9 mars ‘97/ Thirrja “profetike” e Rexhep Ukës: Shqipëria nuk është çiflig i dikujt, por vatan i të gjithëve!

Nga Rexhep Uka (Bari, Mars 1997) *

Shumkush prej jush me njeh, kush për mirë e kush për keq, pavarësisht se si do të dëshiroja unë. Këtij fati nuk i shpëton asnjë politikan, emër me të cilin nuk kam dashur të identifikohem kurrë, ndonëse ruaj respektin me të madh për të gjithë politikanët që asnjëherë nuk ngatërrojnë dhe nuk vendosin interesat personale egocentriste dhe të grupimeve të trysnive që quhen parti (fatkeqsisht të pashmangshme në demokraci), mbi ato kombëtare dhe demokratike.

Kësaj radhe po ju drejtohem nga jashtë atdheut, ku jam që prej muajit tetor 1996, duke u përpjekur të bëj diçka modeste në specialitetin tim për bujqësinë shqiptare, por me të njejtin mesazh si në dhjetor 1990. Çdo komb ka orët e veta, ashtu siç ka edhe djemtë e vet që i dalin zot në këto orë. Askush nuk duhet të mburret se e do më shumë kombin se tjetri. Ende nuk ka një patriotmetër që t’i klasifikojë njerëzit për këtë dhe ska për të patur asnjëherë të tillë. Dashuria për Kombin është matur dhe do të matet me atë çka bën për të. Gjithkush mund të bëjë diçka dhe në çdo kohë, qoftë duke vepruar, qoftë duke heshtur për disa të tjerë. Çdo intelektual shqiptar sot, si asnjëhere tjetër, duhet të bëjë gjithçka që mundet për Shqipërinë. Le të zhvishet nga besnikëria dhe nostalgjia fanatike ndaj pseudoemrave, pasi intelektualët e vërtetë u ndeshën me diktaturën komuniste jo për një karrike të vetën, as të ndonjë tjetri që e përmend sot, por për lirinë dhe lumturinë e të gjithëve, të çdo familjeje shqiptare.

Ai që në dhjetor ‘90 luftoi për demokracinë dhe paqen sociale, s’ka si mos të luftojë dhe sot. Sot, ashtu sikurse dje, misioni i demokratëve të vërtetë është një dhe vetëm një, demokracia dhe jo interesat partiake për të cilat paskan luftuar deri tani disa politikanë që po e deklarojnë me gojën e tyre dhe se vetëm tani ata paskan vendosur që të heqin dorë prej tyre… sigurisht për të tentuar t’i rifillojnë ato më vonë. Ju kujtoj këtyre zotërijve se, jo vetëm nuk kanë punuar për programin e PD-së, por as kanë denjuar ta lexojnë atë ndonjëherë.

Asnjëherë, PD nuk ka patur në programin e saj interesa të tilla në vetvehte. Kush më shumë e kush më pak e njohim historinë tonë, por këto gjashtë shtatë vjet na u dha mundësia ta njohim shumë më mirë. Një gjë po e përjetojmë në formë të përsëritur disa herë nga historia, segmentin e luftës tonë për liri të realizuar me mënyrat që na kanë detyruar kushtet historike, dhe jo siç kanë dashur dirigjentët e mbrapshtë. Historia e shkruar nga ata që pretendojnë se e kanë bërë atë, koha i përbuz dhe padyshim nuk le pa i gjykuar. Në histori nuk mbetet ajo që fiton, por fiton ajo që mbetet. Pra le t’ia lëmë kohës këtë gjykim, për momentin, të bindur se asaj nuk i shpëton asgjë.

Ne po përjetojmë sot ekstremin e një gjendjeje të rënduar politike dhe sociale ekonomike, që ka dëshpëruar dhe tronditur thellë çdo shqiptar të ndershëm, çdo dashamirës e mik të vërtetë të mëmëdheut tonë.

Nga një gjykim i ftohtë dhe këndvështrim largpamës, e sotmja është një tregues më tepër, madje mjaft domethënës, se shqiptarët po përjetojnë epokën e ringjalljes së tyre historike. Nga ana tjetër, është një mësim i madh për të gjithë politikanët shqiptarë që kanë menduar se drejtimi mund të bëhet sipas dëshirave të tyre. Katastrofa shqiptare, siç e kanë quajtur disa kto kohët e fundit, duhet të marrë fund një orë e më parë dhe vendin e saj ta zejë epoka e ringjalljes shqiptare.

