5 Janari ’91, të mbrojmë lirinë e fituar 28 vite më parë

Nga Bledi KASMI

Me të drejtë ngjarja e vitit të kaluar u shpall protesta e studentëve nga pjesa më e madhe e mediave dhe gazetarëve sepse ishte një furtunë që zgjoi nga gjumi një shoqëri të lodhur nga padrejtësia dhe ngjalli shpresën e një ndryshimi të madh duke e krahasuar këtë lëvizje me atë të 8 Dhjetorit ’90 që solli përmbysjen e diktaturës.
Po me aq të drejtë si ngjarja e vitit mund të ishte shpallur edhe revolta e kuksianëve që ishte një tjetër frymëzim i madh për shoqërinë dhe që dëshmoi se si mund të gjunjëzohej një qeveri që taksat e shqiptarëve i adreson në xhepat e pak njerëzve që tanimë njihen si oligarkët.
Ngjarja e vitit mund të jetë edhe revolta e gazetarëve të lirë që tani janë ngritur edhe mbi formatet zyrtare të mediave tradicionale nën presion nga qeveria për t’iu adresuar direkt qytetarëve dhe kjo është një pikë kulmore e zhvillimeve të sotme.
Mirënjohje për të gjithë ata gazetarë kurajozë që në 2018 zbardhën skandalet që i kanë kushtuar dhe do ti kushtonin shqiptarëve mjaft shtrenjtë.
A nuk ka PS njerëz, që nuk kanë vëllezër apo kushërinj të lidhur me drogën që të drejtojë Ministrinë e Brendshme?
Kjo ishte pyetja e gazetares Ambrosia Meta e cila hapi siparin e një beteje të gazetarëve me kryeministrin. Të gjithë e mbajnë mend atë ditë kur një lider global u rrëzua nga pyetja e një gazetareje të re. Ambrosia shumë mirë mund të konsiderohet edhe si gazetarja e vitit, një frymëzim për kurajon e treguar për shumë gazetarë të tjerë të rinj që mes nënshtrimit të joshjes së parave të pushtetit kanë zgjedhur të bëjnë detyrën e vështirë të gazetarit.

Gazetari tjetër Jetmir Olldashi paditet në Prokurori me akuzën për “Kallzim të Rremë” sepse zbardhi trafikun e drogës të vëllait të ministrit dhe sot vazhdon të jetë në proces gjyqsor dhe në ndjekje penale nga Prokuroria e kapur nga Kryeministri.
Me 30 Gusht shtëpia e prindërve të gazetares Klodiana Lala në të cilin ishin edhe fëmijët e saj u sulmua me breshëri kallashnikovi për shkak të detyrës së gazetares në investigimin e lidhjeve të krimit me pushtetin.
Dhjetori u mbyll me kërcënimin e gazetarit Ylli Rakipi pas denoncimit në emisionin “Të paekspozuarit” të skandalit të falsifikimit të letrës së Sekretarit të Shtetit të Delaëare për të transferuar 18 milionë eurot në Shtetet e Bashkuara nga një kompani fantazmë e përzgjedhur me kujdes nga qeveria dhe që nuk kishte asnjë punëtor dhe asnjë makineri dhe megjithatë rezultoi të ketë fituar dy tendera me vlerën e 30 milionë eurove.
2018 është viti i parë në këto 28 vite demokraci ku organizmat ndërkombëtarë kanë bërë të paktën 12 deklarata zyrtare në drejtim të qeverisë për të mos cënuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias dhe i kanë kërkuar Kryeministrit të dënojë dhunën ndaj gazetarëve. Në asnjë rast Kryeministri nuk ka denoncuar dhunën dhe në asnjë rast dhunuesit e gazetarëve nuk kanë dalë përpara drejtësisë. Kjo është shprehje e qartë për të kuptuar se kush qëndron pas dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Kjo është panorama e shkurtër e një viti të gjatë përballje të gazetarëve me integritet ndaj një regjimi që duke qenë në agoni mendon se mund të zgjasë jetën duke i mbyllur gojën gazetarëve. 2018 mund të konsiderohet një fillim i mbarë sepse vazhdimi i betejës që do të sjellë ditët e ardhshme edhe një luftë frontale në mbrojtje të lirisë të së fjalës nga gazetarët.
Qeveria i ka shpallur këtë vit një luftë frontale qeverisë me dy ligjet e reja të ashtuquajtuara “kundra shpifjes” dhe që synojnë mbylljen e portaleve kritike me qeverinë.

