400 familje në Hoxharë nën ujë, banorët: “S’kemi asnjë ndihmë”

Hoxhara është 8 km larg Fierit. Është fshati më i goditur nga përmbytjet. Janë 400 familje që janë prekur nga përmbytjet, ndërsa deri tani nuk ka mbërritur asnjë ndihmë nga qeveria. Banorët shprehen të zhgënjyer nga qeveria. Ata thonë se edhe kur vjen ndonjë ndihmë, ajo ndahet cepave. “Asnjë ndihmë nuk kemi marrë. Fshati jonë është nga më të goditurit nga përmbytjet. Janë 400 familje që janë prekur, por ndihma nuk kemi marrë. Edhe kur vjen ndonjë ndihmë, ajo ndahet cepave”, thotë një burrë i moshuar.
Agron Hyka, një nga banorët e 400 familjeve në fshatin Hoxharë e prekur nga përmbytjet. Ai qëndron prej disa ditësh në ujë në mbrojtje të vathës së bagëtive, e cila është pasuria e tij. Hyka shprehet se, bagëtitë po ngordhin nëpër fshat një nga një, ndërsa qeveria nuk ka sjellë bazë ushqimore për kafshët. “Erdhën dje ata të ushtrisë. Ne nuk kemi ku t’i çojmë bagëtitë nëpër fshat po ngordhin një nga një”, thotë fermeri.
Me bagëtitë mbajnë frymën gjallë ndaj apelin për ndihmë e përcjellin me fjalë të ndera. “Malli është si puna e fëmijës. Ai shikon çfarë do t’i hedhësh. Nuk i jep dot as makarona as oriz. Për veten tonë do të marrim 5 kg makarona, por malli (kafsha) s’di të hajë. Unë tre lopë kam, po të më ngordhin ato unë s’kam me se të rroj”, thotë një banor tjetër.
Banorët në Hoxharë kërkojnë bazë ushqimore për kafshët. Përmbytjet, thonë ata, u kanë shkatërruar rezervën ushqimore që kishin krijuar për dimrin. “Nuk kërkojmë asgjë veç bazës ushqimore për kafshët. Po na ngordhin bagëtitë”, thotë një banor. Veç bazës ushqimore që kishin gati, uji u ka dëmtuar edhe tokat e mbjella, ndaj pasojat do të jenë afatgjata. “Tokat na janë prishur fare nga kripa zero se zero e kishim. Plugoje, prodhime nuk ka më. Dëmet nga përmbytjet janë 20 hektarë që kishim”, thonë banorët.
Banorët e Hoxharës shprehen se edhe kur ka ardhur ndonjë ndihmë është ndarë cepave. “Vijnë dhe i ndajnë cepave”, thonë ata.
Përmbytjet kanë shkaktuar miliona lekë dëme në pasurinë e qytetarëve dhe bizneseve. Përmbytjet u ndjenë pothuajse në të gjithë vendin, por dëme më të mëdha u shkaktuan në Jug të vendit, duke i gjetur edhe një herë të papërgatitura institucionet shtetërore, edhe pse prej disa ditësh ishte paralajmëruar stuhia. Një nga zonat më të goditura është edhe fshati Ferras në Fier, ku u përmbyten rreth 250 shtëpi dhe disa biznese me kultura bujqësore.
Banorët shprehen se janë harruar nga qeveria. “Më kërkuan të evakuohesha, po ku të shkoja?! Të lija shtëpinë?! Kisha gjithçka aty. Këtu është komplet bufeja faqe muri që e ka zënë uji. E ka zënë 30-40 pond. Frigoriferi është këtu brenda, motori ka mbaruar, s’bën më. Asnjë ndihmë nuk kemi marrë. Shteti na ka harrur në mes të ujit dhe baltës”, thotë një banor i Ferrasit.
Dëmet që ka lënë vërshimi i lumit Vjosë duken qartazi, në rrugë, në oborre, brenda shtëpive. Nga ky fshat u evakuuan 26 banorë, ndërsa të tjerët nuk pranuan të braktisnin banesat. Ditën e djeshme, pas tërheqjes së ujit, fëmijë, gra e burra pastronin shtëpitë, për t’i kthyer ato në normalitet. 12-vjeçarja Anxhela Braka tregon frikën dhe apelon për ndihmë. “Kur erdhi lumi ne ishim të gjithë në gjumë. Dëgjuam disa zëra që po bërtisnin, disa njerëz dhe dolëm menjëherë jashtë në derë. Vete i thërras babit, ai na merr të gjithëve dhe na çon tek shtëpia e nënës. Më është dashur e gjithë pasditja ta pastroj shtëpinë. Të na ndihmojnë të paktën me ushqime, sepse kemi shumë pak dhe nuk na dalin”, thotë ajo.
Banorët e këtij fshati shprehen se nuk kanë besim tek qeveria për dëmshpërblimet e përmbytjeve. Për ta nuk është hera e parë që lumi vërshon drejt tyre. Kjo ka ndodhur edhe në 2015, por prurjet e Vjosës këtë vit ishin shumë më të mëdha. Por ndryshe nga herët e tjera, dëmet janë më të pakta, kjo sepse kjo përmbytje banorët e Ferrasit nuk i zuri në befasi.

Artikulli paraprak“Shullazi”, dështon ballafaqimi mes dëshmitarëve dhe biznesmenit Beqja
Artikulli tjetërZbardhet skema, si u trafikua 2.5 ton drogë nga zyrtarët e policisë