64 demokratë hedhin poshtë peticionin

Partia Demokratike e Degës Nr. 7 në Tiranë ka hedhur poshtë dje ekzistencën e një peticioni të shpërndarë nga zyrat e saj për gjoja ngritjen kundër garës dhe zgjedhjeve për postin e kreut të PD. Përmes një deklarate për mediat 64 firmëtarët, emrat e të cilave shfaqen si njerëzit që kërkojnë anulimin e zgjedhjeve në PD hedhin poshtë në mënyrë kategorike të kenë firmosur personalisht apo të jenë autorë të kësaj nisme.
Reagimi i plotë
Në emër të anëtarësisë të PD Dega 7 Tiranë, ndjejmë detyrimin të sqarojmë se peticioni i lëshuar në emër të Degës 7 është falso dhe nuk është bërë nga anëtarët e saj. Kjo është një tjetër përpjekje për të dëmtuar PD nga një grupim, i cili po funksionon me një axhendë dhe interesa të tjera antiPD. Në respekt të anëtarëve të Partisë Demokratike Dega 7 Tiranë, reagojmë ndaj këtij falsifikimi dërguar medias, i nënshkruar si “peticion i anëtarëve të PD Dega 7 për anulimin e zgjedhjeve”.
Partia Demokratike Dega 7 Tiranë, pasi ka kryer verifikimet e nevojshme vëren se:  Nga 64 “firmëtarët” e peticionit:
•45 persona nuk janë anëtarë të PDSH, madje një pjesë e mirë prej tyre nuk janë as në listat e votuesve të Njësisë 7.
• 5 individë aderojnë në parti të tjera politike dhe kanë reaguar në mediat sociale që emrat dhe firmat e tyre janë falsifikuar.
• 14 individë janë anëtarë të PDSH, prej të cilëve 13 kanë konfirmuar që nuk janë firmëtarë të këtij peticioni. Madje, janë të shqetësuar që emrat dhe firmat e tyre janë falsifikuar në mënyrë kaq abuzive nga dashakeqës të Partisë Demokratike.
Po rendisim vetëm një pjesë të emrave, të cilët kanë mohuar në mënyrë kategorike që të kenë firmosur këtë peticion: Liljana Karanxha, Dervish Saraçi, Përparim Peposhi, Lulzim Kodra, Bukurije Kusi, Petrit Ponari, Ivi Saliasi, Arben Korance, Everest Muço etj., etj.
Në emër të anëtarëve dhe simpatizantëve të Degës 7 Tiranë të PDSH, ne distancohemi dhe dënojmë me forcë çdo veprim abuziv të bërë në emër të anëtarësisë, të çdo peticioni dhe çdo lloj iniciative tjetër jashtë dhe në kundërshtim me vendimet dhe udhëzimet e PDSH-së.
Sqarojmë se falsifikimi i emrit dhe/ose firmës është vepër penale e parashikuar në nenin 186 të Kodit Penal, i cili parashikon dënimin me burgim deri në 4 vjet.
Për këtë peticion të falsifikuar ne do të dorëzojmë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të nxjerrë para drejtësisë të falsifikatorit.
Në zbatim të vendimit të Kryesisë të PDSH, njoftojmë të gjithë anëtarët e Degës 7 që zgjedhjet për kryetar të PDSH do të mbahen më dt. 22 korrik 2017.

Artikulli paraprakVeliaj e mbushi Tiranën me kioska për këshilltarët e tij
Artikulli tjetërHapja e kutive provon deformimin e zgjedhjeve