A po ulet numri i lindjeve? Më shumë meshkujt, si ka ndryshuar raporti i popullsisë në Elbasan, shifrat

Ritmet e shtimit të popullsisë në qytetin dhe fshatrat e bashkisë së Elbasanit duket se janë tkurrur. Madje nga viti në vit shtimi i popullsisë në kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme po shënon rënie dhe kjo për shkaqe nga më të ndryshmet.

Gjithsesi sipas z.Shefki Lika, Drejtorit të Gjendjes Civile të Elbasanit, popullsia në Bashkinë e Elbasanit gjatë vitit 2023 sipas statistikave zyrtare është rritur me 1028 banorë. Gjatë këtij viti janë regjistruar 2.664 lindje ose 1,23 për 1.000 banorë, ndërsa vdekje rezulton se kanë qenë 1091 ose 0,50 për 1.000 banorë. Sipas këtyre të dhënave zyrtare rezulton se shtesa natyrore e popullsisë në këtë bashki, gjatë vitit të kaluar është rritur me 0,72 banorë për 1,000 banorë.

Nëse do të shohim raportin e meshkujve dhe femrave në Elbasan rezulton se kemi një përqindje më të lartë të meshkujve në raport me femrat. Ky raport pothuajse është ruajtur gjatë dy dekadave të fundit, ku kemi dominancë të gjinisë mashkullore. Për sa i përket popullsisë urbane dhe rurale rezulton se ende në këtë bashki me 6 lagje e 12 njësi administrative me 116 fshatra mbizotëron popullsia që banon në zonat rurale. Në periudhën 1991-2001, popullsia e qytetit të Elbasanit është rritur në masën 14.2% ose me 27,487 banorë më shumë.

Ndërsa rritja më e madhe e popullsisë së Elbasanit është regjistruar në vitin 1996, me 1.8%. Në vitin 1991, Elbasani numëronte 91 mijë banorë, ndërsa në vitin 2001 numëronte 118 mijë banorë, por vitet e fundit emigracioni masiv dhe rënia e lindshmërisë janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në uljen e ritmeve të shtimit të popullsisë në dekadat e fundit.

Artikulli paraprakQyteti italian me rregulla strikte: Kush pështyn gjobitet me 200 euro
Artikulli tjetërGjermania me ‘dorë të hekurt’ ndaj emigrantëve, ja rregullorja e re për punëtorët nga Shqipëria