Sipas të njëjtit raport, ministri Damian Gjiknuri, ka ndërhyrë pranë nënkryetarit të Sekretariatit për Energjinë në Vjenë, Dirk Buschle, që të jepte një vlerësim ku të lavdërohej marrëveshja, me qëllim manipulimin e opinionit publik. Për sa i përket Alma Hickës, avokates së Shtetit, zyra në fjalë shprehet se ka qëndruar e paiinteresuar për këtë çështje për shkak të lidhjeve që bashkëshorti i saj Envi Hicka kishte me kompaninë CEZ. Sipas avokatit, kjo ishte një anomali që privoi qeverinë shqiptare prej mekanizmit të kontrollit të pushteteve. “Njëlloj surprizuese gjatë gjithë këtij procesi, ishte sjellja e Avokates së Përgjithshme të Shtetit, znj Alma Hicka. Avokatura e Shtetit është një entitet i pavarur që përgjithësisht është aktiv në përfaqësimin e Shtetit në arbitrazhet ndërkombëtare. Megjithatë, në këtë çështje Zyra e Përgjithshme e Avokaturës së Shtetit, edhe pse e përfshirë, qëndroi në tërësi pasive gjatë gjithë procesit. Nuk kërkoi që ne të përgatisnim një opinion ligjor në lidhje me mosmarrëveshjen me CEZ, ose nuk kërkoi që në të përfshiheshim në negociatat e zgjidhjes me pajtim ose në procesin e vendimmarrjes. Pavarësisht nëse kjo ishte apo jo një zgjedhje e vullnetshme etike, duke qenë se bashkëshorti i Avokates së Përgjithshme të shtetit, ishte ose është ortak në një firmë ligjore shqiptare, e cila përfaqësonte CEZ Shpërndarje sh.a, kur kontrollohej prej CEZ, kjo ishte një tjetër anomali, e cila e privoi qeverinë prej mekanizmit të kontrollit të pushteteve, e nevojshme gjatë një procesi të tillë”, shkruan në raportin e saj Zyra e Avokatisë. Pra, pretendimet e zonjës Hicka se nuk e dinte që në këtë çështje është në konflikt interesi, nuk qëndrojnë. Aq në dijeni ka qenë sa ka përjashtuar nga bisedimet zyrën e Avokatisë, nuk kërkoi një opinion të përgjithshëm ligjor mbi veprimtarinë e CEZ, vetëm e vetëm për faktin se pas gjithë kësaj zallamahie qëndronte bashkëshorti i saj, ortak në firmën e cila mbronte të gjitha veprimet e CEZ.sh.a

Roli i Gjiknurit

Por, një rol jo të vogël ka pasur në të gjithë këtë histori dhe Damian Gjiknuri, i cili sipas shkresës ka shkuar deri aty sa të kërcënojë përfaqësuesin e firmës që merret me këtë çështje. Gjiknuri, në një bisedë që ka pasur me përfaqësusin e zyrës, ka vënë në dyshim ndershmërinë e saj. “Në 20 maj të 2014-ës, pata një takim nga afër me ministrin Gjiknuri në Paris, gjatë të cilit ai dukej i shqetësuar nga fakti që unë po nxirrja në pah anomali, në kohën e qeverisjes së tij. Ai e ngriti këtë siç m’u duk mua asi një tentativë në mirëbesim për të kuptuar perspektivën e firmës tonë në një fushë dhe një çështje që dukej jo i familjarizuar, dhe me respekt i jam përgjigjur që i kam shërbyer Republikës së Shqipërisë, pavarësisht përbërjes së qeverisë përkatëse”, shprehet avokati. Më tej, sipas të njëjtit raportim, avokati shprehet se ka qenë vetë ministri Gjiknuri, që ka ndërhyrë pranë negociatorit Buschle, që të bënte komente në lidhje me marrëveshjen për ta nxjerrë sa më mirë qeverinë shqiptare. “Ishte vetë ministri Gjiknuri që i kërkoi zotit Dirk Boushle, që të bëjë komente në lidhje me çështjen, për t’í shitur marrëveshjen popullit shqiptar. Një tjetër anomali është fakti që ishte bërë çdo përpjekje për të kufizuar në sytë e popullit shqiptar shtrirjen e përgjegjësisë së pranuar nga qeveria shqiptare, sipas kushteve të zgjidhjes të rëna dakort me CEZ. Në veçanti, na u kërkua të përjashtonim dhe/ose të fshehim në Marrëveshjen për Zgjidhje, e cila ishte nënshkruar në 23 qershor 2014 dhe miratuar nga Parlamenti shqiptar në 31 korrik 2014, çdo referencë jo vetëm për faktin e përgjegjësisë shtesë për 108 milionë euro që ishte pranuar nga qeveria shqiptare në lidhje me pretendimin e DIA, por gjithashtu edhe për një marrëveshje të fshehtë, e cila nuk shkoi në Parlament, është lidhur në këtë drejtim”, shprehet avokati. Marrëveshja që shteti shqiptar ka bërë për DIA-n ende sot e kësaj dite nuk ka mbërritur në dyert e Kuvendit…

