Qeveria e Kosovës miraton strategjinë për borxhin publik

Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2018-2020, si dhe Strategjinë e Borxhit Publik 2018-2020, si dokument komplementar i KASH-it.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti duke prezantuar këto dy dokumente strategjike të qeverisë së Republikës së Kosovës, tha se Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018-2020 paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet buxheti vjetor për 2018. “Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë një analizë të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të qeverisë. Prioritetet e vendosura në këtë dokument burojnë nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Programi për Reforma në Ekonomi 2017-2019, si dhe nga strategjitë sektoriale”, shtoi Hoti.
Ai gjithashtu bëri të ditur se fushat prioritare të trajtuara në këtë kornizë janë: arsimi, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, përmirësimi i shërbimeve për qytetarë dhe biznese, menaxhimi efikas i shpenzimeve publike, forcimi i të drejtave pronësore, përmirësimi i efikasitetit të gjyqësorit, industritë konkurruese, infrastruktura në energji, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, shtrirja e gjerë e teknologjisë informative, mbështetja e agrobiznesit, shfrytëzimi racional i resurseve ujore, menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve, menaxhimi i mbeturinave, integrimi evropian, politika e jashtme dhe çështjet e sigurisë, ku parashihet: zbatimi efikas i MSA-së në të gjitha fushat, zbatimi i reformave lidhur me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës etj.
Sipas ministrit, projeksionet makroekonomike për KASH 2018-2020 janë përgatitur duke marrë për bazë të gjitha politikat, të cilat janë duke u implementuar, si dhe iniciativat e reja. “Zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë japin indikacione për një rritje ekonomike përgjatë kësaj periudhe prej mesatarisht 4.2%. Ky është një vlerësim konservator dhe rritja mund të tejkalojë dukshëm këtë nivel nëse bëhet progres në zbatimin e disa projekteve të mëdha në disa sektorë”, theksoi Hoti.
Ai gjithashtu shtoi se “ajo që është me rëndësi në rritjen ekonomike është fakti se rritja pritet të vijë gjithnjë e më shumë nga investimet vendore dhe të jashtme, e jo nga konsumi siç ka qenë rasti më herët”. Sipas ministrit, të hyrat e përgjithshme parashihet të rriten mesatarisht prej 9% në vit. Kjo rritje vjen kryesisht nga rritja e të hyrave tatimore, e gjeneruar nga rritja ekonomike dhe nga zvogëlimi i informalitetit. “Në këtë projeksion janë marrë parasysh edhe efektet në të hyra nga masat që kemi ndërmarrë përmes Pakos Fiskale 1 dhe MSA, si dhe masat që do të ndërmarrim përmes Pakos Fiskale 2”, shtoi ministri Hoti.

Artikulli paraprakGjykatat europiane refuzuan masivisht kërkesat për azil të shqiptarëve më 2016
Artikulli tjetërLotaria Amerikane, ja si të kontrolloni që jeni apo jo fitues