Abrashi s’i bën dot ballë Dortmundit

Amir Abrashi ishte titullar, por Fraiburgu i tij u mund 3-1 nga Borusia e Dortmundit në udhëtim. Përballë një kundërshtari që vinte pas 17 golash të shënuar në tri ndeshjet e fundit, mesfushori i kombëtares shqiptare u detyrua të nënshtrohej megjithëse bëri një paraqitje pozitive gjatë gjithë 90-minutëshit.
Në “Signal Iduna Park”, dueli që ngriti siparin e javës së pestë të Bundesligës u zhbllokua nga Obamejang një minutë para pushimit mes pjesëve. Për sulmuesin nga Gaboni ky ishte goli i 59-të në ndeshjen e 100-të në Bundesligë me fanellën verdhezi.
Lukas Pizçek dyfishoi në të 53-n, ndërsa goli i Maksimilian Filipit shtatë minuta më pas ndezi shpresat e Fraiburgut. Megjithatë, zëvendësuesi Rafael Gerreiro mbylli llogaritë në shtesë (91’).
Me këtë sukses Dortmundi i bashkohet në krye Bajernit të Mynihut, që të shtunën do t’i bëjë vizitë Hamburgut. Ndërkohë, disfata e tretë e lë Fraiburgun në kuotën e gjashtë pikëve, përkohësisht në pozitën e nëntë.

Artikulli paraprakUkraina nuk e njeh Kosovën, ndeshja do të luhet në Poloni
Artikulli tjetërVan Basten në zyrat e FIFA-s, Infantino: Është vetë futbolli!