Roli i  Bouschle

Në ndihmë të qeverisë shqiptare ka ardhur dhe Dirk Buschle, ndërmjetësi i bisedimeve mes palëve. Kjo ka bërë që avokatët e Shqipërisë, të mbeten të pakënaqur nga sjellja jo korrekte e tij, duke u bërë palë sipas avokatëve në dëm të interesave shqiptare. Në fakt kjo ishte ajo çka kishte kërkuar vetë Gjiknuri, nga nënkryetari i Sekretariatit për Energjinë në Vjenë. “Ne më pas vumë re anomali të mëtejshme. Për shembull z.Dirk Buschle ndërmjetësi i bisedimeve ndërmjet palëve, bëri një koment të papërshtatshëm në një artikull online, duke nënkuptuar se sipas tij, Shqipëria ka bërë zgjedhjen e duhur për t’ú bërë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ndërmjetësit kanë për detyrë të ruajnë konfidencialitetin dhe për më tepër duhet të përmbahen kur tregojnë gishtin karshi njërës apo tjetrës palë. Ne menjëherë reaguam, jo vetëm për korrigjimin e kësaj deklarate anormale, por gjithashtu për të komunikuar se z. Dirk Buschle e ka bërë këtë deklaratë në shkelje të detyrave si ndërmjetës i pavarur. Ne gjithashtu informuam ministrin Gjiknuri mbi çështjen”,  thuhet në paragrafin kur flitet në lidhje me detyrat që duhet të ketë ndërmjetësi në këto lloj marrëveshje.

Afera e CEZ

Jemi përpara një shkeljeje të paramenduar të ligjit. I gjithë enturazhi që është marrë me këtë çështje e ka ditur fare mirë se çfarë po ndodhte, e dinte fare mirë dëmin që po i shkaktohej shqiptarëve. Alma Hicka, e cila duhet të kishte rolin më aktiv në këtë çështje, është munguar të pengojë punën e avokatëve. Damian Gjiknuri, ministri i linjës, është munduar ta shesë si sukses humbjen e 600 milionë eurove që vjen si pasojë e një marrëveshjeje korruptive. Më e bukura është se shteti shqiptar jo vetëm që nuk ka marrë asnjë qindarkë nga kompania, e cila ka vepruar si bandë banditësh, ka marrë paratë e debitorëve, ka hyrë në borxh me KESH, dhe nuk ka bërë asnjë investim sipas marrëveshjes, por nga ana e shtetit shqiptar i janë dhënë dhe 96 milionë euro të tjera. Sipas asaj çka shpjegoi kryeministri ynë, kjo ishte bërë që Shqipëria të mos humbiste pjesën tjetër pra 400 milionë euro. Që kryeministri ynë është një njeri me një shkollim jo të mirëfilltë për atë pozicion, ndoshta mund ta dijmë, por qëllimin e tij për t’i kthyer të gjithë shqiptarët në leshko, s’mund ta kuptojmë. Çdo njeri me një formim minimal juridik do e kuptonte fare mirë, se zgjidhja e marrëveshjes me CEZ erdhi, pasi kjo kompani nuk zbatoi asnjë nga detyrimet, të cilat kishte marrë përsipër. Dhe në rast se ke detyrime të pashlyera, dhe një kontratë që e provon këtë marrëveshje, atëherë ska gjykatë që sta jep të drejtën. Ndoshta këtë e di fare mirë edhe bashkëshorti i Alma Hickës, që ka qenë nuni i shumë kontratave që CEZ ka lidhur me nënkontraktorë të tjerë.