Eshtë e rëndësishme që gazetarët tani të bëhen të gjithë bashkë jo për të mbrojtur veten, por për të mbrojtur lirinë e fjalës. Sipas ligjit të ri Antishpifje ri një portal do të dënohet deri në 10 milionë lekë gjobë në rast se nuk do të zbatojë 11 rregullat që ka vendosur qeveria. Dhe në rast se nuk i paguan gjobën Ramës atëhere portali mbyllet.
Rregullat mund të jenë të vlefshme për gazetarët vetëm në rast se ato vijnë pas një diskutimi më gazetarët dhe shoqatat e tyre dhe vetëm kur pranohen prej tyre, por asnjëherë një ligj i tillë nuk do të pranohet kur gazetarët nuk pyeten dhe ligji i imponohet nga Kryeministri që urren gazetarët dhe mediat.
Po kush është institucioni që do të vendosë gjobat? Eshtë AMA, një institucion i kontrolluar nga Rama, i cili do të ngarkojë tre punonjës në varësi totale nga Kryeministri për të vendosur se kush portal duhet të mbyllet dhe se cili nuk do të mbyllet.
Një kusht që qeveria ka vendosur për të mos gjobitur me 10 milionë lekë një portal apo për të mos e mbyllur është që “raportimi duhet të jetë i drejtë” dhe se kush është e drejtë e vendos Rama.
Një kusht tjetër dhe ky është akoma dhe më qesharak që Portali të mos mbyllet është që “të marrë masa mbrojtëse për mospërdorimin e tyre për qëllime kriminale”. Pra, një qeveri që funksionon si organizatë kriminale i jep të drejtë vetes që të përcaktojë qëllimet kriminale të një portali!
Kushti i tretë duhet të që portali të mos cënojë të Drejtat e Njeriut dhe sipas këtij kushti dhe standartit të Ramës të gjithë portalet duhet ti kërkojnë ndjesë Tahirit për akuzat që kanë bërë ndaj tij, në të kundërt gjobiten ose mbyllen.

Mediat thotë qeveria nuk duhet të cenojnë sigurinë kombëtare dhe sigurinë e publikut dhe në këtë rast qeveria vetëm se ka sanksionuar nenin për Agjitacion e propagandë për armiqtë e brendshëm që rrezikojnë pushtetin e partisë-shtet.
Të gjitha nenet e përcaktuara nga Rama që një medial të mos gjobitet deri në 10 milionë lekë janë po aq qesharake sa ai vetë madje nuk ka harruar të shtojë se portalet mund të mbyllen në rast se të cënojnë shëndetin publik.
Një nen i tillë nuk funksionon për inceneratorët që helmojnë masivisht qytetarët, por vendoset si sankison për mediat.
Katër organizata të njohura ndërkombëtare si; Qendra Europiane për Lirinë e Medias, Federata Europiane e Gazetarëve, Reporterët pa Kufij dhe PEN International i kanë kërkuar kryeministrit të tërheqë menjëherë këto projekligje
Me këtë ligj ky që e ka bërë mendon se do të jetë viti i fundit i lirisë së fjalës dhe medias së lirë në një kohë që janë muajt e fundit të tij në krye të qeverisë.
28 vjet më parë doli numri i parë i gazetës së parë opozitare me diktaturën RD-së, dhe sot sot pas 28 vjetësh detyra e sicilit prej nesh është të mbrojmë lirinë që kemi fituar 28 vite më parë.

gazeta

Artikulli paraprakShtëpia 400 milionë e Edi Ramës, përdor gruan si ‘mburojë’!
Artikulli tjetër28 vjetori i RD/ Basha: PD do të jetë gjithmonë në mbështetje të gazetarëve dhe lirisë së medias