Në këtë epokë jetojmë dhe duhet ta besojmë të gjithë e të punojmë për të, me të gjitha rrugët demokratike, jashtë çdo konfrontimi vllazëror. Askush s’e ka më të hidhur përvojën e ndarjes së atdheut sa ne shqiptarët. Askush nuk i ka përjetuar dhe përjeton plagët e rënda të ndarjes së kombit sa ne. Përçarja nuk është element i karakterit shqiptar, por armë e introduktuar nga të huajt, gjatë historisë, nga joshja, lakmia dhe zilia për të na sunduar. Këto nuk janë bërë brenda një dite dhe as mund të shuhen brenda një dite. Epokat nuk janë çështje ditësh dhe ndërtimi i demokracisë nuk realizohet me një të rënë të shkopit, siç mund të kemi menduar në periudha entuziasmi. Askush nuk ka mundur të djegë stadet, të gjithë jemi të detyruar të luftojmë për demokraci, por ndryshe nga bota perëndimore, për ne kjo po ndodh në vigjilje të mijëvjeçarit të tretë.

Ky është fati ynë, ne nuk e ndryshojmë dot, mund ta shpejtojmë disi, por asgjë nuk mund të tejkalojmë. Ne do ta ndërtojmë demokracinë me çdo kusht! Por një demokraci e ndërtuar me armë, drejtuar kundër njeri-tjetrit, nuk gëzohet asnjëherë! Demokracia e vërtetë gëzohet kur vjen vetëm nëpërmjet votës së lirë. E rëndësishme është se shqiptarët po i rikthehen kërkesës për liri dhe demokraci, shtet ligjor, paqe sociale, dinjitet, rivendosje të vlerave të tyre në vendin që duhet të jenë dhe që deri tani janë keqpërdoruar nga politikanë diletantë, pasionantë, kriptokomunistë dhe pseudodemokratë. Shqipëria ka nevojë për një klasë të re politike, pa të kaluar dhe të lidhur me nostalgjirat dhe mëkatet e regjimit komunist, të pa ngarkuar me mllefe e hakmarrje. Shqipëria duhet të ecë përpara me tolerancë dhe kulturë demokratike.

Le të mësojnë politikanët e rinj shqiptarë me kostum të vjetër, dhe ata që pohojnë se janë të vjetër në politikë, kur bëhej vetëm politikë komuniste, se ato që kanë pohuar nuk mund ti mohojnë që, nëse një popull i afirmuar si patriot trim, demokrat, nuk mund ta quash sot agjent, rebel, komunist, sepse vullneti i popullit është vullneti i Zotit! Asgjë nuk i mbetet një politikani kur i mungon largpamsia, kur nuk ka nuhatjen më të vogël të opinioneve, kur edhe njerëzve më të zakonshëm u kutërbojnë hundët nga zhvlersimi total i politikanëve… Një politikan pa zemër të madhe, që në vend të misionit të vllazrimit, e udhëheqin emocionet përçarse, përbën aksident për shoqërinë. Ne do të jemi të ndalur në vend, përderisa nuk do të jetë bërë pajtimi kombëtar, përderisa institucionet e unitetit provokojnë përçarjen dhe pas kësaj rikthehen tek e kaluara, për të mbajtur amanetin e zyrës nga kanë dalë. Përse për hir të këtyre politikanëve duhet të paguhet gjithë ky çmim i lartë?

Partitë politike me moshë shumë të re në demokraci kanë mbetur prapa nivelit të kurajos popullore, por jo shumë përpara kanë qenë edhe institucionet e komunitetit ndërkombtar, për të cilët daullet e rëna shumë herët në Shqipëri kanë rënë ose në vesh të shurdhër, ose në vesh të dyllosur me dashje. Le të shpresojmë se kësaj rradhe, kjo që po ndodh, është përvojë edhe për ata. Duhet t’u kujtojmë këtyre institucioneve se shumë më e vjetër dhe e zvarritur është çështja e Kosovës për të cilën besojmë se është pritur tepër. Mos të mësohemi t’i zgjidhim gjërat kur ua do qejfi Millosheviçërve dhe Sadamëve, pasi ata nuk jetojnë dot me çështje të zgjidhura. Këto janë aq të lidhura me njera tjetrën sa është gabim të trajtohen të ndara.