Hicka mendon se zyra e Avokatit të Shtetit është personale

E ndërsa përditë dalin fakte e dëshmi që provojnë se Alma Hicka është përzgjedhur në atë post për të mbuluar aferat korruptive të Ramës, ajo sërish dje vazhdoi me arrogancën e saj, që i buron nga mbështetja politike dhe fijet me qark të shkurtër korruptiv, duke bërë që të dështojë dhe seanca. Vetë zonja Hicka i është drejtuar komisionit me një shkresë zyrtare të çuditshme, e cila pretendonte se s’mund të bënte deklarata para deputetëve me të cilët ka konflik interesi, duke iu referuar gjyqeve të ndryshme, ku Avokatura e Shtetit është pjesëmarrëse. “Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho dhe anëtarët e tij Jorida Tabaku dhe Helidon Bushati, vetë ose përmes familjarëve, janë palë në dhjetëra gjyqe kundër shtetit shqiptar”, deklaroi Hicka. “Të jeni e qetë se ju me mua nuk keni asnjë konflikt interesi, për asnjë çështje, as civile, as penale”, reagoi kryetari i komisionit, Spaho. “As unë, as bashkëshortja ime nuk kemi asnjë konflikt interesi”, tha më tej deputeti Helidon Bushati. Për opozitën parlamentare, që është edhe kërkuese e hetimit, kjo është një manovër për të mos lejuar marrjen e dëshmisë. Ndërsa anëtarët socialistë, në fakt në mënyrë specifike zoti Shalësi i cili njihet për injorancën e tij juridike kërkuan të merret në shqyrtim kërkesa e Avokates së Shtetit për të sqaruar rrethanat. “Zonja Hicka ju do të largoheni nga ky komision dhe propozoj që procesi të pezullohet deri në sqarimin e rrethanave”, tha deputeti socialist Eduard Shalsi. “Nëse largoheni, të hënën më datë 16 do të vini sërish me polici”, paralajmëroi kryetari Edmond Spaho. Asnjë prej anëtarëve ose familjarëve të afërt të këtij komisioni nuk kanë konflikt interesi me zonjën Hicka, madje as me zyrën që ajo përfaqëson. Por me deklaratën e saj Hicka, tregon injorancën më të lartë në njohjen e ligjeve të shtetit. Zonja që pretendon të mbrojë shtetin, harron se përfaqëson zyrën e Avokatit të Shtetit dhe jo çiflikun e saj personal. Edhe sikur anëtarët e komisionit apo familjarë të tyre të kishin ndonjë çështje gjyqësore, ato nuk e kanë me zonjën Hicka, por me Avokaturën e Shtetit, e cila përfaqëson shtetin në gjyq për shumë çështje, si pronat, gjobat, taksat apo tatimet apo dhe ligjet që bien ndesh me grupe të caktuara interesi. Në rast se ajo e sheh personale, si fjala vjen  në rastin e Taulant Ballës, atëherë Hicka është në konflikt interesi me 30 për qind në mos më shumë të shqiptarëve, që kanë çështje të tilla në gjykatë. Një interpretim i tillë është për turp dhe tregon derexhenë e formimit që zonja shfaq në punën e saj në këtë institucion të rëndësishëm!

Çifti Hicka dhe fijet e një “historie suksesi” sorosiane?

Në rast se ke një problem me shtetin, mjafton të shkosh në zyrën ku është i punësuar bashkëshorti i Alma Hickës dhe gjërat zgjidhen menjëherë, natyrisht duke paguar dhe tarifën e kripur të shërbimeve të kësaj zyre. Kjo sepse përgatitja “profesionale” dhe karriera e zonjës është investim direkt i kësaj zyre për shkak të lidhjeve që kanë ortakët me kryeministrin Rama. Çështje pronash, tatimesh apo doganash dhe gjithçka që ka lidhje me interesat e ndryshme të individëve kundër shtetit shqiptar mund të rregullohen lehtësisht atje. Dhe s’ka se si ndodh ndryshe. Natyrisht ka pasur dhe raste kur gjyqtarë me integritet e kanë pezulluar çështjen, pasi akuzuesi ka qenë fjala vjen Envi Hicka, ndërsa mbrojtësja Alma Hicka ose anasjelltas! Zonja, e cila bënte arroganten dhe të paditurën në Komisionin hetimor për CEZ e di mirë këtë fakt! Siç di dhe faktin se ka qenë zyra e bashkëshortit të saj, ajo që ka mbrojtur ministrin Gjiknuri në Prokurori, kur ky i fundit së bashku me zonjën Hicka u akuzuan nga KLSH për veprime abuzive që i shkaktuan shtetit rreth 600 milionë euro dëm me tërheqjen nga çështja në arbitrazh.