Të nderuar bashkëatdhetarë!
Le të kujtojmë për një moment të vetëm fëmijërinë tonë. Do të shikojmë se ajo është e mbushur plot me ngjarje nga më të ndryshmet, të cilat sot e deri sa të moshohemi nuk na hiqen nga mendja. Duhet të kuptojmë se çka na kanë parë sytë në fëmini është ngulitur fort dhe kanë ndikuar shumë në karakterin tonë, ato janë elementë të edukatës sonë, të formimit tonë. Por, a po mendojmë ne sot për femijët tanë? A jemi në gjendje të parashikojmë dëmin që po i bëjmë të ardhmes me veprimet emotive? Pse duhet që në kujtesën e tyre të regjistrohet lufta dhe jo paqja, përse urrejtja e jo dashuria, përçarja dhe jo pajtimi, përse pushka e jo dora e bashkimit, përse vrasja e jo jeta?

Jo, një ‘JO’ e madhe na duhet! Mendoni për këtë plazmë, mendoni për shekullin që po vjen kur fëmijtë tanë do të jetojnë në një komunitet me Europën, mendoni të gjithë që nesër të mos na dallojnë përsëri me gisht. Boll më!!! A e dini që jemi ndër kombet më të moçëm në botë dhe njëkohsisht me moshë më të re popullsie? Kthehuni majtas e djathtas dhe përpara jepini dorën si vëllai vëllait njeri-tjetrit. Jemi në ato orë të kombit kur duhet të harrohen shumë gjëra dhe kur shikohet vetëm përpara, pa patur frikë se shkaktarët mund t’i shpëtojnë gjykimit të historisë. Të mos ngatrrojmë kahjen. Kjo që po ndodh nuk duhet të na çojë drejt greminës dhe tragjedisë, por drejt progresit dhe prosperitetit. Sot e gjithë bota i ka sytë tek ne. Këtë radhë i dhamë mundësi të na njohin edhe atyre që nuk na njihnin. Pa mendohuni pak, a ka në kujtesën tuaj ndonjë ngjarje tjetër që t’ia kalojë njohjes tuaj për Bosnjën se sa lufta? Si e njohim ne Somalinë, po Ruandën, a e kuptojmë se çfarë përbën kjo për të ardhmen tonë? Kush do të jenë ata që do të bashkëpunojnë me ne, nëse vazhdojmë me kaosin, nëse japim mesazhin e vetshkatrrimit?

Mos bini viktimë e propagandës së ndasive krahinore. Shqipëria nuk është çiflig vetëm i dikujt, por vatan i të gjithëve! Shqipëria nuk është bajrak, as krahinë, por komb dhe madje shumë i nderuar e i bekuar. Sot kemi nevojë për pjesmarrjen e të gjithëve, nevojë për supe, jo për shkelma. Janë pikërisht këto momentet kur njeriu duhet të gjejë forca për tu ndalur, të shikojë rrugën që ka bërë, është në të apo nën të, dhe të shohë ku po shkon. A nuk ka ardhur momenti për në shqiptarët që ta ndalim pushkën, këtë vazhdim fatkeq të shtyllës sonë vertebrore, kur po e përdorim kundër gjakut tonë? Le të gjejmë forca ta heqim këtë apendiks, le të bëhemi kirurg të vetvehtes, le të shpëtojmë nga e keqja që na ka kapluar çdo ditë e më shumë, sepse kjo na e vonon të ardhmen tonë me dekada. Kujt duhet t’i lutemi nesër? Jo, nesër, nuk do të gjejmë më vendprehje dhe do të na vijë turp nga vetja! Shqipëria është në rrezik para syve tanë dhe nga vetë duart tona.

Vetëm ne mund ta shpëtojmë atë!
Ajo duhet bërë sot! Nesër është tepër vonë!
Çfarë presim më??

* Fjala e plotë e ish-ministrit Rexhep Uka, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, dhënë Radio Tiranës, me zë nga Bari, Itali Mars 1997.

Artikulli paraprakZgjidhet kreu i degës së PD Has, Haklaj: Mbështetje SPAK dhe drejtësisë për të çliruar demokracinë nga kthetrat e së keqes 30-vjeçare
Artikulli tjetërPyetjet më të shpeshta marrin përgjigje: Zbuloni më shumë rreth muajit të Ramazanit