Emërimi

Emërimi në krye të institucionit të Avokatit të Shtetit të Alma Hickës shkaktoi një valë pakënaqësie mes komunitetit të juristëve. Në konkursin e zhvilluar për në Gjykatën Administrative të Apelit, në maj të vitit 2013, ajo kishte rezultuar me rezultate jo aq të pëlqyeshme, madje aludohet se i kish zënë vendin dy juristeve të tjera shumë më të shkëlqyera se ajo. Por cili është sekreti i ngjitjes së një gjyqtareje anonime në krye të një prej instancave juridike më të larta shtetërore? Në faqen zyrtare të Avokatit të Shtetit, zonja Hicka shfaq me mburrje se ka marrë pjesë në një sërë seminaresh të organizuara nga shoqata dhe OJF të ndryshme, ku në fillim rendit atë të Fondacionit për një Shoqëri të Hapur, që njihet në të gjithë botën si fondacioni i spekulantit miliarder, Xhorxh Soros. (Mos harrojmë që edhe bashkëshortja e kryeministrit ka qenë drejtuese e lartë në këtë fondacion). Por nuk mjafton me kaq! Lidhjet më të forta me këtë fondacion zonja Hicka i ka nëpërmjet burrit të saj, Envi Hicka, që është përfaqësues ligjor i firmës “H&H”, një firmë e cila ka mbuluar prej kohësh me asistencën e saj që prej vitit 1994 Fondacionin Soros dhe të gjitha ndërmarrjet që funksionojnë në Shqipëri. Firma në fjalë është dhe në bordin drejtues të një fondi mikrokredish, të financuar nga miliarderi spekulant për të cilin ka bum ankesash në gjykatë. Ky fond ka interesat më të larta të kredidhënies në tregun bankar, kredi që variojnë nga 24 deri në 27% interes. Një fond, i cili pati një bum fitimesh në këto vite, ku flitet se me një fond fillestar prej rreth 1 milion eurosh ka arritur të përfitojë duke rrjepur shqiptarët deri në 240 milionë euro me anë të skemave mashtruese të denja për filmat me spekulantë në Ëall Street. Një prej ortakëve të zyrë është i njohur për lidhjet e tij të shkurtra me Ramën dhe është udhëheqësi shkencor i zonjës Hicka në përgatitjen e saj profesionale. Është e njëjta firmë, e cila përgatit bazën ligjore për operacionet e miliarderit spekulant në vendin tonë. E njëjta firmë ligjore është dhe konsulentja kryesore për reformën në drejtësi të paraqitur si suksesin më të madh nga ana e qeverisë së Ramës!

Arroganca e Hickës

E njëjta firmë duket të ketë qenë ajo që ka dhënë dhe konsulencën ligjore në lidhje me çështjen CEZ, megjithëse më parë kishte pasur si klientë të saj dhe DIA (Debt International Advisory) me qendër në Ishujt Virgin, ku ka dhe bankat e tij të operimit Xhorxh Soros! Ndoshta mund të jenë dhe rastësi, por nuk është e rastit që një gjyqtare e panjohur si Hicka dhe jo me ndonjë CV të admirueshme të ngjiste kaq shpejt shkallët e karrierës. Dihet fakti që në këtë post Rama kërkonte një nga njerëzit më të besuar dhe deri më tani furnitori më i besueshëm i Ramës ka qenë pikërisht fondacioni i spekulantit të majtë. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe arroganca, që shfaqi zonja në Komisionin Hetimor parlamentar për çështjen CEZ të datës  8 shkurt dhe ditën e djeshme. Dje arriti kulmin ku si pa të keq, lexoi një deklaratë ku thoshte se anëtarët e opozitës në këtë komision kanë konflikt interesi, për shkak të gjyqeve që kanë me institucionin e saj. Deklaratë e cila la të habitur si kryetarin Edmond Spaho, ashtu dhe anëtarin tjetër Helidon Bushatin. Shumëkujt mund t’i kujtohet dhe arroganca që shfaqi ndaj deputetit Ben Blushi për çështjen Beccheti dhe deklarata e saj aspak e denjë për një zyrtar të shtetit. Duket se Rama më shumë se për të mbrojtur shtetin, e ka emëruar Hickën, madje më mirë të themi çiftin Hicka për të bërë rolin e “qenit të sulmit”, sa herë i sulmohen interesat e tij në qeverisje. Kjo pra, është Alma Hicka që siç do e përkufizonte Rama është një “grua në karrierë që merr përsipër barrën e një përgjegjësie të madhe në rrugën e rimëkëmbjes së institucioneve të vendit dhe posaçërisht, si kryembrojtëse e interesit të shtetit shqiptar në shumë fushëbeteja ligjore me individë e sidomos kompani të ‘mirarmatosura’ me ekipe juridike”, por duke harruar të na thotë se në anën tjetër të frontit udhëhiqte grupet juridike pikërisht bashkëshorti i saj dhe studioja që ai përfaqëson!

Artikulli paraprakZyrtari i CDU skeptik mbi programin 1 miliard euro të Ramës
Artikulli tjetërTre alternativa për 18 shkurtin